Odise Kote: Stuhia qetësohet nesër në mëngjes…
Batica erdhi në mesditë të gjurmonte tingujt,
Shira të egër kujtimesh binin papushim,
Me parandjenjën se ishte koha e duhur,
Për të ndryshuar rregullat e lojës.
Dallgët përplaseshin gurëve, thërmoheshin
Deri kur errësira i mori me vete në udhëtime.
Për beteja të humbura i dhashë farit shpjegim,
I tërbuar, dergjur, i tretur në rërë.
Fari nuk tha je i zoti, përveç njeri me fat,
Në breg, gjithëkush mburret pa ditur asgjë.
A do e duash një të verbër kur të kesh shikim?
Një vetëtimë që s’mori përgjigje pyeti kalimthi.
Errërat që frynë pas mesnate, gjer në agim,
zbuluan të tjera brenga të pashpallura askund.
Nē shtjellat e errëta të honit të pafundësisë,
sepse stuhia u qetësua vetëm në mëngjes…
Please follow and like us: