Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Rugova: Për SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE AKTIN E ISMAIL QEMALIT

Dr. Rugova: Për SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE AKTIN E ISMAIL QEMALIT
(Marrë nga: Bota e re, Prishtinë, 28.XI.1986)
Gjithmonë e kemi ndier në veten tonë këtë Ditë të bardhë, kemi jetuar me të, me gjakun e saj të kuq, që qe i ndydhur fort ndër zemrat tona, si në zemrën e Plakut mjekerbardhë që e zbardhëlloi më 1912.
O, po si të mos e ndjejmë këtë Ditë që është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme plot e përplot shtrëngata e pak më pak me bardhësi të këndshme.
Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e nje trungu në çdo stinë të kohës.
Zinë e lëngatës së një populli e ndiejnë më së miri dhe më së shumti bijtë më të mirë të tij. Ata shkrumohen sa s’ka më.Mundohen që ta zhdukin atë dhe të sjellin fatbardhësisnë e ëndërruar.Të ngrenë tempullin e lirisë në mesin e Atdheut – vendit të shenjtë, vendit që është simbol i njeriut në mbarë jetën dhe lavdinë. Ata bëjnë çdo gjë.Digjen si qiriri. E me atë dritë që del nga trungu i tyre i djegur shëndrisin tokën e rituar me gjak ndër shekuj. Shumë ka pasur gjaku ynë kësi bijsh, të ndershëm, madhështorë dhe burrërorë. Vargu i tyre ndër faqet e së kaluarës sonë është i gjatë sa të gjithë ne. Më i gjatë është vargu i lavdive dhe trimërive të tyre të paskajshme.
I pari që e shpuri në vend porosinë e stërgjyshërve, ai që e ngriti atë që e mbanin lart ndër duar dhe mbi koka e që marshonin përpara me të, qe njëri ndër bijtë më të mirënjohur të kombit tonë – Ismail Qemali, Plaku mjekërbardhë. E ngriti Ai, e mbajtëm ne dhe do ta mbajmë ngaherë dhe do të ecim përpara në histori.
E mbajtëm në zemra, në shpirt. E kemi edhe në dorë. Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë.
Please follow and like us: