Fritz Radovani: E SHKRETA SHQIPE!
110 vjet e shporueme mbi kokë!
Sot në dukje të pergjithshme shumë pak njerëz merren me yjet!
Gati askujt nuk i shkon mendja me pasë në shtëpi një teleskop apo dylbi…
Kedo me pyet pse nuk i mban këto, menjëherë do të pergjegjet “çka më duhen!?”.
Pak e aspak shtete në Botë janë marrë me yjet! Ma shumë se Shqiptarët nuk besoj se asht marrë kush! Edhe Poeti ynë kombtar, i madhi At Fishta, kryevepren e vet që na ka lanë në poezi “Nji lule vjeshtet”, e ka shkrue per “yjet”, që edhe sot nuk dihet se per cilin “yll” e ka fjalen. E lexojmë dhe në fund “çuditemi” ku i ka shkue mendja!.. Ka edhe nga ata që dijnë me i lexue yjet… Edhe në Shqipni ka prej “tyne”… Ka ma shumë prej atyne që ja fusin kot se gjoja e kanë lexue nder yje… E kur vjen fundi ju del si thonë ata!
Kaq shumë jemi kenë të pasionuem na shqiptarët me “yjet” sa me marrë të gjitha vitet bashkë, nder 600 vjetët e fundit nuk di a bahen 35 vjet që e kemi pasë Flamurin tonë kombtar “pa yll e spata”!.. O siper, o në qoshe, o para ose mbrapa, o n’ anë e shpesh në mjedis, por pa “yll” kurrë! E per mos me e lanë yllin vetem afer tij vume hanen. Edhe kur u lidhem me Kinen, thonin se na lidhen “yjet”!
Aq per qejfë e “marak” e kishim “yllin” sa edhe kur “disave” u pat shkue mendja me vue në mjedis të Flamurit një “Shqipe”, ju dukte disave “sorrë” se mungonte “ylli”… Ka prej “tyne” edhe sot! Kur pyeta një plak se pse Shqipja ju duket “sorrë”, mu pergjegjë se: “Na njohim sorren, se Shqipen nuk e kemi pa kurrë!”… Në fakt Até e solli Gjergj Kastrioti nga Turqia, se prej vendeve tona porsa erdhen turqit Ajo u zhduk…
Ndoshta, pak shtete në Botë si Shqipnia perfaqsohen edhe në Flamurin e vet me një simbol që i pershtatet emnit Tyne: “Shqipja e Shqiptarëve”! E megjithate, askush nuk ua di per nder Atyne Burrave që jo vetem na e lanë trashigim një Flamur Kombtar si Ky, por edhe po mundohen perditë e “pernatë” e ma shumë me e mohue edhe Emnin e Tij!
Mendoni se çka do t’ishte ba në Trojet tona, sikur mos t’i kishte shkue mendja fare Gjergj Kastriotit me i vue Shqipes dy krena, por ta kishte lanë vetem me “një” edhe Até të kthyeme kah deti Adriatik, se nuk po tham “prite Zot, nga Europa Perëndimore”…Si duket, qyshë para 1468 Atij i paska shkue mendja se një kokë Shqipja e ka të ngrime nga Lindja dhe as nuk ka Burrë Shqiptar që do të mundet me ja kthye ndonjëherë nga Perëndimi!
Shumë shpejt mbas vdekjes së Kastriotit, Shqipja “fluturoi”… iku nga Flamuri!
Edhe Shqiptarët filluen me u ba “hanë…hanë”! Kështjellat me “hanë” e Malet prap me Shqipe!.. Vetem nder Malësorë ruhej emni Shqiptarë!.. Qytetet e fushat ishin me “hanen”, të cilen edhe até turqit ua ndane pergjysë…E as nuk ju shkonte ndonjëherë nder mend se edhe hana do të vijë njëditë e nuk do të shihet ma, se per fatin e “keq” shumica nuk dinin me e lexue “yllin” që kishte pranë!
E që filloi me humbë “vezullimin” e vet!
Ata burra që dinin me lexue yjet, dalluene “errësimin” e tij në fillimin e shek.XX.
Nder Malet e Hotit ishte i pari Dedë Gjo’ Luli, që dalloi mbi kreshtat e veta një Shqipe me krahë të hapun, së ciles Ai i dhuroi dy djelmët e vet dhe, bashkë me Burrat e Atyne Maleve kreshnike, vrapuen mbas Saj…
E ajo ndaloi në Bratilë të Deçiqit në 1911.
Shqipja erdhi në çerdhen e vet Shqiptare! Nuk kishte ardhë me ikë.
Kështu thonin edhe Ata që dinin me lexue “yjet”, të cilët ikën dhe…u errën!
Me 28 Nandor 1912, prap Shqipja e Shqiptarëve në Shqipninë e Gjergj Kastriotit!
E i madhi Don Ndre Mjedja i këndonte:
Mbas téjet, Shqype, burrat flutruene
Nder male t’ reja, n’ nji lugje t’ ré:
Ngadhnjim o deken tuj lyp’ u lëshuene
T’ gjith per atdhé.
E luftojnë rrebtas: nen breshen plumbit
Qi karajfilet lëshojn’ e bershanat,
Turren, o Shqype, si rrjedha e lumit,
Trima si zanat.
(Juvenilja, fq. 91).
E në sa era valvitë në pafundsi pelhuren e mëndafshtë të qendisun me Shqipe, një ditë një Burrë i këndoi:
“Posi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rreh Flamuri i Shqipnisë,
E thërret t’ bijtë e Kastriotit…”
At Gj. Fishta “Hymni i Flamurit Kombtar”.
Po, a mund ta shihte këte Engjull tue rrah krahet mbi qiellin Shqiptar Esad Pasha, Haxhi Qamili, nipi i dajes Esad, Ahmeti, komshijtë sllavë, italianë e grekë që, pa kalue pak vite na e zhgarraviten Flamurin jo me spata, jo me yje, jo me drapen, jo me faqen e zezë të veten… E deri në vitin 1990, që e pame tue u valvitë në Rrëmaji të Shkodres, me daten 11 Nandor 1990…Gati e kishim harrue se mbi Fushen e lame me gjak Atdhetarësh të Atij Flamurit të Gjergj Kastriotit, bash në Zallin e Kirit tek Çinarët, e ka vendin vetem Shqipja e Tij e askush tjeter!
Po a guxonte njeri me e “pastrue Flamurin nga pislleku shekullor?”…
Pergjegjen e ka dhanë Revolta e të burgosunëve politik të Spaçit në 1973…
Ata Burra që u pushkatuen dhe u masakruen nga komunizmi, ku e kanë sot një “gurë” ku mund të vendoset një “Flamur pa yll” në shenjë kujtimi në Tiranë!? –
Askund! Tashti në 110 vjetorin e Pavarsisë Kombtare, kur turqit po merren edhe me “zbulime”…, nuk asht çudi aspak që të “shpallin” edhe se kur iken nga Shqipnia në 1912, kanë gjetë të shkrueme nder yjet që ka edhe sot mbi gjoks Ever Hoxha se “mbas 100 e sa vjetësh xhonturqit ishkomunistë kanë me na i rikthye edhe njëherë osmallijtë aty nga viti 2028, mbas 100 e sa vjetësh që pat lé luciferri i terrorizmit në Shqipni. E që vazhdon me kenë hero i komunizmit terrorist”
Sot asht një matrapaz i “rilindjes komuniste” që Shqipes ia ka gjetë vendin se ku Ajo duhet me fluturue? – Dikund andej kah “Ballkani i hupun”, tek disa modele të Beogradit që para 80 vjetësh t’ parët e tij komunistë i quejtën “vëllezer gjaku”, ashtusi turqit per 500 e sa vjet.
E per këta monstra, At Fishta e ka pasë lanë të shkrueme:
“N’ ndo’i gjuhë barbare t’ Turkestanit t’ egër
Nana Shqiptare njellë ua kishte gjumin
Nipave t’ Skenderbeut: E Atme, e doke,
E fis, e emen, t’ tana djerrë i kishin…”
At Gj. Fishta,“Ditën e të shuemve”
E Burri me zhgun e konop perbel shperthen me “Një gjamë dëshprimi”:
“O gjak i Atyne burrave fatosa,
Që per Liri t’ Malësisë kullove rrëkajë,
Vlo, vlo, ti sot, që maleve u erdh sosa,
E para fronit t’ Perëndisë me vajë
Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,
T’ cilët kombin tonë po duen me e pa t’ sharruem!”
E shkreta Shqipe e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut ! E mjera Ajo!
N’ doren e kujt ka ra !
Melbourne, 14 Dhetor 2022.