Cikël poetik nga Rexhep Polisi
ERËRAT E JUGËS
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës,
Rrugët kanë ngrirë nga dimri i acartë;
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,
Malli im tretet në qytetin e lashtë…
Gurët e mallit lartësohen drejt qiejve,
Ëndrra përkundet në dallgët joniane.
Me mijëra herë i hipur në kuajt e erës
Jam nisur në udhën e shpresës asaj ane.
Në Jug tani fryjnë erërat e Jugës;
Ka ngrirë pasioni brenda meje;
Do nisem dhe, në mbetsha udhës,
Do të prehem në një vello reje…
DET QIELLOR
Vështrimi yt, det qiellor…
M’u shkri si borë në pranverën e syve,
Si shtangia e trishtë mbetur në dorë
Në hendekun e thellë mes ne të dyve…
Dhe koha ndali ritmin e saj,
Atë çast kur tërmet ra, e ndjeve dhe ti?
Ishte vjeshtë, ëndrrat tona lageshin në shi.
* * *
Ç’do të isha pa ty, pyes veten çdo çast.
Unë para teje shfaqem si një mal i lartë.
Ti, një lumë që buron në shpirtin tim
Dhe rrjedh e rrjedh pa mbarim…
QIEJ TË UJSHËM
Si kjo dëborë
Që bie e shkrin
Dhimbshëm
Në qytet,
Ashtu ike ti
E shikimi,
Në qiej
Të ujshëm
M’u tret…
Please follow and like us: