Aristoteli si Racist dhe “Athina e Zezë” si kambanë e ndërgjegjes!
Aristoteli si Racist, dhe “Athina e Zezë” si kambanë e ndërgjegjes!
S. Guraziu – AP, N 2022
“Është e dobishme të kthehemi tek stërgjyshi i gjithë teoricienëve racor: Aristoteli. Për ta kuptuar rolin e Aristotelit në hedhjen e bazave për “shkencën e racës”, duhet ta kuptojmë sa i rrënjosur është ai në shkencën dhe filozofinë perëndimore… – Matthew Sears
| – vijim –
Të thuash se femrat, krahasuar me meshkujt, na paskan më pak dhëmbë (në këtë pikë, Bertrand Russell madje sikur qe tallur me Aristotelin, thuase i thoshte “lëre mo burri i botës, me gruan natë për natë dhe s’të shkrepi mendja t’ia numërosh dhëmbët”), të konkludosh se janë gjithsej shtatë trupa qiellorë të përsosur dhe se nuk ndryshojnë kurrë, të thuash se janë të “gjallë”, se universi na qenka i “gjallë”, se gjithçka e qiellit vërtitet rreth Tokës (dihet se Aristoteli e pati mbështetur modelin gjeocentrik të universit, u deshën të kalojnë mbi 10 shekuj tutje që të “triumfonte” heliocentrizmi)… etj. etj. panumër pohimesh të ngjashme, mirëpo tekefundit cilado lajthitje e kësaj natyre, thjesht asgjë. Gjithkujt do i ngjallet buzëqeshja, sepse janë “gabime” aq të pafajshme.
Madje, del si mrekulli fakti që në shek. IV pes (dmth. në kohën e Aristotelit) intelektualët ishin në gjendje të kuptonin se toka është një sferë. Nëse kihet parasysh që pas zbulimit të kontinentit të 4-të (Amerikës) u desh pothuaj të kalonte dhe një shekull tutje që të “pranohej” intelektualisht koncepti i ri i botës (gjeografia e re kontinentale). Dihet se një publikim francez për hesapet gjeografike i vitit 1555 (dmth. edhe pse Amerika i kishte 50-60 vjet tashmë që ishte zbuluar) akoma e paraqiste botën sipas modelit 3-kontinental, Europa-Afrika-Azia. Nëse në v. 1555 ishte aq e “vështirë”, atëherë si t’na ishte e “lehtë” 1000 vjet më parë.
***
Një artikull i “New York Times” (i v. 2020) nuk titullohej ndryshe por “A duhet ta anulojmë (përjashtojmë) Aristotelin?”. Pyetje-titullit të vet, autorja, profesoresha Agnes Callard i përgjigjej aty për aty “jo, Aristoteli nuk është armiku ynë”.
Diku tjetër, njësoj si profesoresha Callard, edhe një autor tjetër vetë pyet vetë përgjigjet, pa ia vajtur asfare “rrotull”. Autori Jard J. Lerebours pyet “a e filloi Aristoteli trashëgiminë e epërsisë (supremacisë) së bardhë në traditën filozofike perëndimore? Pastaj vetëpërgjigjet. Një njollë në karrierën e shquar të Aristotelit ishte besimi i tij në skllevër të lindur natyralë, i cili shekuj më vonë u përdor për ta justifikuar skllavërimin e afrikanëve”!
Profesoresha Callard në artikullin e vet do i qartësonte gjërat që dihen, do i vargëzonte gjërat që janë të qarta; se Aristoteli e mbrojti skllavërinë dhe se e kundërshtoi nocionin e barazisë njerëzore. E vërtet se ishte një racist, por ja që ai nuk është armiku ynë. E thoshte këtë askund tjetër por në mes të “New York Times”, sepse Callard është filozofe dhe profesoreshë, tekefundit thjesht për hir të “lirisë së fjalës” e ka privilegjin.
Tutje Callard sqaron se si Aristoteli jo thjesht e justifikoi skllavërinë, por dhe e mbrojti justifikimin e vet; jo thjesht e mbrojti… por e mbrojti në kuptimin se skllavërimi është i dobishëm për skllavin. Meqë pikëpamja e Aristotelit ishte se disa njerëz, nga natyra, s’janë në gjendje ta ndjekin të mirën e tyre. Kështu që janë më të përshtatshëm për të qenë “mjete, vegla të gjalla”, për t’u përdorur nga njerëzit e tjerë: “skllavi është pjesë e zotërisë së vet (vegël e pronarit), një pjesë e gjallë por e ndarë e kornizës së tij trupore”.
Profesoresha Callard s’e mohon se gabimi i Aristotelit ishte mjaft i rëndë, aq sa (nëse krahasohet) ai del fort keq dhe ndaj “djemve të këqinj” të ndryshëm të historisë që kërkonin justifikim për përjashtimin e grupeve të caktuara – grave, zezakëve, hebrenjve, homoseksualëve, ateistëve – nga ombrella strehuese e dinjitetit njerëzor. Sepse Aristoteli pati shkuar aq larg sa të mendonte se nuk kishte fare ombrellë (të dinjitetit njerëzor).
Madje, antiliberalizmi i Aristotelit nuk ndalet vetëm me kaq. Ai besonte se gratë ishin të paafta për t’marrë vendime autoritare. Dhe se Aristoteli po ashtu e “dekretoi” që punëtorët e krahut, pavarësisht se nuk ishin as skllevër e as gra, gjithsesi u ndalohej shtetësia ose arsimimi në qytetin (shtetin) e tij ideal.
Dhe asgjë, profesoresha Callard s’e ka të vështirë imagjinatën e rrethanave në të cilat një “alien” mund të thotë se gratë janë inferiore ndaj burrave, pa shkaktuar ofendim tek ajo. Callard e justifikon Aristotelin me “intervalin e gjatë kohor”, me distancën a me largësinë mijëvjeçare, dhe thjesht e krahason me një “alien”, mbase androgjenik. Ose supozo, shkruan ajo, se ky alien nuk kishte fare gjini në planetin e vet, por përfundimin e inferioritetit femëror e arrin gjatë vëzhgimit të planetit tonë. Për sa kohë alieni më flet me respekt, jo vetëm që do isha e gatshme ta dëgjoj, por dhe do isha e interesuar të mësoj rreth argumentit “alienik”.
Dmth. (bazuar në “empirizmin aristotelian” – shën. im) vëzhgimi i “alienit” s’është asfare më ndryshe nga vëzhgimi i bipedalizmit, i “dy-këmbësisë” aristoteliane, ja pse mund të justifikohet Aristoteli. Profesoresha Callard Aristotelin e lexon si një “alien” të tillë (është fakt se qasja e Aristotelit ndaj etikës ishte empirike – domethënë bazohej në vëzhgim – shën im). Dhe kur do shihte se përreth tij ka një botë skllavërie, botë të nënshtrimit të grave dhe të punëtorëve të krahut, Aristoteli do konkludonte siç dhe pati konkluduar – atë situatë pastaj dhe do ta përfshinte në teorinë e tij etike.
Kur e lexon Aristotelin, Callard e sheh pikërisht atë pamje të botës së atëhershme – asgjë tjetër, kjo është e gjitha çfarë ajo sheh. Callard nuk “lexon” ndonjë qëllim të keq apo motiv të fshehtë pas filozofisë aristoteliane. Ajo “nuk i interpreton fjalët e Aristotelit si një shenjë e karakterit të keq. As si përpjekje për përcjelljen e një mesazhi të rrezikshëm që mund t’na duhet t’i kundërvihemi, ose ta heshtim për t’i mbrojtur të pambrojturit”.
E megjithatë, në fund të argumenteve profesoresha Callard e pranon se distanca e madhe kohore e Aristotelit, (duke qenë tepër larg nga koha jonë) e bën artificialisht të lehtë trajtimin e tij si një “alien”.
Profesoresha Callard nuk e përmend as dhe një fjalë të vetme, bie fjala rreth “tregtisë transatlantike” me skllevërit. Asaj i pëlqen ta hesht faktin (1 fakt ndër qindra fakte tjera) që mbështetësit evropianë të skllavërisë, kolonializmi dhe kolonialistët e përdorën pikërisht këtë argument nga Aristoteli për të justifikuar afro-skllavërimin.
Anise (si pasojë, si influencë) Aristoteli s’mund të konsiderohet i vetmi “përgjegjës” për tmerret e skllavërisë ameriko-evropiane. Por trashëgimia e errët filozofike kontribuoi në këtë drejtim – kjo s’ka si mohohet. Autorja Callard mund ta heshtë faktin në artikujt e “New York Times”, në librat e vet e kudo, por s’ka si mohohet se dhe vetë heshtja “flet” tashmë. Qëkur argumentet e “natyrshme” të Aristotelit qenë përdorur si justifikim i vetë elitarëve të intelektualizmit dhe të politikave.
Koha e Arstotelit ishte kohë e skllavërisë, se shumë filozofë të lashtë zotëronin skllevër ky detaj ndoshta s’i duket askujt “impresiv”. Por Aristoteli është njëri nga autorët e paktë që u përpoq të jepte një justifikim sistematik për skllavërimin e njerëzve. Aspekti më i “neveritshëm” i filozofisë aristoteliane është pikërisht fakti që ai ishte një nga mbrojtësit më të zjarrtë të skllavërisë.
Heshtja rreth “pikave” relevante, vajtja rrotull për ta mbrojtur Aristotelin (nëse nevoja duke e shpallur dhe “alien”), sikur më shtyn të mendoj (siç dhe shumë të tjerë para meje) “është e çuditshme që kritikët e Aristotelit duket se gjithmonë e sulmojnë atë për gjoja frenimin e shkencës gjatë 2000 vjetëve – një faj totalisht abstrakt – në vend që ta sulmonin për pikëpamjet serioze rreth skllavërisë – diç që Aristoteli e pati “menderosur” konkretisht dhe realisht.