Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: Lunatik (1)

 

LUCKY

E ndeza sonte një Lucky,

mes tymit të saj kërkoja fat,

duke e pirë diçka po prisja,

Lucky po shuhej pak nga pak.

 

Më shumë e doja, më shpejt po shkonte,

cigarja që sot e mora për fat.

Më iku shpejt në gishta pa kuptuar,

më ndezi dhe u shua, ashtu pak nga pak.

 

ÇIFTI IDEAL

Luaneshës ia mbron supet vetëm një luan

dhe ai prehjen e gjen vetëm në gjoksin e saj.

Asnjë maçok luaneshës forcën nuk ia mban,

qetësinë luanit asnjë mace nuk ia fal.

 

DREJTËSI

Të qenurit i drejtë

mund ta ketë shpërblimin e vonuar,

por kurrë të mohuar.

 

MIDIS MËRZISË DHE GËZIMIT

Ndodhi të bardhën ditë,

ra mbi mua hije e zezë,

më kaploi një mërzi

dhe nuk di si ta përze.

Mu trondit gjithçka që kam,

frikë dyshim më mbuluan,

ra mbi zemër hije e zezë,

befas diçka mu kujtua:

Sprovat vijnë sipas vlerës

këshu ka thënë i madhi Zot,

gjersa vuan shpejt pastrohesh,

do largohet çdo pikë lot,

shpejt do qeshësh, lumturohesh,

gëzim për ty është përgatitur,

nëse sprovat s’mi dha jeta,

 

paqen si ta kem arritur?!

Hijet e zeza-ditët e bardha,

njëra-tjetrën do pasojnë,

drita kurrë s’do jetë e fortë

nëse errësirës s’i besojmë.

Ndaj do lutem edhe sot

nga trishtimi pa harruar,

i gëzohem çdo mërzie,

Zoti vlerën ma ka shtuar.

 

E BRENDSHMJA

DIÇKA e brendshme të tregon se kur të heqësh

dorë dhe kur të vazhdosh të luftosh për një qëllim.

AJO nuk dështon asnjëherë.

 

GRA & BURRA

Burrat e përulur dhe gratë kryelarta

po krijojnë çdo ditë familje të mbrapshta,

modernizëm e quajnë në formë metafore,

kush dreqin e shpiku barazinë gjinore?!

Nuk e dua veten kurrë të barabartë

me krijesën që Zoti për burrë i dha hak,

dua të prehem të kem ku gjej qetësi

kur ta mbështes kokën në shpatullën e tij.

Dhe kur ta derdh lotin dhimbjen të ma mbajë,

jo unë dredh duhanin ai tek unë të qajë.

S’ka më të shëmtuar se kur ngatërrojnë gjinitë,

gruaja bën trimen burri përpëlit sytë.

Do rri në zanafillë si është krijuar,

unë ëmbëlsia e tij, ai forca për mua.

 

AI E DI

Zoti di çfarë bën

dhe unë përqafoj

çdo gjë Ai më sjell.

Zoti di çfarë heq,

ndaj unë i përulem

dhe kur diçka ma merr.

 

VJEHRRËS

As nuk më njeh as nuk të njoh

dhe mezi pres të të takoj,

e di gjithmonë në mesin tonë

një dashuri do të qëndrojë.

Yt bir që ti frymën i fale,

e bëre burrë nga një grusht fëmijë

dhe sapo mua t’më ketë në krahë,

të ktheu shpinën do thuash ti.

Një lojë e fortë do nisë mes nesh

kush për vëmendje kush për dashuri,

herë do qeshim vesh më vesh

herë s’do shihemi dot më sy.

Askush s’do dijë zemrat tona,

të zgjuara jemi unë dhe ti,

do fshehim bukur çdo emocion

për hir të djalit në shtëpi.

Që sot mendoj a do më duash,

e di me frikë dhe ti më pret,

por sidoqofsh o vjehrra ime

të dua për atë që kemi në mes.

Të dua që të voglin tënd

e rrite për mua e bëre burrë,

zemërbardhë, kokën plot mend,

ndali tek unë e s’iku më kurrë.

Çdo djalë do zgjedhë për fëmijët e tij

një grua që nënën do i kujtojë,

ndaj thellë e dimë dhe unë e ti

që ne të dyja jemi njësoj.

 

Nga bota ne ndryshe do bëjmë,

të duhemi ende pa u takuar.

E dimë gjithmonë në mesin tonë

një dashuri ka për të qëndruar.

 

GABIM

Të del jeta para syve

dhe kthen kokën mos ta shohësh,

numëron gabimet tua

thonë ç’do mbjellësh dhe do korrësh.

Por nuk doja këtë fryt,

pse ma keni ngatërruar?!

Farën duket paskam gabuar…

 

FUNDI

Vetëm kur bie poshtë

sytë drejt majës do i ngresh,

rrugën e suksesit vetëm nga fundi do e gjesh.

Gjendja mesatare ambicien ta masakron,

ndaj unë bekoj Zotin sa herë në fund më çon.

 

FOTOGRAFIA

Në foto mos më shih duke qeshur,

se foto është një sekond momental,

brenda shpirtit mund të jem e tretur

dhe në foto duke qeshur dal.

Ka mijëra gënjeshtra në foton time,

aq shumë sa ti dot nuk i kupton,

fiksoj momentin e bukur pa gabime,

çasti i shkrepur gjithë dhimbjen harron.

Dhe kështu gënjejmë njëri-tjetrin pa faj

se fajtori nuk jemi as unë e as ti,

është foto që kapi të bukurin detaj

dhe pas fshehu gjithë atë zymtësi.

Ti nuk do e dish sa e trishtë unë isha,

unë nuk do e di që t’më kuptoje nuk dije,

në shtigje të gabuara do humbim të dy

dhe faji do i mbetet një fotografie.

 

ME, MYSELF & I

Në jetë çdo brengë kalon,

por kur njeriu e kupton këtë

ka kaluar vetë jeta.

Me fat është ai që në kohë e pranon

se pas gjithçkaje dhe kujtdo,

në fund mbetesh ti dhe vetja.

 

SIKUR TË ISHA DJALË…

Sikur të isha djalë me vajzën nuk do të luaja

që zemrën ma falte dhuratë të paçmim,

e nëse do më duhej doemos të paguaja,

do jepja symbyllur, pa frikë shpirtin tim.

Sikur të isha djalë me të s’do bëja shaka,

e lagu-s’e lagu, s’do kisha dykuptim,

dashuria e vajzës që pa kushte mu dha

do kthehej dhjetëfish, gjer në vetëmohim.

Sikur të isha djalë do më peshonte fjala,

çfarë me zë do thoja, me vepra shkelja kurrë.

Djalë sikur të isha do më thonin Zotëri Dea,

dhe jo s’do isha djalë. Unë do isha Burrë!

 

DORËHEQJA

Gjithmonë se si të mos dorëzohesh kemi dëgjuar,

se drejt ëndrrës tënde gjithmonë duhet luftuar.

Dorë se si të heqim nuk na mësoi askush,

ka raste dorëheqja dhe më shumë të mbush.

Të mbush me siguri, forcë dhe besim,

ajo që ka ikur nuk ishte fati im,

ajo që dot s’e mora s’ishte shkruar për mua

edhe pse pafund për të kam luftuar.

Kam luftuar gjer’ në lodhje, sfilitje, vetëmohim,

kam shkelur mbi krenari, tharë shpirtin tim.

Ta provojmë dhe sot, ne nuk heqim dorë,

vetes i flisja darkave, gjumë s’kishte në dhomë.

Gjumë s’kishte në dhomë, natën e as ditën,

dëshira për të fituar mposhtte edhe frikën,

se ndoshta në jetë mund dhe mos ta kisha…

Jo, kjo s’bëhej fjalë, e fituar do isha.

E fituar do isha veten e gënjeja

dhe mes atyre gënjeshtrave forcë për luftë gjeja.

Ku ta dija unë si ikte e keqja,

në jetë ndonjëherë vlen edhe dorëheqja.

 

UDHËTIM

Do bëj gati një valixhe,

pak gjëra, ndoshta dhe hiç,

e do nisem nëpër shtigje

ku nuk njoh asnjë njeri.

 

MOS MË FLISNI

Mos më flisni për dashurinë

ju që për të s’keni luftuar,

çfarë në jetë lehtë vijnë

thuhet shpejt kanë për t’ju shkuar.

As mos më flisni për ndjenja të forta,

nëse pritjen s’e keni provuar,

mbi vetmi të të shembet bota

ditët duke numëruar.

Për fillimin e ri s’ka si t’më flisni,

dashuria e vërtetë nuk është një cikël,

zemrën nga trupi nuk mund ta hiqni

dhe t’ia filloni një të ri kapitull.

Dashuria e madhe nuk ka fund,

dhe fillim mos pastë ajo nuk mbaron.

 

Dashuria e vërtetë është e gjitha një rrugë,

pa një start, pa destinacion.

Dhe nëse me krahë nuk e arrini dot,

përqafojeni mes lutjesh shtrënguar,

por mos u gënjeni se hiqni dorë…

Mos më flisni kush s’e ka provuar!

 

SHKAKPASOJA

Shkakun e secilës pasojë duhet ta kërkojmë mbi

veten,

pesha për çdo përfundim vetëm mbi ne bie.

Si përshembull luftojmë për gjëra materiale gjithë

jetën

dhe s’shohim shpirtin që po vdes urie.

 

KAFJA E MËNGJESIT

Tavolina e mëngjesit tim ka vetëm një filxhan

dhe kjo jo pa shkak, jo pa arsye,

por se nuk gjen në botë anembanë

një mik si veten, besnik fund e krye.

Mëngjeset nuk munden dot t’mi rrëmbejnë,

qetësia e tyre më tregoi thelbin e jetës,

se tej familjes pak nuk do të zhgënjejnë

dhe lumturia është e atyre që i mjaftojnë vetvetes.

 

DËGJO SHPIRTIN

Jam larguar shumë herë nga gjëra dukshëm të

mira,

ashtu siç kam rendur pandalur drejt shtigjeve të

vështira.

Asgjë s’të jep më shumë lumturi në botë,

sesa kur nuk heq dorë nga çfarë shpirti të thotë.

 

 

Please follow and like us: