Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare dhe të tjerë për Shuteriqin, pa njerëzit e shpërdoruar nga sistemi i kaluar

Ismail Kadare: Mjeshtër i fjalës dhe Diogjen i qytetërimit shqiptar, titan i punës dhe euridit, Mësues i Popullit dhe Akademik, ky është portreti intelektual, atdhetar dhe qytetar i Dhimitër Shuteriqit. Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një ‘zë të vogël’ pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që u përket dy kohërave.

Jorgo Bulo: Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një “zë të vogël” pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që u përket dy kohërave

Gazeta “Vatra” 24 shtator 1946, nga Spartakus (Andrea Varfi)

Nota e Shuteriqit, e re për veshët e shqiptarit, harmonike dhe njëkohësisht e ashpër, e ëmbël dhe burrnore na bën të ndjejmë emocionin artistik po më shumë na bën të mendojmë.

Revista “Bota e re” 15 nëntor nr. 16, 1936, nga Dhimitër Fallo, për librin “Kangë” të Shuteriqit

“Kangë” e Dhimitër SHuteriqit me gjithë ç’mendojnë disa të tjerë, unë vazhdoj të besoj në talentin poetik të Shuteriqit. Teknika e tij është një gjë e re në poezinë e gjersotme shqiptare dhe mbase për këtë çudit. Edhe mendimi i tij është për të vënë re. Kush shkruan, nuk do të mungojë të kthehet më gjërë në poezinë e Shuteriqit.

“Illyria” 7 dhjetor 1936, nga Vangjo Nervana mbi “Kangët e rinisë së parë”

Na thonë se Dhimitër Shuteriqi qenka një djalë i ri aty në Korçë. Parvjet na dha një tufë vjersha me titullin “Kangët e rinisë së parë”. Tani vonë ka shtypur ndo 20 vjersha me titullin “Kangë”. Të mos kesh vënë asnjë pikëpyetje zoti Shuteriqi, të tuat janë këngë, këngë apo ligjërime të fajshme që prekin thellë atë që ndjen… Vjershë e kulluar e një të riu që premton shumë për neve dhe sidomos në këtë ataraksi shpirtnore të tmerrshme që na ka mbuluar nga çdo anë. Po sulmi me drithë nuk ndalet. Vyrtyti i shpirtit tonë do të shprehet herë me gojën e Lazgushit, herë me të Koliqit, herë me të Nologusit (Anton Logoreci) e herë me të Shuteriqit… Kështu të ngre edhe Shuteriqi me vjershën e tij kristaline, por të ngrohtë dhe të dashur. Edhe pse s’e njohim afrazi, e përgëzojmë këtë djalë të ri që ka tru në kokë e zjarr në zemër. Ky është padyshim një vlerë për këtë brez.

“Arbënia”, e mërkurë 23 shtator 1936, nga Om (Ismet Toto) mbi “Kangë?”

Na ra në dorë kjo përmbledhje vjershash e të riut liceist Dhimitër S. Shuteriqi. U fol mjaft për këtë libër në shtypin kombëtar, prandaj e gjejmë të tepërt të bisedojmë që mos përsëritim lavdërimet e merituara. E përgëzojmë këtë poet të ri të cilin një e ardhme glorioze e pret në fushën letrare. Për të ilustruar këtë reçenzije të vogël po nxjerrim një poezi nga kjo përmbjedhje:

DHUNTI

Po thur, i Zanë e ambël, nji kunorë

dafinash gjithë njomshti dhe t’dashme erë;

ti merre e çoja vashës, qi nji herë

s’më harron zemra, me ktë t’njomën dorë.

Në mos e dashtë, m’i thuëj-o se i kam

thurë

nji tjetër, thurë me zemër, jo me duar.

Kunorë plot madhështi dhe plot shkëlqim

kam thurë, po mbi farë gjaje ajo nuk

mbahet;

as duket e as prekes; copash s’dahet;

për t’bukur nuk ka shoqe n’rruzullim.

Veç zemra n’jetë, i thuëj mund ta

kuptojë;

se plot nji zemër t’gjanë ajo kushtoi.

Revista “Ushëtima”, Organ i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Rumani, viti i parë, maj 1936, nga Janko Peci mbi “Kangët e rinisë së parë” prej Dhimitër S. Shuteriqi

 

Please follow and like us: