Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Armenida Qyqja

MOLLA E ARTË NË DUART E ZOTAVE

Nuk ka turp njerëzimi, Alan,

E harroi dhe fytyrën tënde, bir,

Imazhe të tjera vendin ta zunë,

Nga Siria gjer në Ukrainë…

 

Në bregun e shpresës flijuar të harruan,

Ashtu siç harruan Krishtin në kryq,

Perënditë që kurrë në lavdi s’u ngopën,

Në luftëra të reja i ngasin i çdo ditë…

 

Të harruan Alan, në gjak e dallgë mbytur,

Ashtu si mijëra foshnje para e pas teje,

Lodër është lufta, lodër e vjetër,

Molla e artë në duart e zotave…

(Dhjetor 2022).

 

LERMË TË TA USHQEJ ZEMRËN

Mes nesh ka akoma mijëra fjalë të pathëna,

Në pritje rreshtuar nga zemra, gjer tek sytë,

Ç’punë kanë buzët me oshëtimën e gjakut,

Që me ty rend kudo edhe në ëndrra…

 

Mos u shqetëso, ai çasti bosh

S’ka shanc të na ulet në prehër i paftuar,

Lërmë të ta ushqeje zemrën mes puthjesh,

Me atë që nuk mbarohet kurrë…

 

Afrohu i dashuri im, afrohu!

Lermë të përshpëris një të fshehtë:

S’ishte zjarr ç’ka u vodhi zotave Prometeu,

Por Dashuri, ajo që i bënte të rronin përjetë…

(Dhjetor 2022).

 

 

FRYMË

Duhet të vije ti, që të njihja vetveten,

Përtej imazhit të reflektuar në pasqyrë,

Kufijve gri që ndajnë fitoret me humbjet,

Pakuptuar kisha harruar krejt qënien…

 

Veten pash me sytë e dashurisë,

Në retinën e syve të tu një mijëfish zbukuruar,

Përtej përkufizimeve të ngushta të botës,

Frymë mori një grua e nguruar…

 

Me ty mësova prapë ta doja veten,

Për atë që është me tërë vragat mbi shpinë,

Buzët t’i ndjeva mbi shpirtin e thërmuar,

Tek ngjisnin mes puthjesh mozaikun e prishur…

(Nëntor 2022).

 

 

DASHURI E DHIMBJE

Në vesh të shurdhër, do bien tërë ankesat,

Sikur, kurrë të mos jenë thënë,

Do heshtin pemët dhe kur marshet funeber,

Era dhe shiu do mbajnë në gojë…

 

Do heshtë pellgu, s’do qajë për lejlekët,

Pelikanët e ikur matanë botës, larg,

Kujtimin e tyre do përtypë i mekur,

Shpirtin e tij, në dimër të mbajë gjallë…

 

S’do më dhimbsen pemët, as pellgu i mekur,

Fytyra e tij, e tkurrur në pritje,

Në kullën time, me heshtjen vetëm kyçur,

Ngadalë do bluaj dashuri e dhimbje…

(Shtator 2021).

 

TANI KE RRAHJEN E ZEMRËS

Asnjë varg s’matet dot me ndjenjën

Që mbush tërë hojet e shpirtit,

Kur sytë e tu mbi mua përhumben

Si para një pikture që t’i vjedh fjalët…

 

E di, s’janë konturet, as grimi, as veshja…

Është drita që fryma jote mbolli në mua.

Fjalët s’do munden kurrë ta thurrin frymën

E në vargje ta kthejnë, më kot mundohen…

 

Mbylli tërë ç’kam shkruar dhe pranë meje eja!

Një ditë tjetër do të duhen, kur më të mos jem,

Tani, ke rrahjen e zemrës që oshëtin me ty brenda,

Poezinë që nuk hidhet dot as në mijëra letra…

 (Nëntor 2022).

 

KOHË PËR DASHURI

Mbërriti dimri këtej, pa trokitur,

S’e la vjeshtën të gëzojë ditët e veta,

S’më dhimbset aq sa zogjtë e mbetur,

Atje jashtë, peng të foleve të vjetra…

 

Gjashtë gradë celcius dhe shi,

I përgjumur po dridhet mengjesi,

Por ti mos u shqetëso, i dashur,

Buzëqeshjen tënde kam veshur…

 

Krahë-rrahjet e fluturave dëgjoj,

Ditëve të mbushura me diell, pranë teje,

Fërfërimën e ëmbël brenda shpirtit ndjej,

Si atëherë, me çdo prekje e puthje…

 

Po ti a e dëgjon? Po zbrazet qielli,

Avujt e mallit dhe litarët e shiut

I veshën jashtë dhe brenda xhamat,

Eja, është kohë për dashuri…

 (Tetor 2022).

Please follow and like us: