Nurie Emrullai: Ringjallje
Drita ndizet në zemrën time
dhe unë shkëputem prej duarve të nënës.
“Kujdes”!- thotë ajo teksa më lëshon.
“Lulet e këputura mos i prano,
prano veç ato që t’i mbjellin trupit”.
Vazhdojnë këmbët më rriten,
sa rrugë bëj, aq këmbë kam,
sa hapa bëj, aq mbet numri i këmbës.
“Kujdes”!- bërtet më fort nëna ime,
besoj, duhet të jetë ajo.
Por, ndonëse gjithë gratë kanët të njëjtin zë,
gjithë nënat shëmbëllejnë në fytyrën e saj,
shqetësimet ia ngërthejnë ëndrrat.
“Hapat e bërë vetë, udhëhiqen nga drita,
hapat që t’i shtrojnë, të praptojnë në terr”.
Unë ia jap vrapit të jetës,
se rritja duhet të jetë qejf, apo?
Kaq shumë trëndafila të kuq
kanë lëshuar rrënjë nga zemrat e grave.
Të kuq si gjak, asnjë nuk thotë si dashuria.
Dashuria-gjaku.
Gjaku-egërsia.
Egërsia-zanafilla.
Zanafilla veç një, pa asnjë.
Tani dëgjoj jehonën e dikujt,
që i mbush me zë hapat e mi.
Tinguj të largët
si dasma që mbahet në fshatin afër,
dhe unë di si t’i luaj këmbët,
edhe kur dikush tjetër vallen po e luan.
Unë di të ndez zemrën
dhe kur dielli ha nga ditët e mia.
Unë e di
sepse hëna si nëna,
më jep net nga netët e saj,
më jep dritë nga gjinjtë e saj.
Drita ndizet në zemrën time
atë çast unë shkëputem prej duarve të saj.