Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Virion Graçi sulmon botuesin e tij…

Një shkrimtar Virion Graçi sulmon botuesin e tij.
Një botues, Bujar Hudhri, mbrohet se po e sulmon shkrimtari i tij.
Cili është objekti i sherrit? Shkrimtari ankohet pse nuk ia afishon librat në panair botuesi i tij.
Botuesi i përgjigjet: ti, o shkrimtar Virion Graçi nuk ke lexues. Librat nuk të shiten. Unë kam shpenzuar për ty që nuk sjell përfitime financiare në treg.
Kjo domosdo është fyerje për një shkrimtar që ka një karrierë mbi 30-vjeçare në botime. I vlerësuar nga opinioni krijues ky shkrimtar dhe me botime dhe të përkthyera në gjuhë të huaja.
Por botuesi i tij mirëbërës i thotë ke vlerën zero më treg.
Kjo është e hidhur. E gëlltit dot këtë kokërr helmi një shkrimtar “i madh” si Virion Graçi?
Shpërthimet e shkrimtarit janë emocionale, aspak etike, mosmirënjohëse, madje të shpifura, të pajustifikuara nga asnjë kategori e arsyes, veç prej ndonjërit që ka dalë nga binarët… dhe këtë nuk ia ka borxh asnjeri.
Virion Graçi është edhe studiues. Cili është statusi real i tij? Nga profesioni është studiues. Atëherë i bie që letërsia është hobi i tij. Si studiues Virioni nuk vlen asnjë grosh. Si të tillë nuk e njeh asnjeri. Ka dhe nja dy a tre të tjerë studiues si Virioni në institucione. Po dhe ata, për fat të keq, kanë një profil antipatik, të padashur nga kolegët e tyre. Pse? Se janë deledashë. Krijues letrarë, që nuk janë studiues. Studiues që e marrin rrogën e nga taksapaguesit shqiptarë se janë në letërsi krijues… pra, nuk janë studiues. Disi janë nga pak mashtrues. Për të mbuluar këtë mashtrim, bëjnë ca recensione koti… punë studimore sa me la gojën.
Këtë nuk do t’ua zija në gojë… por çdo njeri duhet të jetë i ndershëm në profesionin e tij. Cili është profesioni juaj, zotërinj?
Nëse jeni shkrimtarë, kapni ndonjë kokërr leku ta çoni në shtëpi?
Nëse jeni studiues, pse këto vite ne shqiptarët jemi pa studime dhe pa kritikë letrare, jemi pa një histori letërsie?
Cili është statusi juaj? Gjejeni veten.
Vijmë te ajo që Virioni dhe jo vetë ai, janë shkrimtarë të mëdhenj në opinion, por pa asnjë vlerë leku në llogari. A është kjo e vërtet? Dhe a është e vërtet që vetëm Virioni Graçi vlen zero lekë në llogari?
Nëse ai vlen zero lekë në llogari, e mori vesh në këtë panair libri, apo e ka ditur që më parë? Sigurisht, e ka ditur. Se kur ke një kontratë me një botues, duhet të marrësh dhe detyrimet që vijnë prej kontratës.
Virioni është mjeran në llogari, por jo vetë ai.
Ne poetët e pranojmë që nuk kemi lexues. Edhe një poet nobelist si Tomas Eliot, punonte në bankë, për të siguruar të ardhurat jetike të familjes së tij.
Ne poetët nuk vlejmë si aset në treg.
Por nuk e di sa i kemi edhe këta aq shumë prozatorët tanë të dëgjuar, këta sivëllezërit prozatorë të Virionit, që tek ne na janë shumë të shquar… me emër, por me vlerë zero lekë, ose me vlerë shumë modeste në llogari? Jo vetëm poetë, më shumë kemi prozatorë të shquar… (oh sa të shquar në lavdi), por që nuk sjellin asnjë grosh… në shtëpi.
Pse nuk e boton tirazhin e veprave, atë të shitjeve të tyre, ky Virioni që e shan dhe me familje botuesin bamirës të tij?
Vjen një ditë që shkrimtari me statusin “i madh” duhet të përballet me atë që është i pavlerë në shitjen e librave të tij.
Është, nuk është e vërtet… një problem me interes publik. Kush mashtron?
Këtë duhet të na e provojë Virioni: i ka sjellë ndonjë kokërr leku botuesit të tij, apo është borxh te ai? Borxh dhe me bishti përpjet si maçoku në hi?
Problemi përtej këtij debati. Botuesit u bëjnë nder autorëve “të shquar” që nuk u sjellin asnjë lekë në arkë, apo u bëjnë nder botuesve tanë autorët shkrimtarë të fryrë si gjeli mbi plehun e tyre?
Please follow and like us: