Cikël poetik nga Avdush Canaj
FSHEHTËSI
Më tha një fshehtësi
ylli im mbi qershi
që përralla më fal
nga xhepat e Cukelit:
Hëna
ka filluar të shkruajë
një roman të vogël
për ëndrrat e harabelit!
Ju, pësssssst!
Askujt asnjë fjalë!
Ju betohem
në peshqit e lumit,
kur ta përfundojë,
do ta lexojmë bashkë
te pragu i gjumit!
NJË YLL TË PRET
Bukuroshet ilire
ishin kështu,
si ti.
Me fustan të luleve
e sandale fluturash.
Buzëqeshja hënore
me rruaza manushaqesh.
Celulari s`pushon.
Ngutu!
Një yll me kapelë
të pret te porta e verës.
Në valsin e ëndrrave
s`niset pa ty.
SYTË E LUMTURISË
Nëna ka aromën e luleve
dhe lule e agimit është
Ka buzëqeshjen e diellit nëna
dhe diell dashurie është
Me ëmbëlsinë e pjeshkës në faqe
dhe pjeshkë është
Nëna ka sytë e lumturisë
është vetë lumturia me fustan
Nëna ime, loçka.