Sadik Bejko: Libri i tretë poetik i Manushaqe Toromanit
Manushaqe Toromani sjell librin e tretë me poezi. Në këtë libër të ri jemi para një atmosfere poetike të ankthshme. Nata dhe shiu u japin ngjyrimin turbull pamjeve të një qyteti, rropatjeve në një jetë që duhet nisur çdo herë nga e para me shpresë për një fat më të mirë, me shpresën për një punë, për miqësi dhe shoqëri. Pamjet ngjajnë me një pjerrinë rrëshqitëse ku duhet të kapesh me thonj e me dhemb për të mbijetuar. Nën tingujt e një kitare gjithçka mund të tulatet, dridhmat e ngjallin heshtjen dhe ëndrrat mund të jenë aq mashtruese, aq pranë sa po t’i prekësh, mund të gremisesh bashkë me thyerjen e iluzioneve… Uni lirik, apo thënë ndryshe, heroina lirike e këtyre poezive nuk lodhet të besojë, nuk ia përton jetës, do ta rrokë, ta ndryshojë, ta prekë e ta shijojë. Në thellësi, diku në një vend rural, është familja e prindërve. Atje malli të thërret dhe asnjëherë nuk kthehesh më. Lëndinat me bar, fëmijëria të ndjellin me jetën e vatrës tradicionale, por aty kurrë nuk do të kthehsh më.
Në jetën e metropolit, herë me punë e herë papunë, herë ‘me miq e me shumë shoqëri’, herë e vetmuar, herë në dashuri, më shumë me iluzionin e një dashurie të përjetshme, të ëndërruar, në mungesën e dashurisë, herë e realizuar por dhe e zhgënjyer, heroina lirike e këtij libri ka fituar një përvojë jete, filozofinë postmoderne të njeriut të qytetit, njeri që duhet të jetë i pavarur nga të tjerët, i pavarur si individ social, si psikologji, si mënyrë jetese. Njeri që ka të rrënjosur një besim se jeta duhet jetuar edhe kështu. Më shumë: jeta duhet dashuruar.
E rëndësishme është të qëndrosh mbi të dy këmbët e tua në sfidën e çdo dite, e çdo viti. Të jesh i gatuar me fuqinë për t’u përleshur me fatin. Fatin duhet ta bësh, ta kërkosh, të pranosh tatëpjetat e të përpjetat e tij, me synimin që ta marrësh segmentin tënd të rrezes së dritës në këtë univers, me synimin ta kapësh fort fatin, me synimin ta kapësh jetës tënde, ta jetosh, ta shijosh.
Në këtë kryqëzim të të vërtetave të tua me ato që vijnë nga fuqi që janë më të mëdha sesa ti, që janë jashtë teje, ky individ di të jetë vetja, ta gjejë ku është jeta e tij, ta bëjë jetën e tij, të jetë vetvetja. Jeta që për këtë njeri nuk është ndonjë përrallë e bukur.
Nga sa parashtrova më sipër, libri, pa e mëtuar këtë, herë-herë merr peshën e një poezie të mendimit. Temat e fatit, të jetës, të lumturisë, të dashurisë të mbeten ndër mend jo vetëm për dëndësinë, por për domethënien e tyre. Autoria nuk sjell një poezi të situatave të lehta e të bukura nga jashtë. Ajo sjell vrazhdësitë e jetës. Nuk bën pozën e njeriut të vuajtur, as të njeriut të fortë. Me një sinqeritet shpartallues shpesh na vizatohet një njeri që e pëson, njeri me të metat, me gabimet, me pasiguritë, me dobësitë e veta. Fuqitë e brëndshme të këtij njeriu përforcohen dhe nga ndjenja e humorit që është cilësi e disa poezive të librit. Një humor i lehtë, fare i lehtë, humor që u jep reliev situatave poetike, zbut tonet e rënda, çdramatizon vizatimet bardhë e zi të disa pamjeve.
Nata, shiu, telat e kitarës, rrugët e qytetit janë nga topikët më të përsëritur të këtij libri.
Një nga cilësitë dalluese të formës është lehtësia me të cilën Manushaqe Toromani shkruan poezinë. Kjo duket në vargjet me ritme të shpejta, në fjalën e xhveshur nga fuguracioni i kërkuar, në thjeshtësinë e strukturave të poezisë, një poezi e shkurtër që shkon drejt rrumbullaksimit. Thjeshtësia për mua është cilësi e mirëpritur. Është më e vështirë të shkruash poezi të thjeshta, sesa t’i ngarkosh me barokun e një figuracioni të sforcuar. Manushaqe Toromani nuk vuan nga mania për t’u dukur poete e madhe. Ajo shprehet paqtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me një fjalë të qëruar. Duket se ajo rreh më shumë që ta thotë një gjë, sesa të mundohet për të gjetur mënyrën sesi ta thotë. Thjeshtësia e saj është pothuaj e paimitueshme. Ngjan se askush tjetër nuk paska shkruar para saj. Kjo shprehësi atipike e gjen shoqen te disa poezi të Çajupit, si tek “Mëmëdheu”, “Ku kemi lerë”, “Bariu” etj.
Për disa nga këto cilësi, për poezinë refleksive me mesazhe mbi filozofinë e jetesës, për vizatimet bardhë e zi të gjëndjeve shpirtërore dhe të pejsazheve të natës, të shiut, të rrugëve nën tingujt e kitarës, për thjeshtësinë dhe elegancën e fjalës, të vargut dhe të strukturave poetike, për dramacitetin e ngritur dhe përthyerjen me humor të zymtësisë, dhe për të tjera cilësi që lexuesi do t’i zbulojë në lexim, mendoj se ky libër shënon një sukses, një hop në poezinë e autores.
Tiranë, 2 shtator 2015.