Dea Toçi: Lunatik (4)
HIMN DASHURISË
Dashuria e vërtetë vjen jashtë planifikimeve,
rrëmben të tashmen dhe ty pa kuptuar,
është ajo që fshin çdo gjurmë të së shkuarës
dhe shpirtit i jep gjysmën e munguar.
Nuk ka formulë se si ta kërkosh,
nga skaji në skaj më kot mund të endesh,
më shumë se kurrë ta ndjesh shpirtin bosh
dhe krejt papritur mbi re ta gjesh veten.
Të ndiej ashtu si asnjëherë më parë,
me ty ashtu siç ti kurrë nuk ke menduar,
të dua përgjithmonë e vdekur dhe e gjallë,
mbi veten, mbi botën, për ty e betuar.
Je ti dhe jeta kuptim merr çdo kohë,
zgjidhjen e çdo sfide vetëm tek ti e gjej,
as pritja nuk dhemb se kthehesh e shëron,
me ty nis mëngjeset, me ty netët flej.
Për ty dua të shkruaj, flas kudo të jem,
por ndjenja që jep, fjalëve i shkon përtej,
shkronjë s’ka alfabeti që vlerën ty ta gjen
dhe unë si të ta shpreh, mënyrë dot nuk gjej.
Me dorën tënde pranë, jam plot siguri,
ndryshe vlerë s’ka asgjë e kësaj bote.
Asgjë dot s’e mposht shpirtin që fle tek ti
pasuria ime e madhe mbetet ndjenja jote.
Ty të kam dashur për kaq shumë kohë
prej kur të njoha a ndoshta dhe më parë,
në mendjen time je sot e përgjithmonë.
Dhe në fund të kësaj… Mos thoni je e marrë!
FALAS
Njerëzit dinë të kërkojnë, aspak të japin,
ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes
egoistë të pashpresë,
harrojnë se në jetë s’duhet ndalur vrapi
nga mëngjesi në mëngjes,
falas jeta s’jep gjësend.
Dhe n’e paç marrë diçka pa mund
ashtu do shkojë pa e kuptuar.
Jeta me dredhi krahët t’i shkund,
por kur për diçka fort ke luftuar,
do dish ta mbrosh me shpirt,
me zemër,
me krahët shtrënguar.
QËLLIM SHPIRTI
Kur shpirti ka një dëshirë dhe ti e kthen në qëllim,
vëmendjen nuk ta merr tjetër gjë në jetë,
lutjet dhe energjitë t’i kesh në atë drejtim,
e jotja do të bëhet, shpirti nuk zhgënjen.
ÇIFT
Zoti kur krijoi botën çdo gjë e bëri çift,
ç’ka mbin mbi tokë e ç’ka ka nën të,
malin përballë detit, tokën kundrejt qiellit,
përballë do jenë dy gjysma, e gjitha bën Një.
Dritës së diellit i dha errësirën e hënës,
jetës i solli vdekjen, Kisha dhe Xhamia,
portretin e babait me figurën e nënës,
parajsës i dha ferrin, përballë dhe këto të dyja.
Gjithçka e bëri çift, paralel a në të kundërt,
gjithçka ka dualitet, antitezë a sinonim,
ndaj dhe nuk e kuptoj si është e mundur,
në gjithë këto krijime, pse bëj përjashtim?!
FANSE E DASHURISË
Gjithmonë fanse e dashurisë do jem,
e ndjenjës më të bukur në botë,
asaj që jetën sjell.
Dashuroni një hije, një vegim
mundeni dhe një ëndërr,
nëse dashuria juaj pa emër ka mbetur,
por kurrë mos e lini zemrën pa rrahur
me ritmin e dashurisë,
sepse një zemër e tillë, ka vdekur.
KUJTIM
Ajo që doni por nuk e keni,
nga ajo që nuk doni por e keni,
nuk mund të jetë e zëvendësuar.
Më mirë të jetosh me një kujtim të bukur
sesa me një prani të shëmtuar.
LUFTO
Kur ke për çfarë lufton,
lufta është gjëja më e paqtë,
asgjë më shumë lumturi nuk të jep
se kur bie e ngrihesh prapë.
Provoni lini shpirtin pa betejë,
humbjen s’do ta provojë
por forcën kurrë s’do ta gjejë.
Duajini sfidat në jetë
dhe gjithë pasojat që ato krijuan,
aftësinë shoferët e zotë,
në rrugë me kthesa e treguan.
101 ARSYE
Dritën tënde askush s’ka për ta fikur!
Njeriu që Zoti për ju e ka të shkruar,
njëqind arsye të ketë për të ikur,
njëqind e një do gjejë për të qëndruar.
MIRË SE ERDHE
Mirë se erdhe,
ti që Zoti të krijoi për mua
dhe mirë e di, s’do kesh nevojë për manual.
Pse me askënd më parë nuk funksionoi,
e kuptoj sot që të kam përballë.
DIMËR
As sonte të të prek nuk vij dot
sepse ti urren të kesh ftohtë.
Më le jashtë dritares dhe shtrihesh të flesh,
unë me erën dot nuk të prek.
I lutem Zotit ta bëjë furtunë,
bashkë me shiun të futem dhe unë.
Mos e mbyll dritaren, lëre të ulërasë,
dimri dhe unë, që të dua pamasë.
AMBICIE
Asnjë moment nuk u ndala,
renda pas ambicies,
më shumë arritje
para edhe më shumë.
Kur thashë tani do jetoj,
më s’mu deshën…
E thinjur isha unë.
SHENJAT
Në jetë do hasim shenja pafund,
gjithmonë është diçka ku të shkojmë të na tregojë,
në gropë një shenjë që e keqja mos të na mundë,
në majë një tjetër – e mira mos t’na verbojë.
Ka nga ata që jeta i zhyt,
e në fundin e saj frymën humbasin,
ka të tjerë që fundi i rrit
ndaj rëndesën në të edhe më shumë e zgjasin.
Universi do të japë shenja pafund,
kurrë mos i shmang, kurrë mos i shpërfill
dhe nëse jeta të zhyt pa mëshirë në fund,
ta jep gjithmonë shenjën për tu kapur tek një fill.
Ai është filli që s’të le të mbytesh,
jo çdokush e sheh, kushdo s’e kupton dot.
Bekuar është shenja që merr në prag të zhytjes,
asgjë s’të ka bërë, veçse më të fortë.
BESIM
Sa më poshtë t’më zhytë jeta
aq më shumë do qeshja,
e di se Zoti besimin do jetë duke më testuar.
Ditën kur jetës t’i marr gjithçka desha,
do bekoj çdo sprovë që zemrën ma ka pastruar.
ZEMRËS SË FTOHTË
Ti je fshehtësia më e bukur e imja,
emri që nga goja ime nuk doli asnjëherë
dhe pse për ty dhe malet kanë dëgjuar,
akujt në dimër, lulet në pranverë.
I kam folur çdo ylli, i flisja dhe malit,
sa herë ndjenjën s’ia shprehja dot atij,
qiellin e lusja t’i ngrohte zemrën djalit
që timen e dogji në shkrumb e hi.
E gjithë ndjenja ime u ngri në kotësi,
në akullin tënd nuk mund të frymoj.
Më thoni se tani as vetë më nuk di,
kujt kurrë s’ka dashuruar, si t’ia shpjegoj?!
DESTINACION
Mos u falni perëndimet
njerëzve që do ikin me agimin,
kush nuk t’i mbyll sytë në mbrëmje
me ty nuk e meriton zgjimin.
Askujt mos iu ndal
tek i rradhës stacion,
nëse në fund të udhëtimit
s’të ka destinacion.
MUNDËSI E RE
Ne nuk e kuptojmë se,
pamundësia për tu kthyer pas
sa herë në vend kemi ngecur,
s’është tjetër gjë veçse një mundësi që jepet
para për të ecur.
GJYSËM PLOT APO GJYSËM BOSH?
Më pyesin, si e sheh gotën
gjysëm bosh apo gjysëm plot?
Por rëndësi ka që përpara e kam një gotë,
me shije e pi dhe e paguaj me para,
sa njerëzve në botë jeta si mundësi nuk ua dha.
Për gotën që ke falendero Zotin sa të rrosh,
s’ka fare rëndësi gjysëm plot a gjysëm bosh.
MESI I ARTË
E ndoqëm njëri-tjetrin për çdo ditë nga pak,
unë nga e majta, ti dilje në të djathtë,
nga krenari absurde të dy ne harruam,
në mesin e artë të ndalnim për tu takuar.
SHTËPIA IME
Thonë është gjuha më e sinqertë në botë,
ndaj kur më mbarojnë fjalët i flas me sy
dhe edhe në mos më kuptoftë dot,
unë në sytë e tij gjej të vetmen shtëpi.
DUHET
Puno të djelën sot,
të pushosh të hënën mot.
ËNDËRR
Pritëm sonte, në ëndërr do të vij.
Diçka më e fortë me ty më lidh,
përtej asaj të prekshmes
ku fshihet gjithësi…
Post Scriptum: Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.