Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Rreth librit “Sociologu dhe Shoqëria” të Gëzim Tushit

 

 

Sociologu Gëzim Tushi tashmë është i njohur për kontribute të gjëra intelektuale, publike e mediatike. Ai ka një karrierë të gjerë shumëvjeçare në fushën e botimeve, mësimdhënies, publicitetit mediatik dhe kontributeve të shumta shoqërore. Libri “Sociologu dhe Shoqëria” është i 21-ti në kolanën e veprave të shkruara prej tij. Është një korpus i gjerë dijesh të pasqyruara në gati 10 mijë faqe, bashkë me rreth 2 mijë artikuj të shkruar në të gjithë organet e shtypit periodik. Janë të shumta kontributet e tij personale në fushën e medias elektronike.

Padyshim, libri i fundit “Sociologu dhe Shoqëria”, është një punë studimore e pasqyruar në 500 faqe, në të cilat autori me tendencë është përqëndruar në një ridimensionim të konceptit për rolet e reja të sociologut dhe sociologjisë në shoqërinë e sotme shqiptare postmoderne. Në çfardo optike që ta shikojmë librin, duhet të themi se ai përbën një kontribut tematik jo vetëm si plotësim i synimeve të gjëra të kolanës së veprës së tij, por dhe të nevojave imediate e të perspektivës së shoqërisë shqiptare, e cila tashmë është më komplekse, më e ndërlikuar në të gjithë pikëpamjet. Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë do ketë nevojë për studime serioze, gjithpërfshirëse, të vazhduara në përputhje me diagramën, sasinë, intensitetin e ngjarjeve sociale, duke qenë kompatibël me ndryshimet sociologjike. Kjo do të thotë se ky kompleksitet social nuk mund të analizohet në mënyrë të sipërfaqshme. Kjo është kredoja thelbësore e librit “Sociologu dhe Shoqëria”.

Duke e lexuar veprën e sociologut Tushi, mund të evidentojmë, në mënyrë sinkretike, disa tipare, cilësi dhe vlera të tij.

Së pari, nëse do bënim një vlerësim sintetik të kësaj vepre, padyshim do të thonim se është një studim i plotë dhe me një strukturë të ngjeshur tematike, që e përfshin objektin, tematikën dhe synimet e autorit në një strukturë kompakte, të ndërtuar me kujdes dhe me “arkitekturë” dialektike, solide dhe të lëvizshme gjerësisht në fushën tematike. Është në natyrën e autorit, një veçori e pasqyruar në 21 librat e tij, që ai e ka çështje parimore strukturimin tematik të çdo vepre, duke e “përkufizuar lëndën” që trajton në habitatin e natyrshëm tematik. Kjo bën që materiali, edhe pse i gjerë, në këtë libër është i “ngjeshur” në pikëpamje tematike, duke e përqëndruar vëmendjen studimore në dy objekte të mëdha: Sociologjia moderne dhe roli i saj në shoqërinë shqiptare dhe në të njëjtën kohë edhe për figurën e sociologut, rolin e ridimensionuar të tij në shoqërinë e sotme shqiptare, si profesionist i dedikuar për të bërë diagnostikime të diferencuara të problemeve, shqetësimeve dhe patologjive sociale dhe ofrues i “terapive sociale”, për të zbutur plagët e shoqërisë shqiptare, aq shumë të agravuara e të ndërlikuara në kohën e sotme. Qëllimet e këtij botimi, autori i sqaron në hyrjen e librit, në të cilën bën edhe një sintezë historike të rrugëtimit të vështirë të kësaj shkence në këto tri dekada. Ndërkaq, vijon kapitulli i parë, në të cilën autori trajton lidhjet, raportet dialektike midis sociologjisë si shkencë dhe sociologut si interpret i saj. Në kapitullin e dytë, “Sociologjia dhe dukuritë e jetës postmoderne”, autori bën prerje të zgjeruar të problematikave të jetës sociale, të zhvillimeve progresive dhe anomalive sociale, të jetës së shëndetshme, por dhe patologjive në zgjerim. Gjithnjë me merakun e njohur të autorit, që duke trajtuar konceptualisht dhe bazuar teorikisht esencën, ngjajshmëritë dhe koherencën e problemeve sociale në përgjithësi, ngul këmë që në trajtimet e veta të jetë kontekstual dhe problemet të jenë analoge e të vlefshme për “kurimin e sëmundjeve sociale dhe përmirësimin e shëndetit të shoqërisë tonë“.

Padyshim është i njohur intresi i Gëzim Tushit për problemin social, ndoshta më të paqartin dhe më të ndërlikuarin për raportet midis individit dhe shoqërisë, përmbysjen e paradigmës së vjetër sociologjizante e suppersociale dhe vështirësitë e rindërtimit të ekuacionit të ri demokratik të lidhjeve midis individit dhe shoqërisë. Këtij problemi delikat të shoqërisë sonë liberale e postmoderne ai i kushton një kapitull të gjerë. Doemos nuk mund t’i shpëtonte autorit trajtimi i problemeve sociologjike të kulturës, në kushtet e shoqërisë së hapur.

Së dyti, libri dallohet për një gjuhë të shkathët, të përdorur mjeshtërisht në funksion të lëndës dhe transmetimit sa më të qartë të ideve të autorit. Është një përpjekje e suksesshme, e qëllimshme e autorit për të përdorur një gjuhë sa më adekuate. Që të jetë e kuptueshme jo vetëm për profesionistët e sociologjisë dhe botën akademike e mediatike, por edhe për ata që mund të jenë jo profesionistë të “kulluar” të sociologjisë, por që janë të interesuar për problemet e zhvillimit të shoqërisë.

Së treti, libri ka synim për të qënë sa më utilitar, i dobishëm për njerëzit, sepse pikërisht këtë ide autori e ka vënë në hapje të librit, kur thotë se “dobia për njerëzit duhet të jetë ambicja e parë e sociologut”.  Autori për të treguar motivet që e shtynë të investohej në këtë punë shumëvjeçare për të shkruar këtë libër, thotë se nga e gjithë përvoja ime, kam krijuar bindjen e patundur  se sociologu e ka detyrë që me të gjitha mjetet që disponon, të përpiqet të injektojë në shoqëri solidaritet, shkëmbim ideshë, komunikim social. Nga ana tjetër, kam qënë dhe jam i bindur se sociologjia dhe sociologët, sidomos në kohën e sotme, absolutisht e kanë mision obligativ shkencor dhe qytetar të ndihmojnë përmirësimin e mënyrave të menduarit, sjelljet, qëndrimet, në mënyrë që ato të përshtaten sa më mirë me shoqërinë. Aq më shumë në shoqërinë shqiptare, që është në erupsion social dhe që ndryshon dita-ditës. Madje me nxitim të madh. Ndërkaq sociologjia dhe sociologët kanë mundësi dhe mjetet e duhura, që mund të ndihmojnë njerëzit të ndryshojnë mënyrën e jetesës, të adaptohen me normat, rregullat, kulturën e normat e përbashkëta të shoqërisë. Kjo është sfida e madhe e modernizimit të sociologjisë shqiptare, ridimensionimit intensiv të rolit të sociologut, për të qënë në përputhje me gjërat e paparashikuara të kohës, turbulencat e qytetërimit të paqëndrueshëm, likuid.

Në këtë kontekst, besoj se libri është ndihmesë për të gjithë ata që kanë shqetësime apo dëshirë për të kontribuar në përmirësimin e jetës sociale e urbane të shoqërisë, të strukturave bazë të jetës, mbi të cilat ndërtohet dhe funksionon shoqëria. Sepse, sikurse mendon sociologu Gëzim Tushi, “…është imperativ kapërcimi i mënyrave të vjetra, formave të zakonshme të analizës, koncepteve të menduarit sociologjik, sidomos kur bëjmë vlerësime të zhvillimit të dukurive në marrëdhëniet midis njerëzve, midis tyre dhe “njësive sociale”. Kjo kërkon të përdoren metoda shkencore, kur analizojmë e vrojtojmë faktet e reja të jetës, modelet, ndryshimet, diversitetin, konfigurimet e reja të përmbajtjes, formave të lidhjeve njerëzore, marrëdhënieve sociale. Sepse në mënyrë evidente njeriu, shoqëria dhe sociologjia kanë hyrë në epokën dixhitale, ndodhen bashkërisht në rrjedhat e kornizat e “shoqërisë së informacionit”, të cilat kanë sjellë ndryshim rrënjësor të marrëdhënieve ndërpersonale e sociale.

Së katërti, autori ka synuar të jetë autentik në trajtimin e problemeve që lidhen me sociologjinë dhe sociologun. Këtë kredo serioze shkencore ai e lidh organikisht me dëshirën për t’i menduar dhe analizuar problemet sociale të shoqërisë me “mendjen e tij” dhe kjo këmbëngulje dhe prirje teorike e ka ndihmuar të aplikojë analiza kritike, duke menduar se në këtë mënyrë të bëj diçka dhe njëkohësisht të kontribuoj, pse jo, edhe teorikisht në sferën e madhe të dijes sociologjike.

Ndaj duke qënë në këtë korsi mendimi dhe me synimin për të sjellë një vepër sa më origjinale, ai shkruan: “Sfida personale ka qenë që në këtë libër, jo të sjellë “ide eterike” sociologjike, por mendime, ide, zgjidhje sa më adekuate. Mundësisht sa më kompatibile me jetën, problematikat që lidhen me strukturën sociale të realitetit tonë. Jam munduar t’i shmangem sa më shumë të jetë e mundur modelit të “sociologjisë që grin sallatë me abstraksione absurde”, që nuk i vlejnë kujt. Në të njëjtën kohë, shkrimi i librit është mbështetur në parimin, sipas të cilit, studimet sociologjike nuk janë vetëm për specialistët, por edhe për njerëz e shtresa të zakonshme, që kanë dëshirë e duan të futen në “pushtetin e madh” të dijes sociologjike. Jo për hobi apo zbukurim intelektual, por për qëllime thelbësore, për afrinë që ato kanë me deontologjinë e profesioneve të tyre”.

Pavarësisht debateve akademike, është e sigurt që koha që jetojmë, natyra e shpejtë e zhvillimeve të shoqërisë shqiptare, e bëjnë imperative detyrën, misionin, përgjegjësinë që sociologët të përqëndrohen në analizat dhe studimet e tyre, jo për atë që vjen nga observimi linear, por nga nevojat moderne të kuptimit të jetës, dinamikave të shoqërisë dhe sfidave të qytetërimit postmodern. Kjo do të thotë që vendin e studimeve përshkruese, lineare, të përcipta ta zenë studime të thelluara konceptuale. Kjo do të thotë që sociologët stilin narrativ ta zëvendësojnë me përmbledhje sociologjike që kanë dëndësi të admirueshme konceptuale. Sociologjia i ndihmon të hyjnë dhe penetrojnë nën nënështresat sociale, nën sipërfaqen dukjeve të jetës që jetojmë. Kjo është arsyeja pse është ndërlikuar, është bërë më i vështirë roli i sociologut në shoqërinë e sotme shqiptare.

Pikërisht autori ka marrë përsipër që përmes librit “Sociologu dhe Shoqëria” të japë mendimin e tij alternativ, për të dhënë idenë se përse duhet dhe çfarë roli luan apo duhet të luajnë sociologjia dhe sociologët. Pikërisht sot, kur sasia, intensiteti i problemeve dhe shqetësimeve sociale është në “vlim intensiv” dinamik sasior e cilësor. Në këto kushte me të drejtë sociologu Tushi mendon se nuk është e lehtë sot të realizosh diagnoza të diferencuara, ca më tepër të kuptosh dhe interpretosh shkaqet apo shkaktarët e dukshëm e të padukshëm të problemeve sociale. Jeta sociale në kohën e tanishme ka nevojë, për sociologë që në studimet e tyre kanë sensin e kohës, dinë të vlerësojnë rolin e ideve moderne. Kjo është arsyeja pse për të bërë interpretime sociologjike të sakta të të dhënave të dukshme e të padukshme, duhen jo sociologët dogmatikë të së “kaluarës” por kemi nevojë për “sociologët e së ardhmes”. Kjo është detyra e kuptimit të vlerës që kanë dijet personale dhe relativiteti i interpretimeve të personalizuara të sociologut.

Në këtë kontekst, ai ngul këmbë se në kohën e tanishme e kanë detyrë obligative sociologët të bëjnë analiza të gjëndjes aktuale, njëherësh interpretimin e së ardhmes së shoqërisë. Por kjo detyrë me përgjegjësi personale, sociale dhe profesionale nuk bëhet me slogane doktrinariste të vjetra, as me pseudo argumente dhe fjalë të parfumosura. Sidomos kur është fjala për rolin aktual të brezit të ri të sociologëve shqiptarë, të cilët duhet të jenë akoma më shumë të motivuar sepse po përballen me një shoqëri dinamike, të rrëshqitshme, e cila po shfaq përditë sfida të reja, trajta të ndryshuara të situatave sociale.

Autori është i vendosur për rolin e sociologjisë dhe sociologut për sot dhe nesër, sepse, sipas tij, kemi nevojë për figura profesionale omnipotente, që janë në gjëndje të bëjnë analiza sociale, të përcaktojnë diagnoza sociologjike koherente, duke shpjeguar dhe argumentuar jo vetëm “pse-në” dhe shkakun, por dhe zgjidhjet, duke përcaktuar “ilaçin”, terapinë që duhet për shërimin e tyre.

Shikimi nënvleftësues, popullariteti jo aty ku nevojitet i profesionit të sociologut është një “sëmundje kalimtare”, shërimi i të cilës është në dorën tonë, për t’ia rritur autoritetin shkencor, reputacionin social në shoqëri, duke e bërë atë dominuese në arenën e gjerë të shkencave humane e sociale. Është momenti kur duhet synuar rritja e peshës, vlerës, autoritetit të sociologjisë në shoqërinë tonë, sepse dituritë sociologjike, vlerat, konceptet e saj ndihmojnë shoqërinë, njerëzit tanë të kuptojnë më mirë “marrëdhëniet midis tyre dhe në të njëjtën kohë edhe me shoqërinë”.

Kjo do të thotë se duhet të bëjmë akoma më shumë, tani dhe në të ardhmen, për ta mbrojtur sociologjinë si disiplinë shkencore, por dhe sociologun si profesion i nderuar, nga rreziku i shfaqjeve të indiferencës apo mëndjemasdhësisë neopozitiviste që ka të bëjë me mbivlerësimin e shkencave të natyrës. Ideja se profesioni i sociologut nuk është shumë atraktiv dhe i “pëlqyer” nga tregu i punës, është i pavërtetë, pesimist, që sjell çmobilizimin e dëshirave, vullnetit, kapacitetet e sociologëve të rinj, sepse duket fare qartë se jemi në momentet kur progresi teknik, dixhitalizimi i jetës së përditshmë janë dukuri fondamentale, që kanë sjellë turbulenca sociale, ndikime kulturore thelbësore në strukturat ekzistenciale të trashëguara të traditave kulturore e sociale, sidomos në mënyrën e të menduarit dhe vlerësuarit të gjërave. Një pjesë e këtyre ndryshimeve janë kaq të forta, të thella, të lëvizshme, të paqëndrueshme sa që në shumë raste ne sociologët na kanë vënë “me shpatulla për muri”, për t’u dhënë përgjigje e gjetur zgjidhje. Besoj se është imperative në këto kushte dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për analiza, studime, interpretime elokuente gjithpërfshirëse të dukurive sociale dhe fenomeneve bashkëshoqëruese.

Gjykimi sociologjik, aksiologjik, fenomenologjikisht profesional duhet të shërbejë për diagnostikim të realiteteve të komplikuara, si mjet për gjykim objektiv, të sqarojë shoqërinë nëse këto ndryshime eruptive, të vazhduara, të thella e të vazhdueshme do të jenë për mirë apo për keq, në shërbim të shëndetit të shoqërisë apo dobësimit të saj. Kjo do të thotë që shoqëria pret nga sociologjia dhe sociologët, por jo vetëm nga ata, por edhe nga disiplinat e tjera sociale, shkencat e integruara, që bashkë me profesionistët e tyre, t’u japin përgjigje të integruara problemeve të sotme dhe të nesërme.

Prandaj, sipas sociologut Gëzim Tushi, është imperative të pretendojmë e të bëjmë më shumë përpjekje për të krijuar aq sa është e mundur shkollën sociologjike shqiptare, që të shërbejë dhe përshtatet me nevojat shoqërore të jetës, duke u mbështetur në diagnostikimin e fenomeneve të dukshme, konkrete, objektive. Kjo do të thotë që sociologjia shqiptare ka nevojë të revolucionarizohet brenda vetes, qoftë në përmbajtjen e lëndës që trajton dhe në metodat e përparuara logjike e epistemiologjike të përdorura. Ajo në Shqipëri është shkencë e re, e zhvilluar në hapësirën dhe kohën e tre dekadave të fundit dhe doemos që ka të metat e veta të rritjes. Ne jemi të ndërgjegjshëm që fillimet e veta, sociologjia shqiptare në hapat e para do të merrej me dukuri sociale konkrete, materiale të prekshme të ekzistencës sociale njerëzore.

Sipas tij, objektivi duhet të jetë orientimi me prioritet i studimeve sociologjike drejt problemeve të jetës reale, mënyrave se si në këtë kohë liberale individualiste, njerëzit, edhe pse me prirje për “sjellje të personalizuara”, duhet të gjejnë rrugët optimale, format e duhura që të mund të jetojnë së bashku. Kjo do të thotë se sociologjia e ka detyrë obligative të përqëndrohet në trajtimin e problemeve sociale specifike të shoqërisë, duke bërë hulumtime shumëdimensionale, studime të thelluara në terrene të sigurta, teorikisht koherente me natyrën dhe kohën postmoderne. Ndryshimet që po ndodhin janë shumë të shpejta, tejet dinamike, të paparashikuara deri në fund në tipologjinë dhe fenomenologjinë e tyre.

Të gjitha këto probleme gjendën të paqsqyruara në librin e sociologut Gëzim Tushi, me titull “Sociologu dhe Shoqërisa”, i cila ka pak ditë që ka dalë nga botimi dhe është në qarkullim publik.

 

Please follow and like us: