Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Sulejman Mato

 

Sekreti i fjalëve

 

Brenda  meje zhurmërojnë mijra fjalë,

vetja më ngjan si një plep në erë.

Sa herë vjen vjeshta unë fletët praroj

e mbushem me gjethe si një plep në pranverë.

 

Sekretin e fjalëve ka vite që e di,

sa i prek  ato zgjohen nga gjumi që i ka zënë.

Nisin të lëshojnë tinguj plot mall

dhe thonë: ”Sa të bukura paskemi qenë…”.

 

Unë fjalët i pastroj si zajet e lumit,

me fjalë bëj herë një fyell e herë një bilbil…

pa më shihni si rri, me penela në duar,

mes fushave  të lulëzuara, në Prill.

 

Një libër i mirë

Një libër i mirë është si një lis i moçëm

Lind dhe plaket brenda një shekulli.

Degët e tij janë plot gjak në damarë.

 

Një libër i mirë është pjellor si fusha,

shtegtar si retë, i heshtur si shkëmbinjtë.

 

Një libër i mirë është rezistent ndaj ngricave

i errët si mendimi, i padepërtueshëm si guri.

 

Një libër i mirë i shtohet tokës

përkrah qyteteve të rinj dhe shkëmbinjve të moçëm.

 

Në damarët e tij qëndron sekreti

i lidhjeve të njeriut, lisit, shkëmbit dhe librit.

 

Adami dhe Eva
“Qoftë e lëvduar dashuria
ku nuk ka as pronarë as pronë”, Borghes.
I pari mbërriti në tokë Adami.
Më pas zbriti Eva.
Disa thonë, zbritën nga yjet, në një kopsht me mollë.
Bibla thotë: U ngjizën nga balta e dheut të tokës sonë.
Stërgjyshërit tanë të parë,
zbritën nga qielli, ose mbinë nga toka.
lakuriq, pasi ende nuk ishin shpikur rrobet.
Qysh natën e parë bënë dashuri,
nënë Hënë e nënë yje.
Shtazët e egra, ujq, arinj, tigra dhe luanë
ulërinin në pyje…
Kishin ndjerë me tmerr
rrezikun e mbërritjes së njeriut të parë.
Në ditët e tjera
nga qëndrimi i tyre lakuriq, pranë e pranë,
për cudinë e yjeve lindën dy djem.
Abeli i pari,
i dyti Kaini që vrau vëllanë.
Ky qe fillimi.
këta qenë të parët tanë.
Jo vetëm yjet, por edhe kafshët
u çuditën kur panë
vëllai të vrasë vëllanë.
Qysh në gjenezë lindi urrejtja,
dhe u rrit nëpër shekuj, gjer tej e vona…
Nga njeriu i parë
gjer te njeriu i ditëve tona.
Please follow and like us: