Ambra Hysa: Festojmë me të kuqen!
Etyd
Mbyllni sytë dhe imagjinoni ngjyrën e kuqe. Më pas, mendoni për emocionet që shkojnë me këtë ngjyrë. Ju mund të mendoni për dashurinë ose zemërimin, potencialisht edhe për urrejtjen ose pasionin. Njerëzit i lidhin lehtësisht ngjyrat me emocionet. E kuqja duket se i ka të gjitha emocionet brenda saj, ka kufirin e hollë i cili ndan dashurinë me urrejtjen. E kuqja gjendet në zemër, në gjak, në trëndafila… është simbol gjallërie dhe simbol jete. Kryefjala e ditëve që lamë pas, kuq e zi! Flamuri ynë me bazë të kuqe si gjaku. E kuqja është festive, ftuese, e gjallë, e dashur, e guximshme. Nuk mund ta imagjinosh të mërzitesh me ngjyrën e kuqe, do të ishte sikur të mërzitesh me njeriun që dashuron. Cila është ngjyra më e bukur në botë? Është padyshim ajo që duket më bukur tek ti! Ama e kuqja nuk refuzohet, para fuqisë së saj ne dorëzohemi, gjithçka përballë saj duket e zbehtë, gjithçka krahas saj merr jetë.
Ne festojmë me të kuqen. Na i ndez zemrat, shpresën, dashurinë për jetën. Ngjyra e dashurisë dhe ngjyra e festës, shpirti i të gëzuarit, i të qënurit plot me veten, me jetën, të dashuruar marrëzisht pas saj, të gjithë sytë mbi të!
Vajzat dhe gratë i lyejnë buzët e kuqe në momente të veçanta, dhurojmë trëndafila të kuq për data të shënuara, veshim pulovra të kuqe dhe mbështjellim dhurata në paketime me po të njëjtën ngjyrë, gjatë atmosferës së festave.
E duam të kuqen.Një grimcë pasioni dhe gëzimi fëminor fshihet pas saj.
Është një dozë lumturie, është sekreti i festave!
Dhe ne na mbetet veç të shijojmë magjinë e saj dhe të mirëpresim periudhën më të bukur të vitit, me të gjithë festat që po afrojnë, ku e kuqja është dhe do të mbetet kryefjalë.
Please follow and like us: