Albspirit

Media/News/Publishing

OKB voton për hetim mbi masat shtypëse gjakatare që Regjimi i Iranit ka ndërmarrë ndaj kryengritjes

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut voton për  hetim mbi masat shtypëse gjakatare që Regjimi i Iranit ka ndërmarrë ndaj kryengritjes

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut vendosi të enjten me një diferencë çuditërisht të vogël votash për krijimin e një misioni të ri hetimor për të hetuar shtypjen nga Irani të protestave masive që po trondisin vendin që nga shtatori.

Mocioni u miratua me 25 vota pro, 6 kundër dhe 16 abstenime. Aktivistët në këtë seancë u ngritën dhe brohoritën pasi u lexua rezultati nga kryetari i këshillit dhe disa diplomatë iu bashkuan atyre me duartrokitje entuziaste.

Gjatë fjalimit të hapjes, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Türk, dha një përmbledhje të asaj që ka ndodhur që kur protesta e mesit të shtatorit nxiti një kryengritje mbarëkombëtare kundër regjimit.

Sesioni i posaçëm i 35-të i Këshillit për të Drejtat e Njeriut u mbajt pas një kërkese zyrtare të paraqitur më 11 nëntor nga Gjermania dhe Islanda, si dhe me mbështetjen e mbi 40 shteteve të tjera.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kritikoi vrasjen e protestuesve dhe mungesën e llogaridhënies nga autorët e mizorive kundër popullit, si pjesë të shtypjes së disidencës. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për përdorimin “e panevojshëm dhe joproporcional” të forcës kundër protestuesve dhe numrin e lartë të arrestimeve, si dhe për dënimet me vdekje të protestuesve. “Forcat e sigurisë…kanë përdorur plumba të vërtetë, plumba për gjuajtje nga afër dhe fishekë të tjerë metalikë, gaz lotsjellës dhe shkopinj,” tha ai.

Përfaqësuesja e regjimit iranian në takimin e Gjenevës, Khadijeh Karimi, hodhi më herët akuzën e zakonshme se shtetet perëndimore po përdorin këshillin e të drejtave për të shënjestruar Iranin. Aktivistët e të drejtave të njeriut deklaruan të kundërtën dhe paraqitën prova të vrasjes nga regjimi të qindra protestuesve të pafajshëm dhe të paarmatosur, duke përfshirë dhjetëra adoleshente dhe të mitur, si dhe arrestimin dhe torturimin e mijëra të tjerëve.

Protestat filluan si përgjigje ndaj incidentit dhe deri tani ato janë përhapur në të paktën 243 qytete. Forcat e regjimit raportohet të kenë vrarë 625 njerëz dhe arrestuar më shumë se 30,000 të tjerë, sipas burimeve të opozitës iraniane, Muxhahedinët e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Gjithashtu, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk tha se “Rritja e numrit të vdekjeve nga protestat në Iran, përfshirë vdekjet e dy fëmijëve në fundjavë, dhe ashpërsimi i reagimit nga forcat e sigurisë, theksojnë situatën kritike në vend”.

Më 16 nëntor, një rezolutë që dënon abuzimet e të drejtave të njeriut në Iran u miratua unanimisht nga Komiteti i Tretë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo është rezoluta e 69-të e OKB-së që dënon shkeljet e neveritshme dhe të përsëritura të të drejtave të njeriut nga Irani.

Please follow and like us: