Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi, intervistë për radion kineze “Eja”

Me gazetarin Gazmend Agaj, transmetuar me 21 nëntor 2022
Avdulla Kënaçi është gazetar i njohur në median shqiptare. Ai për shumë vite ka punuar si gazetar dhe skenarist në Televizionin Shqiptar, duke sjellë në ekran mjaft reportazhe dhe dokumentarë me tema interesante. Gjatë viteve të punës së tij në televizion ai ka udhëtuar në shumë vende të botës, duke realizuar reportazhe për jetën dhe veprimtarinë e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këto vende.
Prej pesëmbëdhjetë vjetësh jeton në Kanada së bashkë me familjen e tij, ku duket se ka gjetur një mjedis të përshtatshëm për të zhvilluar talentin krijues, duke i dhuruar lexuesit vepra dinjitoze, shkruar me një gjuhë të gjallë dhe plot kolor. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij gazetareske, largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Kanada, por dhe botimet në gjininë e tregimeve e novelave.
CMG: Prej disa vitesh ju jetoni në Kanada, ku dhe vazhdoni të jeni aktiv me krijimtarinë tuaj letrare. Sa vite keni në Kanada dhe në cilin qytet jetoni?
Avdulla Kënaçi: Unë në vazhdimësi kam 15 vjet që jam në Kanada, që nga viti 2007 dhe erdha këtu për arsye se kam dy fëmijët e mi, djalin dhe vajzën të cilët kanë studiuar dhe janë të punësuar këtu. Kështu që erdha dhe unë dhe bashkëshortja pas tyre për arsye që dihen, se ne shqiptarët jemi shumë familjarë dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin, sidomos kemi një traditë të trashëguar që ne nuk jetojmë dot pa fëmijët tanë. Unë nuk erdha këtu për arsye ekonomike sepse ata janë në gjendje që mund të më ndihmonin mua në Shqipëri, pavarësisht nga rrogat tona të vogla që kemi pasur vazhdimisht. Ju kemi shërbyer familjeve të fëmijëve tanë më shumë se sa kemi përfituar të mirat e Kanadasë, megjithatë duke qenë në një komunitet të tillë ne jemi njohur edhe me shqiptarë të tjerë. Unë jam aktivist në shoqatat shqiptare të Kanadasë këtu në Mississauga, qytet në vazhdimësi të Torontos, është një qytet me rreth një milion banorë. Ky është një qytet modern sepse e ka shfrytëzuar teknologjinë e mëvonshme, është miks nga ana e përbërjes ku ka nga të gjitha popullsitë dhe është shumë qytet i zhvilluar, afër një atraksioni turistik që është Niagara e famshme, ku turizmi vazhdon dimër dhe verë.
CMG: Si ka qenë integrimi juaj në fillim kur shkuat në Kanada?
Avdulla Kënaçi: Është moment i vështirë në jetën time me thënë të drejtën, megjithëse unë kisha qenë një gazetar që kisha punuar me diasporën dhe i kisha vizituar shumë vende që na lidhnin me Shqipërinë. Kisha vizituar shumë herë Amerikën ku kisha realizuar emisione dhe dokumentarë, kisha vizituar Zvicrën, Gjermaninë, Francën, Italinë, Greqinë, por këtu e kisha të vështirë mënyrën e jetesës, integrimin sepse më mungonin shokët e Tiranës dhe kolegët gazetarë, me të cilët që në rininë time dhe në vazhdimësi kisha punuar. Më mungonin bisedat profesionale, por edhe ato intime sepse e njohim në imtësi njëri-tjetrin në Shqipëri, ja dimë hallet dhe rrethanat familjare. Gjithashtu kafet e Shqipërisë më kanë munguar shumë. Kafe ka dhe këtu ku jam, madje lloje-lloje, por këtu njerëzit punojnë dhe nuk e kanë kafen institucion siç e kemi ne në Shqipëri, sidomos në Tiranë sepse aty kafet janë për të këmbyer përvojat ose për të hapur ndonjë front të ri pune, për t’u lidhur ne gazetarët me bashkëpunëtorët tanë. Këtu kafet nuk janë të tilla, por janë kafe pune që shkon nganjëherë me makinë përmes rrugës rrotull ku nga sporteli, pa hequr dorën ng timoni merr kafen tënde dhe ikën ku ke punën. Edhe mund të ulesh, por je i vetmuar. Kjo gjë realisht mua më mungoi këtu në Kanada për të vetmen arsye sepse në Tiranë unë isha mësuar me një metodë të tillë pune. Mbi të gjitha gazetari në Shqipëri, kur takon një shok ose një koleg, konsultohet, shkarkohet emocionalisht dhe korrigjon veten ose merr informacion të ri, aq të domosdoshëm për ushtrimin e profesionit. Ndërsa kjo gjë këtu nuk ishte. Kanadaja është vend i punës, ky është një shtet i cili është krijuar kryesisht me emigrantët, është një shtet që ka ecur përpara sepse ka burime, ose resurse, por mbi të gjitha është një shtet mjaft i organizuar dhe kudo sundon ligji.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Kanada?
Avdulla Kënaçi: Të parët shqiptarë që kanë qenë këtu në këto rrethina, ku jam unë në Toronto dhe në Mississauga, ishin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse ata kishin mundësi lëvizje në regjimin e Titos kryesisht, ndërsa emigrantët e hershëm me origjinë shqiptare kanë qenë shumë të rrallë. Nuk e kanë ndjekur shqiptarët e para Luftës së Dytë Botërore emigracionin në Kanada, nuk u ka pëlqyer për shkak të klimës, sepse në dimër është ftohtë, por dhe të kushteve. Më shumë kanë lakmuar Amerikën, madje shumë prej tyre e kanë filluar nga Argjentina, pastaj kanë mbërritur në Amerikë, ose në Kanada. Në Kanada janë të periudhës së ish socializmit në Shqipëri, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ishin të parët që krijuan shoqata shqiptare këtu. Pastaj në atë shoqatë u integruan edhe të arratisurit nga Shqipëria të cilët gjetën veten e tyre dhe gjuhën e përbashkët me komunitetin, por ata kanë qenë shumë të rrallë në Kanada dhe nuk përbënin komunitet.
CMG: Flasim për periudhën kur ju punonit si gazetar në RTSH, ku keni të arkivuar mjaft reportazhe dhe dokumentarë sidomos për emigracionin. Si i kujtoni momentet e punës suaj si gazetar dhe skenarist?
Avdulla Kënaçi: Ka qenë një kënaqësi e imja që të takoj, të jem midis shqiptarëve kudo në botë, qoftë nga trojet rreth e rrotull si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqi, dhe pastaj tek shqiptarët në Zvicër ku kam realizuar shumë dokumentarë. Kanë qenë të shumta reportazhet, shkrimet, dokumentarët edhe përpara periudhës se të hapej Shqipëria që është viti 1993-94, ndërsa më vonë arritëm të merrnim fonde nga televizioni, por dhe me kontributet e bashkatdhetarëve. Unë kam realizuar, jo për modesti, por jam i pari në televizionin shqiptar që kam sjellë jetën e emigrantëve dhe problemet që ata kanë pasur, dhe mbi të gjitha kam dashur që të sjell në ekran jetën e tyre, të mos ndjeheshin të vetmuar, i kam lidhur më shumë me vendlindjen e tyre.
Nuk e harroj në një moment kur ne me makinën që shkruante RTSH kemi qenë në Greqi dhe shumë vende të tjerë, ku vetë shqiptarët afroheshin dhe krenoheshin duke bërë fotografi me siglën e RTSH-së. Më pëlqente t’i bëja ata krenarë. Kjo ishte një nga kënaqësitë që më ka dhënë ky profesion, sepse unë kam shkuar atje ku ata punonin, ku flinin dhe jetonin duke sjellë në ekran dhe problemet e tyre, pra nuk e kam ilustruar idenë që emigracioni është lule, një mrekulli, me qëllim që të braktisin Shqipërinë. Përkundrazi, unë kam thënë se sa vështirësi kishin ata me gjuhën, punën, ligjet, profesionet, dhe kjo për mua ka qenë një risi në jetën e reportazheve brenda Shqipërisë dhe emigracionit. Besoj se kam lënë gjurmë në këtë drejtim.
CMG: Përveçse një gazetar me shumë përvojë, një pasion tjetër i juaji është dhe letërsia në gjininë e tregimeve e novelave ku keni botuar disa vëllime për një kohë të shkurtër. Cilat kanë qenë librat artistikë që keni sjellë për lexuesit?
Avdulla Kënaçi: Me ardhjen time në Kanada, duke qenë i mësuar me punën ku dhe fizikisht e ndjeva veten mirë dhe këtu kisha kushte shumë komode për arsye se kisha një dhomën timen, kisha televizorin, kompjuterin dhe internetin, kështu që e ndjeva veten të frymëzuar dhe vendosa t’i kthehesha një pasioni të rinisë sime, që ka qenë shkrimi i tregimeve. Gjatë ushtrimit të gazetarisë unë kam lëvruar reportazhin dhe përshkrimin, që janë vëllezër të tregimit. Kështu që këtu unë u mora kryesisht me letërsinë artistike, kryesisht me tregimin. Deri tani në këto vite kam botuar tre vëllime nga 250-300 faqe me tregime e novela. Tregimi i parë titullohet “Enigma e një nate”. Ngjarja zhvillohet në Europë, pastaj kam botuar vëllimin tjetër “Autokritika” ku unë mbaj një qëndrim për kohën që kaloi dhe e marr atë me sportivitet, jo duke e anatemuar, por duke pohuar se ajo më shumë ishte një histori donkishoteske dhe kështu e kam trajtuar të kaluarën në të cilën unë kam punuar si gazetar dhe kam qenë në qendër të vorbullës.
Ashtu siç përmenda më sipër, kam qenë gazetar dhe në kohën e socializmit në Shqipëri. Mbaj mend në fillimet e punës sime se kam qenë i ftuar në një tryezë ku kishin ardhur gazetarë kinezë. Ata ishin shumë të interesuar për Shqipërinë. Mbaj mend pyetjet që bënin për elektrifikimin në atë kohë, dhe ishte tryeza e parë në jetën time që haja darkë me një delegacion nga Kina. Unë e kam shkruar në një tregim këtë histori timen dhe pastaj kam vazhduar tek vëllimi “Autokritika” ku kam edhe njohjen me një gazetare kineze dhe është shumë interesante ajo periudhë sesi e kam përshkruar mjedisin dhe luftën psikologjike. Mendoj se ka dalë një nga tregimet më të bukura tek ky vëllim. Libri i fundit është “Liridona”, një personazh nga Kosova i ardhur në Kanada, pas luftës së fundit kundër serbëve, njohja me një emigrant nga Durrësi (çam) dhe vëllazërimi pas rënies së perdes së hekurt.
CMG: Keni diçka tjetër në dorë që prisni ta sillni së shpejti për lexuesit?
Avdulla Kënaçi: Kam në dorë një vëllim të katërt me tregime e novela, ku tregoj jetën e një emigranteje në Kanada, e cila është vetëm, nuk ka asnjë njeri nga familja apo të afërt, si komunikon ajo dhe si e kapërcen jetën individuale dhe si i vjen komuniteti në ndihmë. E kam publikuar si novelë “E vetmuara”, titullohet, por e kam zgjedhur që ta vendos në titull të vëllimit për arsye se është nga ngjarjet që është pëlqyer jashtëzakonisht shumë sepse brenda saj ka dhimbje, sentimentalizëm dhe humanitet nga njerëz të njohur e të panjohur që i vijnë asaj në ndihmë. Kështuqë kam gati njëmbëdhjetë tregime, por më duhen dhe tre-katër të tjerë që të dalë një vëllim me po aq faqe sesa të parët dhe me cilësi edhe më të lartë. Gjithashtu kam gati një përmbledhje me reportazhe e përshkrime nga kontinenti amerikan të cilin e kam titulluar “West”, duke përdorur një fjalë të njohur anglisht që nga filmat e Hollovudit. Mbi të dyja këto vëllime vazhdoj të punoj. Cilësia nuk ka fund.
CMG: Jeni i kënaqur me krijimtarinë tuaj lerare dhe si kanë qenë përshtypjet e lexuesve?
Avdulla Kënaçi: Them se jam i kënaqur me punën që bëj, me letërsinë që shkruaj ku dhe reagimet e opinionit kanë qenë pozitive dhe më kanë dhënë shumë frymëzim e kurajo për të vazhduar akoma më tej. Kam shkruar edhe në rininë time tregime, por jeta e gazetarit nuk të lejon të merresh me letërsinë. Unë e them këtë për të gjithë ata gazetarë që janë me pasion; ose do të vazhdojnë gazetarinë dhe t’i nxjerrin fundin asaj, ose do të merren me letërsinë, siç po bëj edhe unë në këtë moment, që po lëvroj vetëm letërsinë, atëhere kemi të drejtë të pretendojmë për cilësi.
Please follow and like us: