Zana Tako: ME DRITËN KRENOHESH, ME ERRËSIRËN TURPËROHESH!
Sa herë mes kombesh reklamohet miqësia, aq herë gjuha e mashtrimit shtron rrugën e saj plot gropa dhe pellgje me ujë të ndotur. Krerët e shteteve bëjnë plane afatgjata, por gjuha e mashtrimit redukton edhe ato centimetra rrugë kalimi, për të mbërritur deri tek semafori.
Kur ngjyra e semaforit është e kuqe, ndizen motorët, shenjë e parapërgatitjes për rrugëtim. Kur semafori çel shenjën portokalli, muskujt e punës vihen në start, e kur semafori çel ngjyrën jeshile, gara sapo ka filluar.
Të shtyhesh për të dalë i pari, është shenjë e padurimit. Të nxitosh për të mbërritur i pari fitoren, është shenjë vullneti. Por të luftosh për të mbërritur deri tek fitorja, është shenjë guximi dhe trimërie.
Starti është shenja ku dallon pika e nisjes, e ne tashmë jemi nisur për të mbërritur drejt fitores. Rrugës do të ndeshemi edhe me të tjera shenja, të cilat na mundësojnë për të kuptuar cilat rreziqe kemi përpara për t’i kapërcyer, cilat pritshmëri, cilat oferta që na shërbejnë për t’u çlodhur rrugës, e për të nisur përsëri rrugëtimin. Janë një varg i tërë synimesh por jo dëshirash, ato të cilat na bëjnë të mendojmë dhe të arsyetojmë, se koha nuk na lë pas drejt së ardhmes, e cila troket jo për të na e nxirë faqen, por për të na e zbardhur atë. Vërtet janë shumë pika që duhen vënë mbi (i), por të gjitha kanë kohën dhe vendin e caktuar.
Për t’i shërbyer vendit tënd duhet ta duash atë në dhimbje dhe në dashuri. Sot është koha më e mirë për të treguar, se e duam vendin tonë vetëm me dashuri pa dhimbje?
Virtytet e njeriut nuk fshihen, ato dalin në pah me ngjarjet e kohës. Por janë kohët e mëdha ato që dëshmojnë për ngjarje të mëdha, si kjo ditë sot, që e shënon vendin tonë në rrugën drejt zhvillimit dhe integritetit europian. Nëse nuk duam ta pranojmë këtë integritet, jemi të destinuar të shënojmë pikë në tabelën e kundërshtarit. Por nëse e duam vërtet vendin tonë në dhimbje dhe në dashuri, le ta përqafojmë këtë ditë sot ashtu si na ka hije, me lot dhe buzëqeshje, me halle, por me shpirtin plot shpresë, se ngjarjet e mëdha e përqafojnë edhe këtë vend të bekuar për lashtësinë e tij, për forcën dhe qëndresën, ashtu si çdo vend tjetër do e dëshironte begatinë e vendit tonë.
Rrugët janë të hapura. Le të shkelim në to me dijen e lashtësisë, se nuk ka vend më të bukur dhe të bekuar, se vendi ku lindin dhe rriten Shqiponjat!
6 Dhjetor 2022.
Please follow and like us: