Fatos Arapi: Këngët tona
Çdo prag Festivali të Këngës në Radio-Televizion dashamirës të ndryshëm më kërkojnë të tregoj historinë e këngëve të mia. Fatmirësisht, një pjesë e krijimeve i rezistuan kohës. Pas hezitimesh të shumta, duke e parë këtë rrëfim më tepër si detyrim ndaj brezave të sotëm dhe atyre që vijnë, vendosa t’i përgjigjem këtij interesimi.
Ndër miqtë e mi më të mirë kanë qënë edhe kompozitorët: Nikolla Zoraqi, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi, Tish Daija (e kam patur mësuesin tim të muzikës në Vlorë), Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Agim Prodani; këngëtari i Operës Ramiz Kovaçi… Kompozitori vlonjat Shpëtim Kushta; më vonë kompozitori Kozma Lara, Aleksandër Peçi… Propozim për të bashkëpunuar kam patur edhe nga Prenk Jakova. Prej tij kam dëgjuar thënien:”… ke nji varg substancial…”.
Kënga e parë fare me vargje të mia është kompozuar nga Hysen Filja. Atëhere, në vitet ’50 unë botova një poezi: “Mimoza çeli, Tanusha ime, / në qiell të kaltër dielli ndriçon / por dhembka zemra, Tanusha ime, / kur s’ke atë që dashuron… Mimoza çeli dhe këtë herë, / në qiell të kaltër dielli ndriçon, / por dhembka zemra kur në pranverë, / nuk ke atë që dashuron…”.
Një ditë unë shëtisja përgjatë bulevardit, kur Radio Tirana jepte këtë këngë. Kompozitor Hysen Filja! Unë e pandehja “burrë të pjekur”, kur ai paskësh qenë fare i ri. Nuk mbaj mend kur jam njohur me Cenin. Por në moshë të kaluar, ishte ndër miqtë e mi më të shtrenjtë. Shpesh mbrëmjeve shëtisnim bashkë. Ashtu edhe mbrëmjen e fundit.
Unë nuk dija gjë. Por një ditë e bija më pa dhe erdhi më takoi.
– Babai ndërroi jetë… – tha.
Mua më dhembi zemra, shokët e mirë po më linin…
Nikolla Zoraqi atëhere drejtonte sektorin e muzikës. Kishte bërë një këngë dhe më kërkonte t’i shkruaja tekstin. U ulëm të dy në zyrën e tij, Nikolla para pianos. Tingujt nisën të fluturonin nëpër ajër, përsëri dhe përsëri. Melodia e bukur bëri punën e saj, unë shkruaja vargjet… Shkruaja e shkruaja (kështu e kam patur gjithnjë!). Pastaj Nikolla zgjidhte vargjet që i pëlqenin dhe i harmonizonte me notat. Ishte i frymëzuar edhe ai. Në këtë mënyrë lindi kënga: “Dhuratë për ditëlindje” (“Globi rrotullohet”). Ajo mori çmimin e parë në Festivalin e Këngës në Radio Televizion.
Për mua e rëndësishme ishte që Nikolla ishte i kënaqur; më tepër: i gëzuar. Nikolla punonte shumë në atë kohë me Gjon Simonin, me të këshillohej.
Në vitin 1970 unë pësova një aksident të rëndë automobilistik në Sarandë. Meqënëse kisha pësuar dëmtime të shumta, mjekët më këshilluan të qëndroja 40 ditë shtrirë, pa lëvizur.
Bëhej Festivali i Këngës. Drejtoreshë e Radios ishte Nefo Myftiu. Unë thirra mikun tim vlonjat, kompozitorin Shpëtim Kushta (babai i Shpëtim Kushtës dhe im atë në Vlorë ishin miq të ngushtë). I fola dhe i kërkova të bënte një këngë për Tiranën në mesnatë, një dashuri që lind nën qiellin e kaltër të natës, Tirana jonë: qytet i dashurisë…
Shpëtim Kushta kompozoi “Mesnatë”-n shumë të bukur. Dhe do ta këndonte vetë Vaçe Zela.
Por ka ndodhur diçka që askush nuk e di. Unë “e hëngra në besë” Nefo Myftiun! Pse? Ndodhi kështu: tekstet e këngëve ne duhej t’i çonim në Komitetin Qendror. Të merrnim aprovimin e tyre. Por ata atje, shtonin dhe hiqnin vargje që s’u pëlqenin. Nuk aprovonin tekstet etj.
Ahere unë tekstin e këngës “Mesnatë” ia kam dhënë në dorë Vaçes, pa e aprovuar “kolegjiumi”.
Kur u bë “prova gjenerale” dhe nga lart kishte ardhur “komisioni mediko-legal”, siç i thoshim neve, që bënte seleksionimin e këngëve, unë dhe drejtoresha Nefo Myftiu ishim ulur pranë njeri-tjetrit. Kur Vaçe Zela nisi të këndojë “Mesnatë”-n dhe vargjet e saj “se çdo njeri një ëndërr t’vetën e ka / dhe mban e ushqen një dashuri / në shpirt të tij të thellë…”, Nefo Myftiu më tha: “Ma hodhe…”. Fatmirësisht “komisioni” nuk bëri asnjë vërejtje. Kënga “Mesnatë” mori më pas çmimin e parë.
Një ditë ndodhej në shtëpinë time miku im Feim Ibrahimi. Atij i thashë: “Feim, italianët këndojnë: “Una mattina / mi son svegliato / o bella ciao/ bella ciao / bella ciao, ciao, ciao. / Una mattina / mi son svegliato / e ho trovato l’invasor”. Po ne kur do të bëjmë një këngë për luftën tonë?
Feim Ibrahimi bëri këngën. Unë zgjodha një tekst popullor dhe ia përshtata asaj: “Pse po shikon andej-këndej, o partizan? / Rrugën kërkoj dhe nuk po e gjej, o katundar. / Eja me mua ta rrëfej, o partizan. / … Matanë lumit ka gjermanë, o partizan…”
Feim Ibrahimi e kompozoi këngën. Po kur u këndua, lart në Qeveri kishte nervozizëm.
– “Pse, këto ishin marrëdhëniet e popullit tonë me partizanët? Ç’janë këta katundarë, ç’janë këta partizanë?”
Kur shkova në Radio, Nefo Myftiu ishte bërë një grusht.
– Ç’na ke bërë… Ç’na ke bërë…
– Po nuk është teksti im!
– Po i kujt?
– I kujt? I Akademisë së Shkencave, e ka botuar vetë Zihni Sakua… Ai është një nga tekstet më të bukur.
Se ç’bëri ajo, nuk di më tej. Po kënga e Feim Ibrahimit u pëlqye nga të gjithë.
Një mbrëmje vjen në shtëpinë time regjizori dhe miku im Gëzim Erebara. Kishim një miqësi dhe respekt intelektual për njeri-tjetrin. Erebara më thotë: “Kemi bërë një film për Bule Naipin dhe Persefoni Kokëdhimën. Muzikën e filmit e ka kompozuar Feim Ibrahimi, por na duhet teksti i poetit”.
Atëhere unë banoja në një apartament në rrugën “Myslym Shyri”, pranë ekspozitës “Shqipëria Sot”. U nisëm të dy. Shkuam në godinën e Akademisë së Arteve. Në një nga klasat (dhomat) na priste Feim Ibrahimi, para pianos, duke lozur në tastierë. Ishte një melodi e ëmbël, flurore, që përkëdhelte muzgun e vonë të asaj mbrëmjeje tiranase. U ulëm të punonim të tre. Tani nuk më kujtohet nëse kishte njeri tjetër aty. Por, jam i sigurt se jo… Erebara, Feimi dhe unë.
Bëra tekstin: “Era ret’i shtyn në qiellin blu, / kënga ne në luft’ na nis ashtu. / Luft’e rinis kudo është e re, / lufta jonë është e ndershme porsi ne… Ulen ret’ e zbresin përmbi mal. / Vjen pranvera dalim partizanë. / Kjo pranverë që po vjen gjith’armiqt tmerron, / i tmerron ata rini e vendit tonë…. Tej në qiell lart një yll po djeg, / këngën tonë me plumba dot s’e vret…”
Kur doli filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” dhe kënga tërhoqi admirimin e popullit, u dëgjuan vërejtjet që vinin nga “lart”:
– Ç’është ky qiell blu… Ne themi qiell i kaltër…Pse, kur vjen pranvera ne dalim partizanë? Pastaj, ç’është kjo: ”lufta jonë është e ndershme”?
Nuk e donin fjalën “e ndershme”, e ndryshuan duke e bërë “e drejtë”. Por të gjitha këto kritika tani i përballonte filmi dhe Feim Ibrahimi.
Nikolla Zoraqi u kishte dhënë fjalën drejtuesve të Bashkimeve Profesionale se do të bënte një këngë “hymn” për punëtorët. Ai m’u lut ta ndihmoja duke i bërë tekstin. Në Radio – Tirana, filluam nga puna. Nikolla filloi t’i binte pianos… unë dëgjoja. Kur ai pushoi dhe u kthye nga unë, i thashë:
– Nikolla, këtu nuk ka asgjë për punëtorët. Ti këtu ke “Hymnin e Republikës”, dhe çuditërisht, përnjëherësh më erdhi në buzë vargu: “E lirë u ngrit toka jonë / e mbushur me dëshmorë…”.
Nikolla u mërzit shumë, u dëshpërua. Si do t’ia bënte premtimit që kishte dhënë.
Por një ditë, më i qetë më tha:
– E di ti që të gjithë po më thonë se këtu unë kam “Këngën për Republikën”?
– Po, të kam thënë, dhe vargun e parë e kam gati.
U ulëm dhe përpunuam gjithë tekstin. Por kjo këngë na hapi telashe të mëdhaja. Ajo u pëlqye shumë, por nuk pranohej që autori i saj të ishte Fatos Arapi.
Filluan lëvizjet në nivele të ndryshme. U vendos që poetë të tjerë të bënin një tekst të ri. U punua disa ditë, por nuk nxorën dot gjë… Këto lajme vinin tek unë dhe Nikolla. Ahere, Nikolla Zoraqi, tregoi gjithë karakterin e tij të plotë prej krijuesi. Shkoi në Lidhje dhe tha:
– Unë këngën e kam bërë me Fatos Arapin, tjetër autor teksti nuk pranoj!
Nga ky moment unë fitova te Nikolla Zoraqi një mik të vërtetë. Dhe nuk u ndamë më kurrë.
Në klubin e shkrimtarëve isha njohur me kompozitorin shkodran Pjetër Gaci. Ai vinte aty herë-herë së bashku me bashkëshorten e tij ruse. Ishte njeri i mirë dhe i dashur. I këndshëm në biseda, si gjithë shkodranët, me humor.
Pjetër Gaci dëshironte diçka të kompozonte nga veprat e mia. Një ditë ai më thërret në Pallat të Kulturës. Në qoftë se nuk më gabon kujtesa, ishte me të edhe këngëtari Tonin Tërshana. Po, ishin dy veta. Më thonë se duan një tekst për një këngë për Festivalin në Radio Televizion. Unë ua dhashë të shkruar vjershën që kisha çuar në shtyp në vëllimin poetik “Më jepni një emër”. Ky vëllim më pas u bë karton dhe u hoq nga qarkullimi.
Vjersha është: “Kur vinte pranvera”: “Hapa dritaren e dhomës sime. / Nëpër kornizën e qiellit të pastër / hyri dega e bajames mbushur me lule / të bardha. / Dhe dikush foli: erdhi pranvera. / Unë s’e besova… Fluturoi dallëndyshja brenda syve të mi. / Me rrezen e diellit nëpër ajër / ndriti klithm’ e gëzuar e saj. / Gjeti nën strehë dallëndyshja folenë e dikurshme… / Dikush pranë meje tha prapë: erdhi pranvera / Unë s’e besova…. Erdhe ti tek unë. / Me flokët e verdhë. Me një bluzë të hollë / mbi shpatullat e imta. / Nëpër sytë e tu kishin çelur lulet e limonit. / Nëpër buzët e tua pikonte era e limonit. / Të shkopsita bluzën: duart e mia u ngjyen / me diellin e zemrave të luleve të limonit… / E besova: kishte ardhur pranvera.”
Pjetër Gaci e pëlqeu poezinë, e mori dhe pastaj kompozoi këngën e bukur “Erdhi pranvera” që fitoi çmimin e parë në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion.
“Cili je ti, more burrë,
që na vjen nga Shqipëria?”
Do të zhvillohej një festival folklorik. Nikolla Zoraqi ishte caktuar si një nga organizatorët. Ky festival u bë më pas në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë.
Përpara këtij aktiviteti, një ditë Nikolla Zoraqi më thotë:
– Duhet të shkojmë në Vlorë, të nxjerrim një valle labe se na duhet.
Shkojmë. Takimin e parë – nuk e di përse – e morëm me kryetarin e atëhershëm të Bashkimeve Profesionale në zyrën e tij. Ishin edhe persona të tjerë. Aty ishte dhe një miku im, Dalipi (nuk më kujtohet tani mbiemri). Ka qënë një njeri i përkushtuar ndaj folklorit, plot dashuri. Ishte gjirokastrit, po jetonte në Vlorë. Unë – si më i afërt me vlonjatët, – fola dhe thashë: “Na duhet një valle labe… ndofta nga Dukati… se ata e kanë të rëndë… Apo keni ndonjë grup tjetër? Veçse – shtova unë, – e dua vallen me dy rreshta”. Dalipi hidhet e më thotë:
– Fatos, Vlora nuk kërcen me dy rrjeshta.
Po unë kisha parë tim atë në dasmat e miqve të tij. Vlonjatët kërcenin në “dy rrjeshta”. I thashë Dalipit: “si kërcejnë vlonjatët unë e di mirë, po ku duhet të shkojmë?” Më tha:
– Një grup të mirë e kemi në Vranisht.
Me Nikollën shkuam në Vranisht. Na pritën si të presin lebërit: therën qengjin dhe kupat e rakisë përpara. Ishin mbledhur shumë burra që të na nderonin. Nata vazhdonte me dollira.
Unë mendoja me vete dhe kujtoja këngën e gjatë popullore, ngritur prej popullit: “O Qemal kur të përzunë, / kur të përzuri Turqia, – / në Paris brënda të shpunë….”
Nga kjo këngë zgjodha vetëm vargjet: “Cili je ti more burrë, / që na vjen nga Shqipëria? / Unë jam Smail Qemali / dua vatanet e mia… / Do m’i japësh se s’është punë, / është e imja Shqipëria. / Unë jam Smail Qemali, / prapa më vjen historia…”
Të nesërmen në mëngjes ua dhashë të shkruara këto vargje. Ata më njihnin edhe si familje, ndërsa unë u thashë:
– Këtë këngë do të vallëzoni. Për të tjera nuk u flas… unë dua… ju më kuptoni vetë.
Vërtet më kuptuan:
– Mos ki fare merak. Atë punë e dimë ne.
Erdhëm në Tiranë. Do të zhvillohej festivali. Unë e Nikolla Zoraqi ishim në pjesën qëndrore të amfiteatrit. Kishte plot njerëz. U ndje zhurmë. Kthej kryet pas, kishin ardhur edhe anëtarë të Byrosë Politike. Disa prej tyre ishin nga Vlora. Të gjithë prisnim… Erdhi radha e valles labe… Doli grupi i Vranishtit, me dy rrjeshta. Nisi vallja: “Cili je… cili je… / Cili je, ti more burrë… / Unë jam… Unë jam… / Unë jam Smail Qemali…”
Valltarët e Vranishtit fluturonin, harmonia midis të dy rrjeshtave ishte e shkëlqyer. Te ne, as pas, nuk pipëtinte zë njeriu.
Por vranishjotët e mi më bënë të dridhesha. Vargun: “Është imja Shqipëria”, ata e kishin bërë “Është jona Shqipëria”. Tjetër “imja”, tjetër “jona”. Vlonjatët që qëndronin pas nesh e njihnin këtë këngë… Pse ishte bërë ky ndryshim?
Shyqyr, nuk iu futën asaj analize.
Kjo këngë e kënduar nga grupi i Vranishtit u mor pastaj dhe u fut në filmin që u bë për ardhjen e Ismail Qemalit në Vlorë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor.