Fadil Sahiti: DITA E FLAMURIT DHE DALLDISJA SHQIPTARE
Sa herë që vjen dita e flamurit, ne shqiptarët dalldisemi. Nuk lëmë argument pa përdorur për të deshmuar sa shumë patriotë jemi!
Por, realiteti na demanton, na përgenjështron, na bie kokës fortë.
Patriotë jemi, por shtetet që kemi, i kemi për faqe te zezë, të korruptuara, të pazhvilluara, të pasigurta për të bërë jetë të hajrit. E shteti eshte produkt i joni. Politikanët desperado që na qeverisin, janë produkt i joni. E di, s’po them ndonjë gjë të re.
Patriotë jemi, e ne anën tjetër s’bëjmë gje për ta ndryshuar këtë gjendje mizerabël. Përkundrazi, sa herë të na vije mundësia, e zhvatim atë, e vjedhim. Zhvatja nuk bëhet vetem përmes parasë, por edhe duke ‘kapur’ poste të cilat nuk i meritojmë. Këtë e bëjmë duke korruptuar të tjerët dhe veten tonë.
Patriotë jemi, por mundësia e parë që na shfaqet, ne ia mbathim, ikim. Apo nuk e arsyetojmë ikjen me fjalë të bukura: “po iki valla se dua t’i shpëtoj femijët…”. Gënjeshtër e pastër. Njohë shumë ‘ikanakë’ që ia mbathin sepse kujtojnë se jeta jashtë është kopsht me lule. Shumica ikin sepse janë lakmitarë.
Personalisht besoj se Shqipnia një ditë do bëhet. Ka një fije shprese, idealistët e papërmirësuar do ta bëjnë këtë. Ata ndoshta nje ditë do ta bëjnë Shqipninë. Andaj, deri atëherë, dhe gjatë gjithë kohës, duhet provuar te jetojmë këtu, të bëjmë atë që mundemi dhe t’i ruajmë keto shtete si sytë e ballit.
Pse? Thjesht, nuk kemi shtete reservë!
Urime dita e flamurit, ju shqiptarë idealistë!
Please follow and like us: