Cikël poetik nga Avdush Canaj
NË BARKUN E NËNËS
Kërcen e s’ndalet bebushi
Në barkun e nënës
I kanë blerë gjithçka
Kur të dal nga terri
Mezi pret ta hedh krahëve
Pelerinën e qiellit
Si të princit të vogël të Ilirisë
Kur mami t’ia puth dorën
E babi t’i thotë: dritëz
Të gjitha gonxhet e agimit do të çelin.
KUR JE I VOGËL SI TI
Kur je i vogël
mund të fluturosh si pëllumb
qiellit tënd të lojës
Drejton trenin e gjatë sa lumi
me njëqind vagonat e dëshirave
Me ashensorin e xixillonjës
shkon tek ylli yt
i ndërroni lodrat me drita
Në lagjen e luleve
bëhesh flutur përditë
për sytë e bukur të zambakëve
Je më i miri kërcimtar
në baletin e mjellmave
të vizatuar nga Aria
Hëna ta fal vetullën çdo mbrëmje
edhe faqen me mollë
për një puthje te pragu i gjumit
Askush pos teje
nuk ia di numrin e celularit delfinit
as adresën e shtëpisë
ti e mban sekretin
veç gjyshes i tregon në vesh
Kur je i vogël si ti
zogjtë të ulin në sofrën e cicërimës.
KALLIRI
Kalliri përditë
këmishën lulëkuqes
ia shkopsit
E dëgjova kur i tha dje
Sa e bukur që je
Lulëkuqja s’i tha ik
e puthi në qerpik.
RETË ZURËN NË THUA
Retë e ngarkuara me shi
mezi ecin kupës së qiellit
Kuku, zurën në thua
në një krah të plepit
iu derdhën bidonët
papritur.
Njëra qeshi, e pashë
i tha shoqes:
Mos u mërzit
tash mund të fluturojmë
me lejlekët.
SI PËRRALLAT TUAJA
Dje ndodhi një mrekulli
e vërtetë:
Një top me lara ma falën retë!
Të kënaqem, të rritem,
Pasha nënën
s’po mahitem!
Ajo e qeshura, pupëlore,
Me fanelën kaltërore,
Ma hudhi topin poshtë, në tokë,
Po ta fali, tha, të luash me shokë.
Për atë ky top fluturon përpjetë
Atje, lart, ku përgjumën retë!
A mos është kjo përrallë, zemërush?
Si përrallat tuaja ,gjyshush!
Si tuajat përralla!
NË BARKUN E NËNËS
Kërcen e s’ndalet bebushi
Në barkun e nënës
I kanë blerë gjithçka
Kur të dal nga terri
Mezi pret ta hedh krahëve
Pelerinën e qiellit
Si të princit të vogël të Ilirisë
Kur mami t’ia puth dorën
E babi t’i thotë: dritëz
Të gjitha gonxhet e agimit do të çelin