Albspirit

Media/News/Publishing

Neviana Shehi: Koha e leximit

Po shkon dhe një ditë
dhe asnjë blerës
nuk është afruar
dhe bukinistit plak
i mbeti vështrimi në derë.

Poetë të mëdhenj
shkrimtarë të vetmuar
dhe një pluhur i rëndë makinash
që nxitojnë me poterë.

Është djegëse vapa
përzhitëse vetmia
dhe hapat indiferente
të njerëzve
që ecin
e turfullojnë.

Tregtarë
politikanë
gjimnazistë
dhe studentë
vetëm sa vendosin
një si buzëqeshje ironike
në cepin e majte te buzës
kur ndeshen sytë e kopertinave
dhe zhduken
ikin
i thith smogu
dhe zgavra e errët
e ngërdheshjeve të tyre
si gjeratore.

Eh koha e leximeve të tyre
ka kohë që ka vdekur
ose më mirë
për ta s’ka pasur kurrë kohë…

Fletët e librave shfletojnë vetveten
poetët shfryjnë nga bezdia
dhe nxjerrin revolverët e vetëvrasjes.

S’ia vlen të jetojnë tërë jetën të harruar
vetëm një njeri ndalet para tyre
pa kostum politikani
pa flokë me xhel dhe portret të kuruar
s’pyet kurrë për çmimet
ai është heshtja vete
nxjerr kartëmonedhën e vetme
që i ka kursyer gjithë këtë javë
blen dy tre libra që kishin ditë
të zhytura në pluhur dhe pasi
i vendos në një qese
i përkëdhel dhe niset i qetë.

Nesër ai do të kthehet patjetër
është një poet
i vjetër…

Please follow and like us: