T’i kujtojmë e nderojmë korifejtë e Alfabetit të gjuhës shqipe!
Shefqete Gosalci
T’i kujtojmë e nderojmë korifejtë e Alfabetit të gjuhës shqipe!
Delegatët e “Kongresit të Manastirit” (14-22 Nëntor 1908) mbledhur në Manastir nga të gjitha anët e etnisë shqiptare, e shpirtëruan dhe shkronjëzuan gjuhën shqipe.
Dje në “Shtëpinë e Alfabetit” në Manastir ishte një festë e vogël të cilën e organizoi Shoqata ABC-Poetike e Shkupit, për ta shënuar këtë ngjarje historike.
Në fakt, për ata që e kuptojnë thellësisht, është festë e madhe, e rëndësisë së veçantë kombëtare, kulturore dhe shtetërore.
Falë angazhimit të shqiptarëve atdhetar të qytetit të Manastirit, kjo datë e veçantë historike tashmë në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në kalendarin e festave shtetërore, por duhet të ishte dhe të shënohej si e tillë në gjithë hapësirën etnike shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe Luginë. Neglizhenca e vazhdueshme institucionale ndaj Kongresit të Alfabetit shqip ,me ose pa qëllim e vetëdije, tregon injorim, mosdije dhe papërgjegjësi të madhe dhe të pafalshme.
U takon institucioneve tona relevante shtetërore që datëlindjen e Alfabetit të gjuhës SHQIPE, ta trajtojnë me seriozitetin e duhur dhe meritor, ti kushtojnë shumë më shumë vëmendje shtetërore dhe kjo datë të shënohet dinjitetshëm e me seriozitet me aktivitete kulturore në nivelet më të larta shtetërore.
Në atë mënyrë i bëjmë nder dhe respekt gjuhës sonë të bukur shqipe dhe atyre grave e burrave dijetarë e atdhetarë që shkrinë shumë mend, mund e dije dhe dhanë shumë kontribut, përpjekje, sakrifica e financa mëdha, për ta bërë gjuhën shqipe me ALFABET.
Ato 36 shkronja të arta, janë dhurata më e çmuar për Kombin shqiptar.
Gjuha shqipe si gjuha më e vjetër indo-europjane meriton më shumë.
Ta duam, ta flasim, ta shkruajmë, ta lexojmë, ta ruajmë, vlerësojmë e lartësojmë gjuhën tonë të bukur shqipe.
Manastir, 20.XI. 2022.
Please follow and like us: