Binak Kelmendi: Udhëzime për të shkruar keq për Atdheun
Ka njëmijë arsye për të shkruar kundër Atdheut
Për të shkruar keq për Atdheun
Po i them disa
Për shembull kështu:
Atdheu është i keq
Se nuk ma jep kostumin e vet
Me shumë xhepa
Për t’i mbushur para
Medalje ari
Titullin hero
Dekorata trimërie
Pastaj pse unë nuk jam në ballë të tij
Kryetar partie
Sekretar i Përgjithshëm
Udhëheqës grupi parlamentar
Ambasador
Ministër
Kryeministër
President…
Marrës tenderësh
Është lehtë të shkruash kundër Atdheut
Delikt verbal ose shkrimor
Pse s’kam Pension Kombëtar
Vetëm pension moshe
Për të cilin duhen dhjetëra dëshmi
Pse paguaj rrymë, ujë, tatim…
Më së lehti është të shkruash kundër Atdheut
Kundër shtëpisë tënde
Të shash veten tënde
Të vrasësh veten tënde
Prandaj Atdheu duron
Deri në vdekjen tonë
Për Lindjen e vet.