Fritz Radovani: Dita e Festës së Madhe të Popullit Shqiptar
Punue nga F. Radovani, me rasen e 50 vjetorit Pamvarsisë, Shkoder 1962.
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR
Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.
Bini, Toskë!…
Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!…
Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?
Bini, Toskë!…
Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.
Bini, Toskë!…
M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!…
Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.
Bini, Toskë!…
Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!
Bini, Toskë!…
Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!…
Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Megjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e së kremtes së Shna’ Ndout,
12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta , këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë, si u patne porositë perpara u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta…”.
Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi urdhnit të tij.
Ata kercnuen se do t’a zbresin Flamurin me topa!…
At Fishta ju pergjegjë: “Do t’ ishte nderimi ma i madh me u gjuejtë me topa
Flamuri ynë kombtar!”
***
- Porsi fleta… Krahasim i bukur, plot dashuni e nderim! Gjithë sa herë Poetit i bjen me folë për gjuhë, kombsi, emblemë ka për të perdorë shprehje gati të mbinatyrshme. –rreh, valon, valvitet. (Për këto shenime jam bazue tek komenti i At Viktor Volaj “Lirika”, në original. F.R.)
- A ngallnjyesë…deshmorë: në vend të vargut të perparshëm, Bini, Lekë, bini Malcorë, asht koha e njizetepesë vjetorit, kur u diskutue çeshtja e Flamurit kombtar, i vumë ky me qellim me zhdukë çdo regionalizem në trojet tona.
- Ndezet zhari,…merr flakë, digjet; – vehet n’t’lehta, ikë shpejt, (kambët e lehta e faqja e bardhë)…
- Poeti ngulmon mbi të drejten qi ka Shqiptari për Liri dhe Demokraci.
- 5…kamba e t’huejt… Po na…
- Me u shkri: me u shue. – Kortarë kortarë: kemi m’u ba copë e grima përpara, kurma kurma ashtu si pritet peshku ….Krahasime të cilat tregojnë pasuninë e gjuhës së Poetit.
- Sokola: Perdorë gati gjithmonë në vështrimin metaforik për trima. – shtiellet: valon, valvitet. – Si pol veshet Perendis, tue përdorë nji gjuhë antropomorfike, Fishta e krahason Flamrin e Shqypnisë, si mos t’ishte mjaft fleta e Engjullit, po, edhe me petkun e Perendisë.
- me u shue, me u shkimë, me mbarue, me dalë farët. – rrnue nji jetë, nji shembull akusativit të mbrendshem (lat. Aetatem vivere). – Per nen sukuj t’huej t’Balkanit: nen flamuj t’huej…. quejt në të përbuzun zhele, lvere, të popujve të huej të Balkanit, qi piksynojnë me marrë tokat t’ona padrejtsisht.
- Trima n’zâ: Perballë kalimit të sa popujve nepër tokat t’ona, të Parët tonë kanë qindrue, tue mos i lanë me na përpi, me na zhdukë. Edhe pse Romakët patën shtrue Ilirinë, ishin Ilirët ata qi ia ngjiten dorën Romës së ligshtueme, tue marrë frenjtë e sundimit në dorë e tue i prij legjoneve për 150 vjet, – Kastrjota: Per një të katërt shekulli, Skenderbegu kjé Ai qi ndër të tana luftat i bani ballë anmikut Lindor t’Evropës në Kohën e Mesjetës, tue mos e lanë me ngulë kambë n’Atdhéun tonë.
Trimnia e Tij u ba legjendare menjiherë si mbrenda Atdheut tonë ashtu edhe jashtë ndër të huej.
“Një Festë e Perjetëshme per Shqiptarë në gjithë Boten!” F. Radovani.
Melbourne, 28 Nandor 2022.