Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: SHAMIZEZAT

Baladë

 

Sa herë kam menduar t’u vij rreth me penë

Më ndalnin ngurimi dhe frika

Seicila prej tyre është vetë një poemë

Shih feksjen e ballit, si drita!

 

Nuk janë murgesha, as plaka dodone

Që zbresin nga mali i shenjtë

Ato janë më shumë se spartane

Që mbledhin dhe prapsin rrufetë

 

I kam parë në dasma, tek zgjaten lastar

Me zërat e jetës në buzë

Kam ndjerë ledhatimin kur isha mitar

Dhe zjarrin që digjej si shpuzë

 

Me emra lulesh dhe pemësh të larta

Me gjurmën e gdhendur te udha

I kam parë edhe veshur si nata

Kur heshtin të flasin me rrudha

 

Tek qajnë një trim, një princ a një kont

Ashtu, rreth një trupi pa jetë

Perënditë kanë zbritur në tokë

Dhe gjykojnë vdekjen vetë!

 

Vallë, ç’profeci u digjet tek gjiri

Ç’orakull ngarkuar mister?

Për lumin e lotit nga nëna tek biri

Për djepin që vdekja ua merr

 

Ato e vajtuan dhe Balshën, Komnenin

Leskodukajt dhe Hodon, që thonë u bë yll

Për plagët e shpirtit melhemin e gjenin

E lisat i mbollën dhe rritën një pyll

 

Oh, ligjërimi i tyre, një drithmë e paprerë

Mban brenda dhe një klithmë Çamërie

Një dhimbje Kosove kam ndjerë

Dhe hënën që zbriste mbi krye!

 

Dhe frymën e fundit mes tyre ta jepja

Një dorë të më zgjatej mbi ball

Kam frikë, u rralluan të shtrenjtat

Për zërin e tyre kam mall..!

 

Tiranë, Dhjetor 2019.

 

 

 

 

Please follow and like us: