Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: Lunatik (3)

 

 

 

PARADOKS

Kam parë aq sa nuk dua më të shoh,

kam parë dikur, njëjtë vazhdon çdo ditë,

në foto duke parë shalë, gjokse dhe vithe,

gjithë kjo përdredhje më ka lodhur sytë.

Nga vajza të shkreta, aq munden të bëjnë,

në fotot e tyre veç lakuriqësi sheh,

dhe krejt papritur e pa u turpëruar

ankohen që burrat i duan veç për sex.

Në anën tjetër i indinjuar është një djalë,

 

që orën nga çdo kënd fotografon mbi timon,

qahet dhe ky për jetën si i marrë:

“S’ka dashuri, vetëm lek kërkojnë.”

Gabojnë vajzat, rëndë dhe djemtë gabojnë,

të mjerët s’e dinë thelbin e jetës,

se njeriu do të dojë për atë që ti ofron,

mëso tu japësh shpirtin, të të duan zemrën.

 

SHKËMBIM HYJNOR

Nëse vazhdon i beson Zotit

dhe kur asnjë shpresë nuk ta jep,

Ai do të shfaqë bekimin e tij

kur ti më pak e pret.

 

NË DASHURI NUK DEL LLOGARIA

Dashuri është mos ta kesh dhe prapë ta duash,

dashuri është sa herë ta shohësh të të dridhen

duart

dhe edhe nëse ka ikur prapë t’i thuash po të pres.

Po të dolën llogaritë s’është dashuri, është biznes.

 

E VËRTETA

Po s’qe pa kushte dhe përgjithmonë

nuk është dashuri e vërtetë,

në gjithçka mund të kesh kontroll,

por jo në ndjenjën që të jep jetë.

S’e kupton ç’ndjesi është kjo

kush mbi supe s’e ka provuar,

të ketë ngecur tek dikush

kokë e këmbë dashuruar.

S’e kupton as njeriu vetë

gjersa fryma t’i ketë shkuar,

të qëndrojë lart me retë

e në çast të jetë rrëzuar.

 

VEGIM

Më fal që të desha aq shumë,

të thashë nga vetja asnjë çast nuk të ndaj.

Më fal që të mora me vete kudo,

nga cepi në cep, nga skaji në skaj.

 

Më fal që çdo ditë të zgjoja herët

dhe kafen e mëngjesit e pinim të dy,

ti gjithmonë ke dashur zgjimet e vona,

por dita ndryshe nuk niste pa ty.

Më fal për mbrëmjet pse shtriheshim shpejt

dhe kokën mbështesja tek gjoksi yt,

për mua nata ishte e shenjtë,

askush s’e zgjonte përjetimin tim.

Të lutem ti më fal çdo herë,

të mbajta peng të kësaj jete.

Por unë ty s’do ta fal kurrë,

që fund e krye një vegim mbete.

 

MONOLOG 30 +

Nësë jeta s’të jep njeriun që do,

duhet doemos të marrrësh atë që duhet?

Këtë botë kalimtare mund dhe vetëm ta jetosh,

vdiq i martuar a beqar, mbi varr nuk shkruhet.

Jeta pas vdekjes është përjetësi,

atje padyshim do keni njeriun që doni,

jo më kot beqaria nuk dënohet me ligj,

ndaj pa dashuri më mirë vetëm jetoni.

 

ZOTI

Pushtet i frikshëm besimi në Zot,

bindja që çdo gjë është planifikuar nga Ai,

dhe s’ndodh asgjë në qiell a në tokë,

që robi ta kalojë e Zoti mos ta dijë.

 

DRITË QIELLI

Bekuar qoftë Zoti,

Ai që nuk ndaloi së më treguari që ekziston asnjë

ditë

dhe në kohën kur unë rob i tij gaboja,

ma mbushi rrugën plot dritë.

 

ME DETIN

Tani që ty s’të kam të të dua,

do dashuroj dallgën që mbi shkëmb troket,

të bëjë zhurmë ajo po vjen,

me detin flas mos të jem vetë.

Dhe nëse kurrë s’do vish të të dua,

diellit do i marr gjithë ngrohtësinë,

që trupi yt nuk ma dha

se dashurinë e kishe të vështirë.

Mos të paça kurrë në përqafim

me erën krahët do i thur,

e di që furishëm fytyrën do ma puthë

ashtu si ti nuk bëre kurrë.

Dhe kur nata mbi ne të bjerë,

prania jote më nuk do mungojë.

Pa ty unë s’do jem e mjerë,

pa ty jetën do dashuroj.

 

PANTERA

Pantera nuk ndalon sa herë buçet lehin,

madje atëherë karvani ecën më shpejt përpara.

Poshtë i sheh shpifjet tek i ngrehin

dhe nga maja e bën jetën si në përralla.

 

KËNGË E VJETËR POPULLORE

Thonë se gënjeshtra këmbët e shkurtra i ka

dhe se shpejt e vërteta del në shesh.

Për çudi këmbët askush nuk ia pa,

për çudi e vërteta doli një dreq.

Thonë se ai që flet shumë di më së paku,

por kush e dëgjoi atë që nuk flet?

Se kur budallait thonë hapi rrugë,

të hypën mbi shpinë për njëqind vjet.

Thonë se kush lyp shumë humb dhe atë që ka.

Kush nuk lypi kurrë, të drejtën kush ia dha?

Se sot nga goja kafshatën ta marrin,

e presin tu thuash: “Tu bëftë gjak e dhjamë”.

Thonë se marrja me marre nuk lahet,

por marrja sot është kthyer në refren,

se i drejti duron, lufton, vështirë fiton

dhe i poshtri fitoren nga duart ta merr.

 

PAFUNDËSI

Edhe qiellin e kam lodhur duke i folur për atë

edhe pse mban pafundësi nën vete.

Përpara dashurisë dhe qielli nuk bën zë

dhe pse nën vete mbart male dhe dete.

 

SI GJITHMONË

Në fillim ti jepesh fort,

mendon se gjete gjithçka ke kërkuar.

Më pas fillojnë të të zhgënjejnë,

nuk të japin asgjë ke dëshiruar.

Më tej ti nis të tërhiqesh,

më mirë larg se me zemrën e copëtuar.

Dhe pikërisht atëherë kthehen

me akuza se s’je siç të kanë menduar.

 

LIRI DHE PRANGA

Ka të burgosur të lirë e kanë mendjen

dhe shpirtin e shpien në shtigje anembanë,

siç ka jashtë hekurave me pranga lidhur zemrën

dhe një gjyq për lirinë hapur nuk e kanë.

 

CHEERS

Pas çdo gruaje të fortë qëndron Zoti,

asnjë burrë, asnjë legen,

që forcën në pjatë ta ofron,

por rishtaz me të një tjetër ushqen.

Në ka pushtet një grua e fortë,

nuk ia dha gratis askush,

e ka të blerë me djersë e lot

dhe sot me to gotat i mbush.

Tek mbush gotën mbi një banak

afrohet vrullshëm i rradhës katil,

në zjarrin që ajo ka ndezur flakë,

ai do të jetë një tjetër kandil.

Të nisi kështu e re një histori,

fjalët vërshojnë, në ajër hidhen,

njëmijë herë zemrën t’ia thyejnë

njëmijë e një do dijë të ngrihet.

 

T’I SHKRUAJ?!

Dua t’i shkruaj,

telefonin marr në duar,

t’i them që mbi gjithçka e dua,

t’i tregoj se çdo natë që pa të kalon,

peshon më shumë

në shpirt rëndon.

Sonte dua t’i shkruaj,

mjaft nuk mban më.

Ta shohë si përhumbem në mendime,

kur sytë i mbyll dhe ndiej aromën

dhe vjen e fle në zemrën time,

e unë të shoh…

Dua të të shkruaj,

por ti po fle në gjumin tim

dhe unë orët numëroj.

Nuk kam ç’të bëj,

nuk ta them dot, s’ta shkruaj dot…

Sa shumë sot ti po mungon.

 

DASHURIA NUK ËSHTË E VERBËR

Zemrën asgjë nuk e komandon dot,

jo më kot dashurisë i thonë e verbër.

Por zemra ka pamjen më të qartë në botë

ndaj sytë e saj veç tij nuk shohin tjetër.

 

PËRJETËSI

Nëse diçka e kërkon me mish e me shpirt

dhe jeta vonon të ta sjellë,

nuk do të thotë që s’do ta kesh kurrë,

por falë asaj pritje ajo merr tjetër vlerë.

Atë të përjetësisë…

 

RRËMUJË

Qëllimi justifikon mjetin

nuk do të thotë të përdorësh çdo mjet pa kontroll,

mjetet duhen futur doemos në një filtër

nisur se për cilin qëllim i përdor.

Pas mjeteve të pista mos u fshih asnjëherë

dhe të presësh qëllimet në fund të kenë vlerë.

Jeta në thelb është një enë ku ti gatuan

e ndonjë erzë gjatë rrugës dhe të tjerë ta shtuan,

por pasojat janë tuat se ç’del nga ky kombinim,

ndaj kujdes mjetet që përdor për një qëllim.

Në enën tënde askush s’duhet të japë shije,

pjata jote emrin tënd mban fund e krye.

Në jetën tënde askush piper nuk hedh dot,

nëse enën me sherbet e ke të mbushur plot.

Në jetën tënde mjetet le t’i justifikojë qëllimi,

por kurrë mos t’ju dalë qëllimi nga arsyetimi.

Please follow and like us: