Vlora Obertinca: Mendoni bukur që të jetoni bukur!
Nuk predikohet askund sekreti se si të jetohet jeta në mënyrën më të mirë të mundshme apo si të zbatohet mendimi pozitiv. Kështu njeriu, sikurse bateria, konsumohet dhe harxhohet, deri në djegie (burn out).
Unë dhe gjithë fëmijët e gjeneratës sime ishim mësuar të jetonim vetëm në kufi të jetës materiale, pasi kultura dhe edukata jonë na e diktonte një jetë të tillë, duke e përjashtuar tërësisht mënyrën e zbatimit të të menduarit pozitiv apo shpjegimin e jetës nga aspekti shpirtëror. Kjo mënyrë e të jetuarit u përkiste vendeve si: Tibeti, India, Kina apo Japonia, por në asnjë mënyrë askush nuk mendonte ta huazonte këtë gjë kaq të vlefshme për jetën e njeriut dhe ta adaptonte këtë të mirë nga këta popuj që nuk i kishin humbur këto tradita të lashta, tradita që edhe ne si popuj të lashtë ballkanikë, do të duhej t’i kishim pasur dikur, por janë tretur pa asnjë shenjë me kalimin e kohës.
Fjala e mësuesit ka një peshë të madhe te fëmijët, po aq sa ajo e prindit, por që nuk e kishim atë fat të mirë të mësonim leksionet e jetës nga mësuesit tanë e as në gjirin familjar, kjo për shkak se as ata nuk i dinin fshehtësitë e të jetuarit të jetës së lumtur, sepse as atyre s’ua kishte mësuar njeri. Askush nga rrethi ynë nuk dinte se si të na e thjeshtësonte kuptimin e jetës së përditshme, si një formulë shumë e thjeshtë: “Mendoni bukur, që ta jetoni jetën bukur; mendoni keq, që ta jetoni jetën keq”.
Marrë nga libri ‘Vera e shpirtit” të Vlora Obertincës.
Please follow and like us: