Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: 110 vjetori i Forcave të Armatosura Shqiptare
(Në kuadrin e 110 vjetorit të krijimit të qeverisw sw parw shqiptare dhe të krijimit të Ushtrisë kombëtare shqiptare)
Ushtria Kombëtare shqiptare – Forcat e Armatosura Shqiptare mbushin sot 110 vjet nga krijimi i tyre. Atdhetari, strategu, organizatori e udhëheqësi i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar Isa Boletinit, propozoi që Mehmet pashë Dërralla të zgjidhej ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemal Bej Vlora. Në votimin e datës 4.12.1912 propozimi i Isës rezultoi fitues me 42 vota, ndërkohë që Luigj Gurakuqi u mbështet me 54 vota (si më i votuari); Myfit Bej Libohova mori 52 vota. Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla bëri betimin suprem “për Atdhe dhe për Komb!”. Bashkëpunar me Kryetarin e Qeverisë Ismail Qemalin krijoi lidhje të ngushta me patriotë të tjerë për të organizuar ushtrinë kombëtare shqiptare. Mehmet pashë Dërralla 69-vjeçar nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë kombëtare shqiptare, pasi kishte një përvojë dyzetë vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë. Ai ishte në krye të organizimit të Komandës së Përgjithshme dhe Shtabin Madhnuer Kontributi i tij lidhet me hartimin e “Rregullores për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, me një faqe dhe me shtatë nene, si dhe në hartimin e “Rregullores së përkohshme mbi formimin e strukturës së Milicisë Shqiptare”; Rendi dhe qetësisë publike ishin parësore për situatën shqiptare pas pavarësisë. Ushtarakët që mbushën radhët e strukturave të Ministrisë së Luftës dhe të shtabit Madhnuer ishin 70 oficerë e rreth 155 nënoficerë që i përkisnin shkollave ushtarake që ish-ushtrisë osmane. Mehmet pashë Dërralla është “zbuluar” para rreth tre dekadash dhe është vlerësuar për meritat e tij në histori si ministri i parë i Luftës së Shtetit Shqiptar. Zgjedhjet e qeverisë së parë të përkohshme të Vlorës dhe zgjedhja e Ministrit të Parë të Luftës solli në rrafshin shqiptar 4 dhjetorin si ditën e Festës Kombëtare e Forcave të Armatosura pasi nga viti 1945 deri më 1991 si festë e Ushtrisë njihej 10 korriku, si datë e themelimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Ministria e Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës që u krijua më 4 dhjetor 1912 e pati jetëgjatësinë 14 muaj, nga 4 Dhjetor 1912 deri më 22 Janar 1914. Kjo qeveri u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, me kërkesë të Ismail Qemalit që formatoi zgjedhjen e përbërjes së qeverisë. Pra ishte pikërisht takimi i pestë i 4 dhjetorit që vulosi në histori përbërjen e qeverisë, ku Ismail Qemali u përzgjodh kryetari i qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme; Dom Nikoll Kacorri, Zv.Kryeministër (deri më 30 mars 1913); Myfid Bej Libohova, Ministër i Brendshëm; Abdi bej Toptani, Ministër për Financat (Azis Vrioni tetor 1913); Mehmet Pashë Dëralla, Ministër i Luftës; Petro Poga, Ministër i Drejtësisë; Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit, Mit’hat bej Frashëri, Ministër i Punëve Botore; Pandeli Cale, Ministër i Bujqësisë; Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafave. Kuvendi zgjodhi edhe Pleqësinë, që funksiononte si organ këshillues e mbikëqyrës i qeverisë. Shumë krahina u bashkuan me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të të gjithë Shqipërisë. Pushteti i qeverisë shtrihej në një territor shumë të kufizuar por përsëri ajo veproi në mënyrë energjike duke realizuar një sërë reformash, sikurse ishin ato të organizimit shtetëror, në aspektin ekonomik, të mbrojtjes, në fushën arsimore dhe kulturore. Ndërkohë që në politikën e jashtme, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, punoi fuqishëm për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar si dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare në Konferencën e Londrës dhe në kancelaritë kryesore Europiane. Veprimtaria diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si pranë Fuqive të Mëdha, ashtu dhe pranë shteteve fqinje ishte atribut i drejtpërdrejtë i vetë Ismail Qemal bej Vlorës, i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e Isa Boletini. Ata bënë një udhëtim nëpër kryeqytetet e Fuqive të Mëdha të Europës në prill- maj 1913, dhe në Londër, zhvilluan takime me personalitete, burra shteti e diplomatë. Edhe pse Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e Përkohshme të Vlorës ndërgjegjësimi ishte një elegancë diplomatike. Në rrethana të vështira dhe të ndërlikuara, Ismail Qemal Bej Vlora bashkë me qeverinë, dhanë dorëheqjen më 22 janar 1914 dhe ia dorëzuan pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) për të qeverisur vendin deri në ardhjen e princ Wilhelm Widit në Shqipëri. Ndërkohë që pushteti kaloi në duart e KNK-së bilanci i veprimtarisë së Qeverisë së Vlorës si brenda vendit, ashtu dhe në plan ndërkombëtar ishte i kufizuar. Por Qeveria e Vlorës ishte e vetmja qeveri kombëtare e dalë nga vetë kryengritjet dhe gjiri i Lëvizjes për Pavarësi, që mishëroi idealin kombëtar, tregoi se shteti i ri shqiptar i ngritur mbi themele kombëtare sensibilizoi politikën e Fuqive të Mëdha dhe iu imponua për ardhmërinë e shtetit shqiptar. Gëzuar ditën e festës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!