Mihal Gjergji: NË MBRETËRINË E FSHATIT
Çarçaf i natës nderet mbi kodrina
Të heshtur varret, dergjen vetmitarë
Rënkim i rëndë, pastaj ca vetëtima
Dëbora nis dhe shtron qilim të bardhë
Një ulërimë e mbytur në korije
E tremb një tufë me zogj në arrati
Matanë zabelit, me qylaf mbi krye
Mullarët bëjnë roje, dy nga dy
Troket mbi xhama me gishtrinjtë e erës
Ky muaj dimri veshur me acar
Një lehje qeni ndjehet prapa derës
Me terrin veshur shkon ndonjë kusar
Kullojnë lotët strehët e shtëpive
Kanatat mbyllin krahët në vetmi
I mbledh konaku zërat e fëmijve
Një shpuzë lisi vatra mban në gji
-Qamet, thot’ gjyshja, s’dihet sa do mbajë
(Vërsnike me një shekull cik më cik)
-S’i trembem vdekjes, veten le të hajë…
Dhe zgjon së thelli fjalë perëndish
Sulltan e mbret s’pranon ky vis i largët
Krahinë rrebele mbeti jetë e mot
Lëmon shajaku presa jataganësh
Kandar i fjalës burrin njeh për zot
I hidhur dimri. Hallet mal të rënda
E largët Hëna, tretet si qiri…
Rrufit kandili vajin që mban brenda
Mbi djep dremit një nënë dhe një kërthi
Kurvelesh, Dhjetor 1989.