Ahmet Mehmeti: KADARE NË KANONIN EUROPIAN DHE BOTËROR
VËSHTRIM KRAHASUES
I përkushtuar në leximin e veprave të Ismail Kadaresë gjithnjë kam menduar se kryevepra e kryeveprave të tij është romani “Pallati i Ëndrrave”. Ky roman sintetizon në vetvete jo vetëm kulmin e mjeshtërisë dhe pjekurisë artistike por edhe karakterizon në mënyrën më të kompletuar identitetin kombëtar dhe atë europian të veprës së tij. Si klasik i gjallë i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI ai depërton përmes kufijve historiko-kulturorë, mohon dhe pohon me guxim titanik duke ngritur një pafundësi çështjesh të natyrave nga më të ndryshmet, si të zhillimit të artit në tërësi, atij romanor në veçanti por edhe me karakter aktual, kulturor dhe antropologjik.
I pajisur me një kulturë të gjithanshme teorike dhe me përvojë të pasur jetësore, si erudit i vërtetë, ai ka çfarë t’i japë lexuesit nga përvoja e vet si dhe nga thesari i dijeve të njerëzimit dhe përvoja e të tjerëve duke i përthyer përmes artit të tij të fjalës së zgjedhur në të gjitha kuptimet e mundëshme. Duke u brumosur me trashëgimitë më të përparuara të letërsive greko-romake, të rilindjes europiane e deri arritjet më të spikatura të kohëve më të vona ai u bë një nga zërat më të njohur e zotërues të letërsisë botërore të kohës sonë.
Në romanin “Pallati i Ëndrrave” kemi gjedhen më të spikatur të letërsisë europiane në tërësinë e saj, identiteti i të cilës shfaqet dhe karakterizohet me vazhdimësinë e toposeve. Këto, siç dihet, janë tematika të ndërlikuara që trashëgohen dhe përfaqësojnë vende të qëndrueshme e përmbajtje të përbashkëta në veprat letrare. Toposet dëshmojnë identitetin e një tradite letrare dhe kulturore dhe janë reflektim i qytetërimimeve përkatëse. Ismail Kadareja i ka përdorur këto ide, tema, motive dhe argumente që kanë të bëjnë me intelektin e tij të lartë krijues, të përthyera me mjeshtëri gjeniale në gjithë veprën e tij unike, origjinale dhe universale.
Po përqëndrohemi në zanafillën e toposeve të përthyera në romanin “Pallati i Ëndrrave” duke u nisur nga krahasimet me veprën “Metamorfozat” të poetit të shquar latin Publius Ovidius Naso si edhe me autorë dhe vepra të tjera para e pas tij nga letërsia klasike greke, e duke vazhduar me atë mesjetare, të Rilindjes Europiane etj.
Vetë rrethanat jetësore dhe kërkesat artistike ndaj vetes, midis Ovidit dhe Kadaresë, si dy krijues gjenialë, kanë ngjashmëri interesante. Lidhur me ngjashmëritë, për nga përmbajtja apo frymëzimi në veprat letrare, Lasgush Poradeci theksonte “Që një poet tjetër, i çdo kohe qoftë të ketë bërë vargje të ngjashme me vargjet e mia, do të thotë se ai, kur ka shkruar këto vargje, ka pasur të njëjtin frymëzim d.m.th. ka pasur të njëjtën situatë shpirtërore si edhe unë”. Nga leximet e dy veprave shikojmë se kemi të bëjmë me tekste që na paraqesin tematika të krahasueshme midis dy autorëve në veprat përkatëse, po kështu me grupe idesh, tematika, motive dhe mbi të gjitha topose vendore të mirëfillta.
Ovidi si një nga poetët botërorë më në zë që Dante Alighieri e ka radhitur të tretin ndër poetët e shquar të letërsisë antike greko-romake dhe të katërtin pas Virgjilit që e “zgjodhi” si shoqërues të vet në Ferr, një nga temat më të preferuara ka lirinë si topos themelor të veprës së tij. Ky topos u trashëgua në letërsinë latine nga vepra “Prometeu i lidhur” i Eskilit. Një nga shkaqet më kryesore të përndjekjes dhe dëbimit të Ovidit në Tomi prej Augustit, ishte shpirti i tij i lirë për t’i quajtur dhunën dhe tiraninë me emrin e tyre të vërtetë në veprën e vet.
Që në Librin e parë të “Metamorfozave” ai i çjerr maskën tiranisë për dhunën, korrupsionin dhe luftërat e pandërprera që u sillnin mjerim pa fund njerëzve të thjeshtë nën sundimin totalitarist të perandorit August. Ovidi duke aluduar me epokën e hekurit thekson:
Çdo kob shpërtheu me t’parën n’atë epokë
që më e dobët ishte ; turpi, e vërteta
dhe drejtësia u zëvendësuan
me rrena, me dredhi dhe me pusi,
me dhunë dhe me lakmi të pasurisë.
…Dhe shfaqet lufta ku përleshen njerëzit
e që me dorë t’gjakosur i tund armët
kumbuese. Jeta shkonte me grabitje…
Këto tablo kaq të qarta, të shprehura me guxim për të vërtetën e dhunuar të të drejtave njerëzore, nuk mund të mos e egërsonin dhe tërbonin perandorin të merrte vendime të prera e të pamëshirëshme ndaj Ovidit duke e degdisur në Tomi pranë Skithisë ashtu si guximtarin legjendar Prometeun e shtyu furia e urrejtjes së verbër të Zeusit në shkëmbin e Kaukazit. Të njëjtat rrethana pas dymijë vjetëve përsëriteshin në diktaturën enveriste shqiptare ku dhuna kishte të njëjtën fytyrë, bile edhe më të egër, ku njerëzit e thjeshtë ashtu si dhe poetët e shkrimtarët që guxonin të shpreheshin lirshëm internoheshin, burgoseshin, pushkatoheshin ose edhe vareshin në litar.
Por t’i kundërviheshe me romane asaj dhune duheshin aftësi gjeniale të sofistikuara artistike, krejt origjinale, një strategji e taktikë botuese e përpunuar mirë, për një kohë të gjatë dhe me shumë kujdes, gjë që Kadareja arriti t’i realizojë mrekullisht. Duke i mbetur besnik lirisë së vetvetes autori nga ana artistike aludon përmes subjekteve alegoriko-historike.
Në vazhdën e narracionit të “Don Kishotit’ të Servantesit që ishte mbështetur tek letërsia mesjetare kalorësiake e tipit të Amadisit të Galisë etj, në një ravgim përmes absurdit të Tabir Sarajit/Pallatit të Ëndrrave, ndërton konstrukte që të kujtojnë rrathët e ‘Ferrit’ të Dantes. Vetë ky i fundit, për strukturën e kryeveprës së vet u mbështet tek vepra “Etika Nikomakea” e Aristotelit, sipas një strukture morale të radhitjes së mëkateve (shih Kënga XI e Ferrit ku Virgjili i përgjigjet pyetjeve të Dantes duke i spjeguar organizimin e këngës I).
Shumë frutdhënës ka qenë edhe komunikimi me kulturën arabe që vinte nga Spanja e Alfonsit X Të Diturit, këtij mbreti dhe eruditi të shkëlqyer që ndihmoi përkthimin e shpërndarjen në disa gjuhë europiane të haditheve të Muhamedit mbi Isranë dhe Miraxhin (udhëtimi në Ferr dhe Parajsë). Këto materiale ju vunë në përdorim Dantes nga Brunetto Latini. Nuk kishte ndërmjetës më të dobishëm për Danten se sa politikani dhe letrari i shquar i Firences guelfiste, mësuesi dhe miku i ngushtë i tij që kishte qenë ambasador në oborrin e Kastiljes. Vetë Brunetto Latini kishte shkruar poemën didaktiko-alegorike “Il Tesoretto” ku rrëfen një udhëtim nëpër mbretëritë e natyrës e ku takon pesonazhe alegorike, por që mbeti e paplotësuar, pedanteske dhe e ftohtë.E kundërta ndodhi me kryeveprën gjeniale të Dantes. Kujtojmë këtu ndihmesën e jashtzakonëshme të studjuesit spanjoll Miguel Asin Palacios mbi ndikimin arab në Komedinë Hyjnore të Dantes.
Në vijimësi të kryeveprave europiane struktura e romanit ‘Pallati i Ëndrrave’, në mënyrë krejt origjinale dhe gjeniale i përshtatet subjektit duke evokuar pikë për pikë realitetin e një ferri, jo më virtual por konkret dhe actual, që ishte vetë Sigurimi i Shtetit diktatorial me rrathët/katet e tmerrshëm të Seleksionimit, Interpretimit dhe Arkivit.
Dante Alighieri, po të ishte gjallë, do ta karakterizonte qëllimin guximtar të romanit të Kadaresë me vargjet e famshme:
“Liri shkon tue kërkue, gja aq e çmueshme
si e di ai që për ‘te s’i dhimbet jeta”.
Me romanin madhështor “Pallati i Ëndrrave”, me groteskun e tij të mprehtë, Kadareja, nga njëra anë e mohoi totalisht të ashtuquajturin realizëm socialist, duke e goditur për vdekje në të pesë shtyllat e ngrehinës së tij të shpifur, kurse nga ana tjetër i çorri maskën regjimit diktatorial të izolimit dhe shtypjes mizore të çdo lirie njerëzore, nëpërmjet armës më të egër të Sigurimit të Shtetit dhe aq të adhuruar nga partia shtet, në kulmin e sundimit të tyre.
Nga trashëgimia e letërsisë së lashtë pallazgo-heleno-latine Kadareja mori dhe përdori me talent dhe origjinalitet gjenial toposin e “pallatit të ëndërrave”/ “pallatit të gjumit” që na shpërfaqet në mënyrë të spikatur në letërsinë latine në Librin XI të veprës “Metamorfozat” të Ovidit.
Po nga “Metamorfozat” e Ovidit, dhe pikërisht nga Libri IV, kënga e Piramit dhe Thisbës, dy të rinjve që duheshin dhe familjet nuk i lejonin e që nga kjo ata përfunduan tragjikisht, ka gjasë që Shekspiri të ketë marrë subjektin e dashurisë së Romeos e Zhulietës për veprën e famëshme të vet.
Toposi i vendbanimit të Gjumit në veprën “Metamorfozat” lidhet me një personifikim hyjnor. Gjumi përfytyrohet në poezinë greke më herët në “Iliadën’ e Homerit (14.231-291, ku Hera, ekuivalente me Junon romake, i bën një kërkesë); ai përshkruhet si një burrë i ri kurse tek Ovidi si i moshuar dhe babai i ëndrrave. Ovidi e shtjellon personazhin me një trope të ndërlikuar duke i dhënë atij karakteristikat e personit të përgjumur, sikur të mbartëte dhe të vepronte nga një fuqi abstrakte; “përtaci” nuk është një paralajmërim se ai do të jetë i ngadalshëm për të kryer urdhërin e Junos (të cilin e bën pa vonesë) por një projeksion mbi veten të efektit të tij – të cilin edhe Irisi do të filloj ta vuaj (lajmëtarja dhe e besuara e Herës, simbolizonte ylberin që quhej si urë midis qiellit dhe tokës, midis perëndive dhe njerëzve; në poezitë e mëvonëshme paraqitej si nëna e Erosit). Ai banon pranë maleve të Cimeranëve, që në “Odisea” (11.14-19) ndodhet pranë hyrjes së Nëntokës (Skëterrës), i mbështjellë me mjegull dhe errësirë dhe i paarritshëm nga dielli; këtu rrjedh një përrua i lumit të nëntokës, Lete.
Pra toposi i Pallatit të Gjumit/Pallatit të Ëndrrës në Librin XI lidhet me mitin e “Kërkimit të Ceiksit”, mbretit legjendar të Thesalisë, bashkëshortit të Alkionës. Kur ky po shkonte në Delf për tu konsultuar me orakullin e Apolonit, u mbyt në det. Alkiona e dëshpëruar vrapoi në breg të detit dhe kur pa kufomën deshi të mbytej por perënditë të prekura nga kjo dashuri i shndërruan të dy në bajza.Popujt e vjetër me mitin e shndërrimit të njerëzve në zogj përpiqeshin të shpjegonin ngjashmërinë e klithmës së zogjve me britmat e përvajshme të njerëzve.
Është shumë interesant krahasimi i tekstit/intertekstit midis dy autorëve tanë se si na e japin në vështrim të parë vendin/toposin dhe sëbashku me të edhe trishtimin e shkretinë e dy pallateve kobzinj të ëndrrave.
Tek “Metamorfozat” e Ovidit kemi:
“Një ylber nëpër qiell kërkonte pallatin nën re, shtëpinë mbretërore të Gjumit. Aty pranë vendbanimit të Cimeranëve është një shpellë në një vend të izoluar, të gjerë, mal konkav, shtëpi dhe vendqëndrim i Gjumit përtac ku Febi nuk mund të depërtojë kurrë me rrezet e tij as në lindje, as në mesditë dhe as në perëndim të diellit; mjegullat e përziera me errësirën dhe muzgun e dritës së dyshimtë ngrihen nga toka.Atje gjeli vigjilent nuk e thërret Aurorën me këngën e sqepit të tij me vathë, as qentë vigjilentë as patat me nuhatje më të mprehtë se qentë s’e thyejn heshtjen me zërin e tyre; as bishat, as degët që lëvizin nga flladi apo klithmat e gjuhës njerëzore nuk nxjerrin zë.
…Nga shkëmbi thellë del përroi i Letes dhe ndërsa rrëshqet poshtë tij, uji me jehonë u ndjell gjumë guralecave shushuritës. Përpara dyerve të strofkës lulëzojnë lulkuqe dhe barishte të panumërta…dhe dera nuk bën zhurmë ndërsa këlthet me menteshat e saj; nuk ka asnjë në të gjithë shtëpinë, asnjë roje në prag…Kudo rreth tij shtrihen aq ëndërra boshe që imitojnë po aq ëndërra të ndryshme sa kallinjtë e të korrave, gjethet e pyllit dhe rërat e shpërndara të plazhit.
Sapo hyri atje dhe e ndau vashën me duar nga ëndërrat që ja bllokuan rrugën… “.
Ja dhe një fragment nga romani “Pallati i Ëndrrave” i Kadaresë:
“Ishte ngritur nga gjumi për tu nisur me ngut në Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), zyrat e famëshme që merreshin me gjumin dhe ëndrrat… Mark Alemi erdhi rrotull një sheshi gjysëm të shkretë… Ngrehinës së madhe të dy krahët i humbisnin në sqotë, kurse pjesa e saj qendrore ishte e tërhequr përbrenda, sikur të qe zmbrapsur përpara diçkaje. Mark Alemi ndjeu ankthin t’i rritej me shpejtësi përbrënda.Një rresht i gjatë hyrjesh ngriheshin të barabarta përskaj njera-tjetrës, por, kur Mark Alemi u afrua, pa se ato nuk ishin hyrje, po flegra të lagura, të pahapura prej kohësh.
Ai eci për së gjati, duke ndjekur me bisht të syrit atë rresht portalesh të shkreta… Ai u gjet, më në fund, përpara hyrjes. Fletët e portës dukeshin më të rënda seç qenë… Hyri në një mesore të ftohtë, sipërfundi jashtzakonisht i lartë i së cilës e bënte të dukej si një fund grope.
… Mesorja ishte e gjatë dhe e zymtë. Dyert dilnin në të me dhjetra, të larta dhe pa numra. Ai njehsoi dhjetë dyer dhe u ndal. Përpara se të trokiste, do të donte të pyeste, për tu siguruar edhe një here nëse ishte vërtet ajo zyra e njeriut që kërkonte. Mirëpo në atë galeri të gjatë s’dukej frymë njeriu”.
Siç vërehet qartë në fragmentet e mësipërme, në të dyja tekstet letrare zotëron e njëjta imazhologji: shkretia, vetmia, errësira dhe gria, shpella dhe gropa, izolimi total. Në të dy skenat nuk pipëtin asgjë, nuk shihet asnjë, dyert nuk bëjnë zhurmë ose qëndrojnë të mbyllura, në të dy rastet shtrihen pa fund “ëndrra boshe” si rërat e shpërndara të plazhit që në romanin e Kadaresë marrin përmasa të paskajshme, në dosje, zyra, mjedise e hapsira të pafundme.
Vetë shkallëzimi ndërtimor si i “Ferrit” të Dantes të sjell në mend ndërtekstorësinë karakteristike të Rrjetit Ndërletrar të Mesdheut ku si teksti edhe strukura e veprës letrare na vinë si sistem i shumë teksteve të tjera në mënyrë të integruar, që nga mitet, besimet dhe letërsia pellazgo-helene, ajo latine; arabe, si pjesë e pandarë e tij, dhe e Rilindjes Italiane etj.
Falë imagjinatës gjeniale krijuese, thellësisë e gjerësisë së shprehjes së mendimeve, zotërimit të një ligjërimi figurativ të dendur e të larmishëm, arsenalit të madh njohës dhe stilit magjik e grotesk në romanin “Pallati i Ëndrrave”, Kadareja, si autor kanonik në letërsinë europiane dhe botërore, i tejkalon epokat dhe paraardhësit, operon me shkathtësi përmes alegorisë historike dhe aludon hapur për këtë realitet absurd.
Gjatë leximit, krahas kënaqësisë artistike, ndjehet se si vibron mistika e njëmendësisë së përditëshme totalitariste, që vjen si jehonë nga epoka perandorake por godet fortë me dramën tragjikomike aktuale shqiptare.Si konceptim artistik dhe pritjeje nga lexuesi romani i shëmbëllen një poeme të vërtetë.
Lexuesit e ndryshëm të kësaj vepre të mahnitëshme e ndjejnë në çdo fjalë e tog fjalësh, paragraf apo kapitull, tekstin dhe nëntekstin se sa qartë autori i kundërvihet errësirës shtypëse komuniste ku shteti ndiqte dhe dënonte pa mëshirë lirinë e ndërgjegjes, nënndërgjegjes e pandërgjegjes, ku me fakte të shpifura dhe krejt pa fakte krijonte ‘armiq’, (sidomos nga inteligjenca/Kurti) dhe ‘grupe armiqsore’, kurdiste gjyqe ose pa gjyq fare, me dorë të hekurt përpiqej të përjetësonte pushtetin e vet mizor të dhunës e skllavërisë moderne.
Historia e shkrimit, botimit dhe pritjes së “Pallatit të Ëndrrave” nga publiku dhe çensura e ideologjizuar e kohës janë unike në letërsinë botërore.Protagonisti i veprës, Ebu Qerim/Mark Alemi, mori emërtimin e fundit vetëm pas përmbysjes së sistemit totalitar pasi romani i shpëtoi një nga trysnive më të pabesueshme të të gjitha kohëve.
Romani “Pallati i Ëndrrave” dhe autori i tij Ismail Kadare i mbijetuan kohës dhe aktualisht vlerësohen, përkthehen, botohen e lexohen në të katër anët e botës, në mijëra e mijëra kopje duke marrë rëndësi globale e të merituar e duke qëndruar sot e në të ardhmen me dinjitet krahas kryeveprave të njerëzimit, autorëve të tyre të kanonit evropian e botëror si Dante, Shekspir, Servantes, Gëte, Tolstoi, Flober etj.
BIBLIOGRAFIA KRYESORE
- Ismail Kadare 2011, Pallati i Ëndrrave, Onufri, Tiranë.
- Ismail Kadare 1989, Vepra letrare 9, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, f. 177-344, Tiranë.
- Ismail Kadare 2021, Kohë për rrëfim: dialog me Alda Bardhylin, Onufri.
- Homeri 2019, Iliada, përktheu Llambro Ruci, Toena, Tiranë.
- Homeri 2000, Odiseja, përktheu Pashko Gjeçi, Onufri, Tiranë.
- Eskili 2010, Prometeu i lidhur, Tiranë.
- Ovidi 1978, Poetë latinë. Vargje të zgjedhura, përktheu Henrik Lacaj, f. 155-199. Tiranë.
- Publius Ovidius Naso 1998, Metamorfozat Përktheu Henrik Lacaj; Onufri, Tiranë.
- Ovidi 2018, Metamorphoses. Translated by Rolfe Humphries, Annotated: Joseph D. Reed, Indiana University Pres.s
- Ovidio 2014, Jose Francisco Ruiz Casanova, Antologia Catedra de Poesia de las Letras Universales Traductor: Consuelo Alvarez, f. 277-296, Madrid.
- Concetto Marchesi 1939 Storia della Leteratura Latina, Volume Primo, f. 523-552, Messina-Milano.
- Dante Alighieri 1941, La Divina Commedia, Testo Critico, Riveduito, col comment scartazziniano rifato da Giuseppe Vandelli, Ulrico Hoepli, Milano.
- Francesco Flora 1941, Storia della Letteratura Italiana, Mondadori.
- Dante Alighieri 2009, Komedia Hyjnore. Përktheu Pashko Gjeçi. Tiranë.
- Miguel Asin Palacios 2003 Eskatologjia Muslimane në Komedinë Hyjnore, Botues “Averroes”, Shkodër.
- Max Aub 1974, Manual de Historia de la Literatura Espaniola.
- Harold Bloom 2000, Si dhe përse të lexojmë, Dudaj, Tiranë.
- Mariangela Lopopolo 2019, Çfarë është letërsia e krahasuar, Tiranë.
- A. Cuddon 1999, The Penguin Dictionary of Literary Terms and Literary Theory, Penguin Books.
- Chris Baldick 2004, The Concise Oxford Dictionary of Literary Terms, Oxford University Press.
- Petraq Kolevica 1992, Lasgushi më ka thënë, Tiranë.