Flamuri Kuq e Zi valon në Nju Jork në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
Nju Jork, 29 nëntor 2022 – Nju Jorku është veshur kuqezi dje teksa komuniteti shqiptar në Amerikë ka organizuar ceremoninë për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë.
Në një prej shesheve kryesore të Nju Jorkut, kryebashkiaku Eric Adams dhe kryetari i Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha kanë ngritur në mënyrë simbolike flamurin kuqezi.
Teksa mori fjalën në ceremoni kryebashkiaku Adams bëri simbolin e shqiponjës me duar, çka u pasua nga duartrokitje nga të ftuarit e pranishëm.
“Nuk mund të ishit këtu për një ceremoni të flamurit, pa ngritur edhe ne flamurin tonë. Aktualisht, djali im është në Shqipëri, për të performuar dhe treguar talentin e tij. Kështu që ai më ka bërë me dije që unë nuk jam i vetmi që kam talent”, tha qytetari i parë i Nju Jorkut.
“Çfarë komuniteti! Ky komunitet ka shumë rëndësi për mua. Mbështetja juaj, fokusi, disiplina, drejtuesit e bizneseve të vogla. Ju besoni tek siguria publike. Ju besoni tek familja, ju besoni tek arsimimi dhe ju besoni në patriotizmin që përqafon vendin ku keni ardhur, teksa doni vendin tuaj, Shqipërinë. i vetmi vend në botë që ju themi t’i përbaheni kulturës suaj teksa vini këtu dhe e shkrini atë me eksperiencën amerikane. Jam i lumtur që jam këtu me zëvendësin, komisionerin tim, zyrën e çështjeve të emigrimit, komisionerin tim të çështjeve ndërkombëtare, Komisionerin Mermanstein dhe ne duam gjithashtu të vlerësojmë ambasadorin e Shqipërisë këtu znj. Faber. Mirësevini në kryeqytetin shqiptar të Amerikës. Jemi krenarë që kemi popullatën më të madhe shqiptare jashtë Shqipërisë”, u shpreh kryebashkiaku Adams.
Gjatë ceremonisë Adams ka marrë si dhuratë nga kryetari i “Vatrës” edhe një pikturë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe një portret të Nënë Terezës.
Të ftuar specialë në këtë ceremoni që mblodhi personalitete shqiptare me kontribute në komunitetin shqiptar në SHBA, ishin edhe presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu dhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Një ditë më parë Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi me titullin “Mirënjohje”, Presidentin e “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu në një ceremoni të zhvilluar në Nju Jork me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.
Aktiviteti i zhvilluar nga shoqata Vatra mblodhi me dhjetëra personalitete dhe figura me kontribut në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në 110 vjetorin e Pavarësisë kombëtare nderon me Mirënjohje z. Irfan Hysenbelliu për kontributin e dhënë në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, për ngritjen e nivelit dhe platformës mediatike dhe asaj edukative në mbarë Shqipëri dhe më gjerë, duke qenë kurdoherë një promotor i fuqishëm i vlerave më të larta të kombit shqiptar”, thuhet në vlerësimin e kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha.