Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: Semiotikë

Ka kohë që një shami valvitet

mbi oxhakun e botës.

Ngjan si shamia e krejës që nën të,

gjyshet i fshehin ditët e tyre.

 

Përse kjo shami e bardhë valon aq larg?

Për kë vallë?

Kujt shenjë po i bën?

 

Era luan në trup të saj,

vallëzon a përpëlitet mbi kohë?

 

Kohë lufte- pëshpërit goja e tokës.

Se veç fëmija mbetet në ne,

e pranojmë në kohë krizash.

Se belbëzimi lindi

për ta fshehur thellë

frikën, përçmimin, dështimin.

 

Ka kohë që një shami valvitet

midis dritareve të botës.

A është e bardha gjithnjë pastërti?

A pastërita është gjithnjë vdekje?

Please follow and like us: