Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

DRITARJA E REVE
Nga dritarja e reve
Lulet i pashë si pulla të ylberit
Detin si pasqyrë e Borëbardhës
Pyllin si piktura me lisa
Arat si fletore me katrore bari
Lumi vijë e kaltër stilografi
Kur zbrita me ashensorin e plepit
Lulet më falën aromën
Deti më ftoi te bregu
Pylli më fali freskinë
Arat më bën zog të kaltërsive
Lumi më mori për dore
Deri te dera e vjershës
NGA DUART E MIA
Nga duart e mia
fluturojnë pëllumbat
faqeve të lulëzuara
pikturojnë pranverën
Fëmijëve ua lënë
nga një melodi
dritareve të diellit
Merre ti pjesën tënde
e nisu kah unë
ta puth qepallën e karafiltë.
PËR TY
Ti i kërkon yjet
Si mollët i vjel
Degëve të qiellit
Për këmishën tënde
Ti e kërkon hënën me republikë
Në dritare vjen
Për ty
Me trotinetin e harabelit
Ngul këmbë
Detin e dua, detin
Me guaca e valë
Ta sjell në shishe
Çdo gjë bëj për ty
Kaprolli im i vogël
Vetëm zogun që këndon
S‘mund ta sjell
Zogun e kaltër
Liria e tij është qielli.
Please follow and like us: