Cikël poetik nga Hamit Aliaj
Vrasësit e shqiponjave
Diktatori po vinte në luginën e shqiponjës së përfolur
E cila kish parë dy luftëra botërore të shekullit të njëzet
Në vetmitë e tre brezave kur toka mbetej pa njerëz,
Shfaqej ajo mbi shkretnimin e madh
Si orë fatthënëse e trollit
Vrasësi i nemur i shqiponjave
E vrau fatthënësen. Mjeshtrat e Akademisë
E ballsamosën natën dhe në ditën e përcjelljes
Pritësit nga provinca ia bënë dhuratë diktatorit
Në dhomën ku s’hynte askush
Në vitet kur diktatori u çmend
Kish zhurmë çdo natë. Shqiponja e ngrirë
S’i tregonte rrugën nga hypet në qiell
Në cepin verior të shtetit, një i çmendur tjetër:
Vrasësi i plakur i shqiponjës
Me dekorata të ndryshkura nga diktatori i vdekur
Endet shkëmbinjve dhe vdekja s’e pranon.
Guri i Betlehemit
Provinca s’i pranon poetët:
Edhe në i pastë lindur vet dikur
Tash ka rapsodêt e vet, nuk ka nevojë të lexojë asnjë libër,
Ka sundimtarin e vet të cilit
S’i duhet shkrim e këndim, sepse
I mjaftojnë eposet me shpata arkeologjike
Një tupan e vithe femrash që kërcejnë hulja-hup në veshjet e traditës
Pêr kur t’u shkojnë pashallarët e partisë së radhës
Poetët banojnë larg
Ka shpikësit e vet, provinca,
Mullinj projektojnë dhe rrotën e zbulojnë së dyti,
Luftë i shpallin qiellit dhe lypin të bëhen zotër
I vetmi Atdhe në botë i zbuluar nga poetët
Është Arbëria, Skënder Buçpapaj,
Lëre “ Frikë nga Atdheu” ,
Lëre Dom Ndre Mjedën me zemëratën e tij kur i quajti
“Zglaq i përbuzshëm që Shqypnia t’volli”
E më dil ku të duash në Europë, se kam mbërri
Mos ju tut një reje të bardhë që më ndjek mbrapa:
Kërkon te unë Gurin e Betlehemit
Shpellarë kemi qenë e jemi
A nuk e ndau përgjysmë historinë e pasosme të njerëzimit
Ajo shpella e Jezusit, ditën e tretë?
N’ato shpella të Bjeshkëve t’Epra
Ka nisë mot e jetë, Viti Një,
Për qiell e për Dhe!
—————-
Luksemburg, 24 tetor 2022.
Mungesa
Resh drita në dritë
Vjeshtë në Luksemburg
Zgjatet nata dhe ëndrrat
A thue u kanë ra gjethet pemëve në Kasaj?
Europës i thyhet në duar mermeri
Prej të cilit u nis të bënte njeriun global
Plasaritet mermeri kur prej tij del
Njeriu që vjen nga vende ku ish e ndaluar të qaje,
Zi si pendla e korbit bëhet
Prej njeriut nga vende ku ish ndaluar e qeshura
Herë – herë, më dridh arbnishtja ime natës së Luksemburgut
E kënduar vetmevete nga udhëtar i paemër:
Unë do të mungoj në dekën time
Çka do të shtini në dhe, ju mortarë mermeresh?
Se arbneshët e mi nuk i zë një dekë!
…… ……
Luksemburg, 14 tetor 2022.
Mic Sokoli
Në mbiemrin tënd fluturojnë
Sokolat e bardhë të bjeshkës:
E rrënja i thërret lisit,
lisi i thërret gurit,
guri i thërret drurit,
druri i thërret barit
bari i thërret erës,
era-krahut të Sokolit:
O more Mic Sokoli!
Lum toka që thirret në emrin tënd
E lum fluturimet e sokolave!
Please follow and like us: