Iris Halili: Mirёnjohje!
Nuk ka gjë mё të bukur se kur, pas çdo ngjarjeje tё rёndёsishme, arrin çasti më emocionues: ai i shprehjes së mirënjohjes. Edhe këtij libri nuk do t’i mungojë pak mirënjohje. Them “pak”, se mirënjohja asnjëherë nuk është e tepërt, ajo është si dashuria, domethёnё, nuk mjafton asnjëherë.
Po filloj me mirënjohjen ndaj Zotit që më ka përzgjedhur si misionaren e tij modeste në këtë botë të bukur të letërsisë. Mirënjohje, po kaq e thellё, i shkon familjes time, që gjithmonë më ka mbështetur në çdo pasion dhe qё asnjёherё nuk më ka detyruar tё zgjedh, por, pёrkundrazi, ёshtё ndier përherë krenare me çdo arritje timen.
Një mirënjohje e veçantё shkon për të gjithë ish-studentёt e mi, pa përjashtim, kudo ku ndodhen. Janё studentё qё kanё studiuar në Universitetin e Tiranёs, dega e letërsisë dhe gazetarisë e u pёrkasin brezit tё viteve 1995-2006. Ishte ai brez studentësh që në mbrëmje shkruanin poezi, në mëngjes u hidhnin një gjysmё syri leksioneve e në drekë mblidheshin tё gjithë bashkë, tek ato klubet e zhurmshme rreth godinёs sё Fakultetit Histori-Filologjisё. Ndanin një koka-kola mё katёrsh, apo një sanduiç më tresh e diskutonin me pasion pёr letёrsinё. Luksi ishte i panjohur, googlizmi nuk ekzistonte, rrjetet sociale ishin vetëm mensat e konvikteve, apo buleverdi “Dëshmorët e Kombit”. Dukja nuk ishte parësore dhe kjo i linte më shumë kohë mendjes për t’u pasuruar. Informacionin e kishim të pakët, por imagjinatën të madhe. Fati i atij brezi ishte që iu pёrkushtua mendjes dhe edukimit si pjesё e pandarё e saj dhe, sot, ajo ёshtё pasuria e tyre kudo ku jetojnë, ndaj dhe shkëlqejnë në çdo gjё që bëjnë.
Nё ato kohë, nëpёr auditore, unë u thoja studentёve se Ana Kareninёn nuk e shpuri shoqëria në shinat e trenit, por zhgënjimi nga dashuria. Kjo analizë vinte natyrshëm, pasi ishte koha kur po fillonim ta njihnim letërsinë si vetveten, domethёnё, së brendshmi, tashmё. Pёrqasja pёr sё jashtmi, s’na ngopte mё. Ishte koha kur filluam të kuptonim se jemi ne që bëjmë shoqërinë dhe jo e kundërta, siç besohej rёndom. Atёherё, çdo hap drejt dijes, qe një eksperiment i guximshëm që nuk i dihej fundi. Çdo analizë teksti që shtjellonim ishte e ndёrtuar më shumë me intuitë sesa me informacion, pasi ai mungonte totalisht, apo ishte tashmё i vjetëruar si “rrobat e gabit”, që kishin filluar t’i vishnin i madh e i vogël.
Tani, pas njёzet e shtatё vjetësh, them se kjo ishte ndoshta dhe pjesa më e bukur e atyre viteve studimore, ne nuk përsëritnim apo nuk detyroheshim të perifrazonim ç’ka kishin thënë të tjerët, se këta “të tjerë” mungonin në libraritë tona. Ne ishim të kushtëzuar të interpretonim e tё analizonim duke patur vetëm një burim: tekstin e autorit. Kjo na e mprehu logjikën dhe na e rriti aftësinë për t’i shkuar leximit deri në fund, apo deri aty ku s’kishim më ç’të thonim. Dhe mahniteshim me analizat e njëri-tjetrit, debatonim por pa e kundërshtuar njëri-tjetrin deri në fund, pasi kjo është magjia e letërsisë, të gjithë kemi të drejtë në interpretim, pasi të gjithë e lexojmë ndryshe të njëjtin tekst.
Në vitin 1999, kam botuar një libër me titull Takim me letërsinë e huaj tё shekullit 20-tё. Ai libër kishte si dritare mirënjohjeje sërish studentët e mi dhe u qe kushtuar pikërisht atyre “që mbeten kolegët më të mirë, vlerësuesit më të drejtë “. Sot, pas kaq vitesh, ky dedikim ka mbetur po njëlloj, vetëm se asaj plejade studentësh i është shtuar edhe djali im Davidi, me të cilin ma ka ёnda tё diskutoj jo pak për letërsinë.
Mirënjohja nuk mbaron këtu. Në jetën e ngjeshur e frenetike tё Amerikёs, ku unё jetoj prej vitesh, ky libër ndoshta nuk do ta shihte kaq shpejt dritën e botimit, nëse një ish-studentja ime e talentuar, Romelda Bozhani, nuk do tё hiqte kohё nga vetja e nga binjakët e saj të vegjël, për t’ia kushtuar redaktimit letrar tё tё gjithё materialit e pёrgatitjes pёr shtyp tё tij. Edhe mirënjohja për Romin ёshtё e pamjaftueshme.
Uroj që ky libër të qëndrojë gjatë në të gjitha libraritë e adhuruesve të letërsisë. Është një libër i shkruar me shumë dashuri pёr letёrsinё nё pёrgjithёsi dhe për disa prej asaj morie shkrimtarёsh që i kanë dhënë zë të fuqishëm asaj. Është një libër që përmbledh një pjesë të punës time akademike në fushën e studimeve letrare, sidomos interpretimin e teksit letrat nëpërmjet psikanalizës së Freud-it, këtij gjeniu që e tundi nga vendi përgjithmonë mёnyrёn se si ne mund të kuptojmë veten e të tjerët pёrreth nesh. Ndaj dhe ti, lexues i dashur, nëse do të kuptosh tjetrin apo edhe Freud-in, bëj si ai, drejtohu letërsisë se ajo është arti i madh për të njohur jetën. Po e mbyll këtu duke shtuar se mirënjohja ime e fundit, i shkon pikërisht letërsisё, këtij arti që për mua është dhe mbetet mbi të gjitha artet.
Please follow and like us: