Odise Kote: Gabime drejtshkrimore në histori pikëlluese…
Kjo histori pikëlluese,
Mbi fitoren dhe humbjen,
Nis me një mesazh dashurie,
Që kishte dy gabime drejtshkrimore.
Ajo i tregonte
Për shpresat, pasionet, gabimet, fantazitë,
Vjeshtën që fishkëllente aroma puthjesh e dasme.
Ai nga toka e huaj sikur gulçonte,
duke lëshuar britma rrënqethëse,
shkruante përsëri
me katër a pesë gabime
të tjera drejtshkrimore.
Si njeri i dehur prej zemërimit,
Asnjëherë s’përmendi fjalën fëmijë,
gjithçka në mesazhe sikur lidhej
me errësirën, harresën, humbjen.
Kur gabimet drejtshkrimore u shtuan,
Me përzierje të çuditshme fjalësh të huaja,
Pak meskinitet mjaftonte,
Për ta gjetur ferrin lehtësisht tek njëri-tjetri.
Kjo i ngjau vajzës si një thirrje,
Për ta nxjerrë nga historia
që do të vononte tê dilte nga kujtesa…