Jorida Satka: Zvarranikë pa shtyllë kurrizore
Zvarranikë pa shtyllë kurrizore,
që zvarriten për pushtet,
për famë e për një emër.
Gjakpirësa që nuk latë asgjë për këtë popull.
Ju, që çdo gjë e doni për vete,
e toka qan kur ju sheh si veproni,
ju që dhe oksigjenin për vete e doni.
Sa keq kur shqiptari shkel me këmbë shqiptarin,
e vëllai për një metër tokë vret vëllanë,
e kur gruaja shet nderin e saj e të familjes për epshe pafund;
te ju nuk paska ngelur më, as nder e as lumë.
Jeni kthyer në burracakë me filozofi të vjedhura,
ku vëzhgoni njeri-tjetrin, me zili të çjerra.
Po ne kemi gjuhën me të bukur në botë.
Kemi pasuri të panumërta, një paraardhës legjendar,
e ju sërish në mjerimin e errësirës po na çoni!
Kush jemi ne, sot??
Thjesht kalimtarë me valixhet ngarkuar,
për t’u larguar nga ai vend i dashur pa e mallkuar…
Ende ka shpresë se ai vend do të behet;
ndoshta nga disa prej nesh,
ndoshta nga pasardhësit tanë,
ndoshta një dritë do të ndizet në fund të tunelit
dhe dielli do të shkëlqejë si më parë.
Ju lutem, mendoni pozitivisht dhe hidheni një hap,
e mos harroni nga jeni,
as të parët tanë, ata që jetë na dhanë.
Please follow and like us: