Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Abdyli: ZËRI LIRIDASHËS SHPËRTHEN ME LIRIKA NGA BURGU

Shënime për librin e Avdush Canajt,”Edhe ëndrrat në pranga”, (Lirika nga burgu), Botimet Armagedoni, 2022.
Ka njerëz të rëndomtë që në jetën e tyre përditshme janë aq modestë sa nuk mund të kuptosh jetën, vuajtjet dhe sakrificatt që ka kaluar. I tillë është edhe poeti Avdush Canaj, i cili me vëllimin e tij më të ri ,”Edhe ëndrrat në pranga” na shpalos një pjesë të jetës së tij sa tragjike, sa të dhimbshme po aq edhe krenare. Autori i këtij vëllimi të poezive në formen e një kronike poetike shpalos kujtimet e hidhura të një të burgosuri në burgjet e Jugosllavisë. Përmes vargjeve poeti shpalos tabllot e trishta që ka burgu i cili është i mbushur me cerberë, dhunues e kërcënues të drejtes elementare të njeriut jetës. Krahas kësaj në vargje defilon edhe zëri i një liridashësi i cili asnjëherë nuk thyhet para vuajtjeve, torturave e keqtrajtimeve nga personeli i burgut. Ai edhe në ato rrethana kur përpëlitej mes jetës e vdekjes gjen forcë që përmes vargjeve të shfaq kundërshtitë e tij, madje duke rrezikuar e duke gjetur forma të ndryshme për nxjerrjen e vargjeve nga burgu. Çdo varg i këtij vëllimi të poezisë është një klithmë, është një protestë, është një zë lirie e krenarie i një njeriu të pathyeshëm. Stili i krijimit, figurat, metaforat e gjetjet poetike e bëjnë këtë libër jo vetëm t’i rezistoj kohës (kujto kohën kur është shkruar në vitet tetëdhjetë të shekullit njëzet), por të jetë edhe i barasvlershëm me vlerat e poezisë moderne që shkruhet sot. Sigurisht po të kërkohej ndonjë preferencë për leximin e librave në këtë fundvit, pa hezitim do të propozoja librin e Avdush Canajt “Edhe andrrat në pranga”, (Lirika nga burgu).
Vendlindje, 3-4 dhjetor 2022.

 

Please follow and like us: