Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: AT GJERGJ FISHTA, DIPLOMATI MA I MADH I KOMBIT SHQIPTAR

 

At GJERGJ FISHTA O.F.M. (1871 – 1940)

 

Jo larg prej Shkodres, në fshatin Fishtë të Zadrimës familja e Ndok Simon Ndocit dhe e Prendës së Lazer Kaçit prej Kotrrit, me 23 Tetor 1871 i dhanë Shkodrës e Shqipnisë një djalë me emnin Zef (Zekë). Asht kenë pagëzue nga frati italo-arbnesh që aso kohe ishte famullitar në Troshan, me emnin At Leonardo de Martino.

Prej vitit 1861 në Shkodër ishte e hapun Shkolla e Fretenve (Etenve Françeskan).

Në 1880 në Troshan, shumë afër vendlindjes së Zef Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyne hapin Kolegjen ku Zefi vijon mësimet në Troshan. Eprorët vendosin që ta dërgojnë për studime në fakultetin filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte fitue pavarësinë nga Turqia dhe katolikët studionin atje tek Urdhri françeskan.

Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyne me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Mbas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati në 1886 së bashku me At Ejëll (Sebastjan) Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bona Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill).

Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte me andje klasikët grekë e latinë si dhe italianin Dante Alighieri.

Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njikohësisht edhe koleg i tij At Pashko Bardhi, Zefi dallohej në punimet e hartimeve letrare, filozofike, teologjike vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate.

Fishta ideoi krijimin e një shoqërie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruente traditat dhe vlerat ma të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, që ka datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emni i xhakonit fra Gjergjit.

Ai pëlqej emnin Gjergj, Emnin e madh me anë të cilit na sot e njohim poetin kombëtar.

Emri i fundit Gjergj, në aspektin fetar, asht i Shën Gjergjit, martir, shek. V, ndersa në anën kombtare, asht emni i Heroit tonë Kombtar, Gjergj Kastrioti.

Fishta për natyrë në pak kohë bante përgatitjen e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh.

Në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet në Shqipni, me kulturë gjuhësore në: latinisht, italisht, kroatisht, frangjisht e gjermanisht, si dhe njohuni në muzikë e artet figurative. Kishte prirje kryesisht në pikturë dhe arkitekturë.

Më 25 shkurt 1894 të dielën, në moshën 23 vjeçare, tha Meshën e parë në Troshan.

At Gjergj Fishta O.F.M., caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqe,

Detyra e famullitarit i dha mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnrore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtnore të banorëve të këtyne maleve, doket, gjuhën krahinore shpesh edhe të panjoftun, bujarinë, nderen, besnikninë, trimninë, krenarinë, drejtësinë, vorfninë ekonomike, urtësi, mungesën e shkollimit, hakmarrjen dhe dëshirën për të kenë të lirë.

At Gjergj Fishta do të pervetsonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante ma vonë veprat e tij të mëdhaja letrare.

Në Gomsiqe “… Fishta do të njohë deri edhe skutat ma të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarëve, ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.”

“Në Gomsiqe, njihet me koloritin e gjuhës së Zadrimës.” At Fishta shpesh shkonte nder Malësi per me njoftë komunikimin e gjuhës shqipe.

Më 1899, At Fishta gjithnjë shkruen me alfabetin latin të françeskanëve.

Me 1899, falë miqësisë e admirimit që krijoi tek abati Imzot Prengë Doçi, një nga personalitetet ma të kulturueme, i cili e ftoi At Fishten si bashkëthemelues të Shoqnisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, me At Pashk Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, etj.

Më 1899 At Fishta bashkëthemeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi” së bashku me abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçi, ku At Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit.

Po at vit At Fishtës i vritet vëllai për gjakmarrje, që u ba shkak që ai të shperthej në poezinë “Gjaksorëve”. Megjithse, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çmos deri sa i detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por “edhe me u miqasue ato dy shpi”.

1899 shënon edhe fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën “Albania” të Faik Konicës, por gati të gjitha me pseudonime. Po ashtu do të botojnë edhe në të perkohshmen Elcija, mâ vonë: “Lajmtari i Zemres së Krishtit”.

Në 1902 emnohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe Drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër. Asht i pari Drejtor Shqiptar i kësaj shkolle, At Gjergj Fishta vendos në programin mësimor të asaj Shkollë në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha landët.

1911 u festue 50-vjetori i hapjes së shkollës, dhe me këtë rast u ba nji aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguen me pjesëmarrjen e tyne autoritetet zyrtare, fetare, shërbimi diplomatik, kryesisht të konsullatës austro-hungareze, dhe shumë antarë të bashkësive të tjera fetare, myslimane dhe ortodokse.

Me 24 mars 1912, programi i këtij aktiviteti ishte përgatitë prej vetë Fishtës. Të thirrun prej të gjithëve në Shkodër dhe të njohun si shkollë kombëtare.

Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës At Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësue famullitarin e atij fshati, Át Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me plakun Marash Uci, të cilin do ta përjetësonte ma vonë në vargje.
“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës ju ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kësulë të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftari.”

Do t’ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njikohësisht miku i tyne, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, që do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e MaltsiisKangë Popullore I – Marash Utsi.

1906 Luigj Gurakuqi do t’i kushtonte Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila asht metrika e parë në gjuhën shqipe.

Me 15 shkurt 1907, sëbashku me At Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën Bibliotekë shkollore në Shqipni.

Po këtë vit pranë shkollës çon nji trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vênte në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e hueja, tue vû kështu nji tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare.

At Fishta arriti me botue pjesën e dytë të “Lahutës” me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, i njohun me emnin Oso Kuka.

Në vjeshtën e atij dimni Fishta hapë kurset e natës për të rritunit, për të mësue shkrim e këndim dhe ma vonë krijon nji shoqni bamirëse për fëmijët e varfën, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t’ishte nji nga shembujt e dashnisë së krishtenë per të varfnit të Shën Françeskut një mision i vertetë.

Këtë vit arrinë me botue në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitun, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët Fishta lëshon pamëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij.

Në nandor 1908 mbledhet Kongresi i Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin merr pjesë atje si përfaqësues i Shoqnisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Perballë Dom Ndre Mjedës, Mati Logorecit, Hilë Mosit dhe Luigj Gurakuqit si përfaqësues nga Shkodra. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante Fishtën të dallohej ndër të tjerë, ku bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte për vete 49 zâje porsi Kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të alfabetit.

Ishte një triumf për fratin e përvuejtë”. Simbas Karl Gurakuqit: “Kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike”.

Për Prof. Tomor Osmanin përveç kësaj ai u zgjodh edhe për: “Erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”. Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit At Gjergj Fishta mbajti nji fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyne.

Fjala e Fishtës në Kongres simbas shtypit të kohës bani për vedi të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu nji letër të At Pashk Bardhit që i kishte dërgue At Shtjefën Gjeçovit. Në të cilën Ai i shkruen se fjalimi i Fishtës “kishte ba me kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë At Fishten ngrykë me lot për faqe”.

At Fishta tashma ishte ba një personalitet popullor i veçantë në jetën e qytetit Verior të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipnisë, përmes njohjes veprave dhe bashkëpunimit me intelektualët ma të njohun, predikimeve, konferencave dhe fjalimeve publike të randsishme etj.

Jeta publike kishte ba që At Gjergj Fishta të merret e të trajtojë edhe çashtje politike e juridike. Aty shifet edhe fryma diplomatike e At Fishtës.

Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, At Fishta kje përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi Shqiptar falë kontributit të  At Fishtës do t’ishte ai që njihet në Shqipni dhe jashta saj.

Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, në biblioteka, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial Ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “Një avokat i përbetuem i integrimit të Shqipërisë në kulturën Perëndimore të krishtenë në Europë.”

Tregon Át Anton Harapi, nji prej kulturologëve ma të shkëlqyem shqiptar, n’artikullin ”Shqiptari i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e At Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me At Gjergjin, donte disi me përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzit e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni..,veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”.

Po këtë vit At Fishta nisë me lexue e njikohësisht tuj studjue me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu si me nismën e De Martinos. Kështu ai ven në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut.

At Fishta pati bashkëpunim me Motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipni në 1879. Ato mbasi kishin hapë në Shkodër shkollën e tyne për vajza (1876), në vitin  1925 Motrat e kthejnë shkollen e tyne me emnin Normalja e Stigmatineve,

Gjithashtu në 1908-1909 shkruen melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.

Po në 1909 boton në Zara Pika Voeset, Shtypshkroja Vitalini, nji përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës ma vonë do t’ia ndryshojnë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit.

Në 1911, më 19 dhjetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së Shkollës Françeskane At Gjergj Fishta nisë me shkrue dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm mbas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i Qytetnuem, prej së cilës doli mesazhi i Shqipnisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuemit.

At Justin Rrota kujton se: “N’atë rasë, nepër dritën e llampave, prej korit së kangtorìs pàshë, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”.

Këtë vit falë autoritetit që kishte At Fishta dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945) si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe Malcorëve kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuen kundër xhonturqve.

Më këtë rast nji vit ma vonë në 1912, At Gjergj Fishta dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqe dhe humane.

Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe nji ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës nji kunorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare.

Këtë vit në 1912 At Fishta dekorohet dhe nga Mbretënia Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipni.

Qyteti i Beratit i dërgoi nji pupël ari (pendë) (1913),

Piu XI i dha Medaglia di Benemerenza (1925),

Urdhni françeskan Lector Jubilatus (1929),

Greqia Phoenix (1931).

Qeveria italiane e bani anëtar të Akademisë së saj, Academico d’Italia 1939.

Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Mati Prennushi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj.

Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipnia gjendej në prehën të Pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muej Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze. Aty ishte edhe At Fishta e Imzot Jak Serreqi arqipeshkvi i Shkodrës,

Më 12 qershor At Fishta ngre flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u bashkue me Shqipninë tashti e Pamvarun, mbas muejve të gjatë të rrethimit malazez.

Në tetor të 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen Hylli i Dritës, nji nga revistat ma të mira në historinë e shtypit Shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij kulturor: Publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetra artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i japin nji tjetër përmasë personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhjetë At Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, që u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse At Fishta, e dënoncoi hapun për pandershmëri dhe pabesi hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që baheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënue nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Át Shtjefën Gjeçovi, m’andej në Vig, ku ishte Át Pashk Bardhi e ma në fund në Troshan, ku shërbente Át Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t’ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën.

Për fatin e Fishtës shpërtheu Lufta I Botnore dhe ai doli jashtë vëmendjes.

Më 28 Nandor 1913 u kremtue festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej.

Filloi edhe Lufta e Parë Botnore dhe çashtja e At Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve ju desht të merreshin me të tjera punë ma të randësishme. Janari i 1916 e gjen Shkodrën prap të pushtueme, kësaj here nga austro-hungarezët, tashma jo për ndonji përfitim territorial, por për justifikim strategjik.

Ky vit do të shënojnë tre ngjarje të randësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 – 11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e “Komisisë letrare” me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918).

Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Mjedën, e Mati Logorecin, Gjergj Pekmezin, Át Ambroz Marlaskajn, Át Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hjedhi bazat e drejtshkrimit bazue mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për nji terminologji të re për administratën shqiptare. Mbas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej “dialekti i Elbasanit” si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e At Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte ma i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja Shqiptare e Veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbye si udhërrëfyese për italishten letrare.

Në fakt rrokullisja e ngjarjeve solli pasoja tjera shumë problematike dhe të pa shpresë per një zgjidhje objektive të gjuhës letrare Shqipe.

Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës “Posta e Shqypniës” shqip – gjermanisht e subvencionueme nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk parakishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsejt 89 numra), e punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Át Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte ”themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikujt kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”.

1916 At Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyme botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u banë në shtypshkronjën “Nikaj”.

Bashkë me Át Anton Harapin, e Gurakuqin bajnë bashkë Malcorët e Hotit e Grudës me ra në Shkodër në shenjë proteste për lanjen e ktyne tokave Malit Zi. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr At Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe Malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botnore, ushtria austro-hungareze tërhjeket nga Shqipnia dhe del në pah çashtja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919, në përbamje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli. Turhan Pasha emnoi Imzot Bumçin në krye të Delegatës, që të ndryshonte pamjen e huej të Shqipnisë si “Turqi e vogël” tue kenë se ai kishte kenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg.

Mbas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndamjen e Shqipnisë, simbas Konferencës së fshehtë të Londrës së vitit 1915, delegacionet shqiptare ishin të vendosun të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuem nga Imzot Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit At Gjergj Fishtën.

Materialin, “Të drejtat e Shqipnisë etnike”, në konferencë të mbajtun në Universitetin e Parisit të shkruem në frangjisht nga At Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, diplomatike, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gja që mbetet ende edhe sot nji model i ndërtimit të nji esejeje apo shembull oratorie. Në letrën e Át Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkrue nga Parisi, provincialit Át Vinçens Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, prej fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavëve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipniën jugore me Korçë dhe Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi Shqypninë e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”.

Tue kenë se situata ishte ndërlikue së tepërmi, në lidhje me Shqiptarët dhe tue mos gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, sipas letrës së Fishtës, dërgon në Romë Imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, tek Papa Benedikti XV. Papa, tue kenë nga takimi i maparshëm i mirinformuem rreth problemit Shqiptar, ndigjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë.

Në fund të bisedës, tue kenë i bindun se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, dhe në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikani kishte marrëdhanie të mira, Papa Benedikti XV pat deklarue se do bante çmos për ta shpëtue Shqipninë nga copëtimi i matejshëm i saj.

5 shkurt, 1920, bashkë me Imzot Bumçin zhvilluen takimin e radhës me kardinalin në zâ të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue ma teper çashtjen kombëtare, i cili muer përsipër t’i shkruente në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, mandej, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj.

Mundi dhe djersa e At Fishtës dhe të gjithë tjerve, që u kunorëzue me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe mandej, më datë

19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipnia së fundi siguroi tanësinë e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës së vitit 1913.

Kështu Papa Benedikti XV, më 12 Nandor 1920, emnon Imz. Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipninë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve t’a njihte Shqipninë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto të vendit tonë.

Mbasi pranon se edhe ai vetë, At Gjergj Fishta, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja: “Të them të verteten se m’âsht dasht t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’ se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të asaj së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saja”.

Më 1921 ridel mbas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërpreme, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, Fishta e zhvillon në revistën “Zani i Shna Ndout”.

Ndërkohë shkolla publike ishte një projekt i ri që At Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendjen e tyne. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj atyne u duhej me urgjencë një gjimnaz klasik.

Duheshin sigurue ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhun, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare.  At Fishta së bashku me Provinçialin e ri, At Pal Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha nji shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale ju nep nji hua me lehtësi shlyemje, ndihma të cilat i ndihmuen për hapjen e shkollës publike me emnin tashma të njohun “Illyricum” me nxanës të të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Ndërtesa e bleme u bekue ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, tue i hjekë periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhanë Kishës 4 ipeshvinj, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretën.

Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur dëtyrohet m’e lanë propozon At Ambroz Marlaskajn.

Mbasi niset në shkurt 1922 nga Liverpuli, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërgue provincialit, At Pal Dodajt, nga Uashingtoni thekson se, mbas dymbëdhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga Anglia, ma në fund kishte mërrijtë në Amerikë. Viziten e përshkruen mjaft bukur në nji letër dërgue At Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë kohë, kishte fillue me bâ lobing rreth çashtjes së Shqipnisë.

Mbas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling, Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i nji mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve. Në letrën e naltcitueme, At Fishta do shprehej: “Asht mirë qi Qeveria e Tiranës, t’i dejtojë nji shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje…”

Në fund të letrës, shkruen At Fishta: “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Ishin Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. At Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte ba në rolin e nji deputeti të Shqipnisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si një intelektual dhe një  diplomat që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjegje të nji letre që Fishta i kishte dërgue, i shkruen nga Bostoni këtij të fundit: “Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëm nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e shkuara”.

Ndërkaq tue u kthye nga Amerika, Fishta i shkruen Át Pal Dodës se asht tue shkrue nji poemë satirike. Është fjala për poemën “Gomari i Babatasit”, vepër e cila u botue në dhjetor 1923, me të cilën shënoi pjekuninë e tij të plotë artistike.

Po këtë vit del gazeta “Ora e Maleve”, që u ba shkolla e gazetarisë Shqiptare, në të cilën kontribuen oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese dhe e ambël e Vinçenc Prennushit, studimet e holla të At Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Bernardin Palaj etj.

Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruen: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjinin e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj.

Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike…, mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndoshta me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përcjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e gratë nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh.

Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Imzot Mjedja, Gurakuqi, Patër Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri tek shtypshkruesat me Gjon Shqipnin në krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”

Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk kje e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore e Beogradit vjen në pushtet më 24 dhjetor 1924. Burgosen Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipnia dhe At Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku mbas kurimit me kujdes t’ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë.

Me 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e jo sikurse asht shkrue në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës preu frymën përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti.

Më 1924 botohet për së dyti “Mrizi i Zanave” dhe në vitin 1925 “Vallja e Parrizit” (botimi i dytë), “Ifigjinia n’Aulli”, “Sh. Luigj Gonzaga” (1927), “Shqyptarja e gjytetnueme”, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në revistën “Leka”, “Mojs Golemi i Dibrës” e “Deli Cena”.

Më 1930 emnohet nga Urdhni Françeskan “Lector Iubilatus honoris causa”. Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipninë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai asht anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht.

Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës.

Qeveria shqiptare, për me mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende.

Në 1930, Konferenca kje mbajtë n’ Athinë, Shqipnia kje përfaqësue nga At Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica.

At Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtue provincialit Át Vinçenc Prenushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte kenë shumë në naltësinë e duhun.

At Fishta, në këtë Konferencë kje përqendrue në zhvillimet kulturore në shtetin Shqiptar.

Konferenca e dytë kje mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguemit e Shqipnisë, rishtas ishin At Gjergj Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, simbas At Fishtës, kje e organizueme shumë ma mirë se ajo e Athinës.

Konferenca kje hapë nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. At Gjergj Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20.10.1931, drejtue provincialit, At Pal Dodaj, tue ba nji përmbledhje të Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, me 21, kemi pasë luftë më Jugoslav në Komisionin Politik, Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugoslave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska thânë Konitzes se âsht i shtímë prej dikúj tjetër me prishë Konferencen.

At Fishta, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyne dy delegacioneve, Konferenca kje rrezikue të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërhjekë fyemjet e bame ndaj delegacionit Shqiptar. Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin kambëngulë që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhshëm.

Në 1932 u organizue Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njajtët aktorë dhe pati të njajtën tematikë.

Át Gjergj Fishta, posë rolit të delegatit, tani kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte Etnit Françeskanë të Shqipnisë.

Mbas këtyne Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjaja ma e mirë, që ambëlsoi shpirtin e trazuem të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë e themelueme në Nju Jork.

Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetun për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botnore. Këto vite, ma të frytshmet e jetës së tij, At Fishta i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga problemet e mëdha qytetase, kombëtare e diplomatike botënore.

Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e dramave lirike, tragjedive e artikujve etj.

Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botue periodikisht në revistën Hylli i Dritës në vitin (1921-1922).

Nji vit m’andej, pra më 1932 boton në revistën Leka fragmentin në vijim pas botimit në “Kalendarin e veprës Pijore”, të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes.

Antiklerikalizmi çuditënisht do të kërkonte të përballej me françeskanët përmes dy ministrave t’arsimit, të cilët ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill 1933, i cili i mbyllte tashma shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin besnikërisht 13 vjet ma vonë më 1946. Ka ngelë proverbiale thanja e At Fishtës në praní të nxanësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne (këtu flitet per Françeskanët)”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, mbas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh si shkollë fillore.

Po këtë vit Fishta do të dëshmojë edhe nji tjetër anë të personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të publikojë traktatin estetik: “Shenime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem edhe nga profesora t’universiteteve britanike tue pa tek Fishta jo vetëm nismëtarin e atij zhandrri në Shqipni, por edhe nji estet të përmasave europiane e botnore që do çonte në nji stad të ri t’estetikës.” Anglezët e kuptojnë mirë se At Gjergj Fishta asht një diplomat i vertetë Atdhetar Shqiptar.

Gjithashtu me randësi asht reçensioni që shërbeu si parathanje, bamun për librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit“, mbledhun nga Shtjefën Gjeçovi dhe botuem pas vdekjes së këtij të fundit, në të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. Fishta në tetor 1934 do të shkruente nji tjetër artikull magjistral si përgjegje ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin”.

Në qershor 1935 At Gjergj Fishta zgjidhet Proviçial. Po këtë vit rihapet Gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fitue në Hagë kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t’arsimit t’aplikueme nga Mosi e Ivanaj.

Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me këte rast ban edhe botimin përfundimtar të “Lahutës së Malcisë”, e cila i kishte kushtue ma shumë se 30 vjet punë. Në prill t’atij viti shkon me mision në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit.

Pushtimi italian i Shqipnisë më 7 prill 1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3 qershor 1939 At Fishta emnohet Akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft polemika dashakeqe në Shqipninë e periudhës 1945-1990. Duhet skjarue se pranimi i këtij vlerësimi nga ana e Fishtës nuk asht ba prej kurrëfarë hipokrizie politike, aq ma keq kur Shqipnia sa ishte pushtue nga Italia dhe dihen publikisht qëndrimet e Fishtës. Akademia e Shkencave e Italisë, ishte institucion shkencor mbipolitik dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi unanimisht anëtar efektiv të saj At Gjergj Fishtën, për nji motiv të vetëm; personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik që i bante nder asaj Akademi.

Aty nga fundi i vitit 1940 At Fishta kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vu rreth brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhjetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin At Pal Dodaj dhe sekretarin e tij Át Viktor Volaj, komentuesin e veprës së tij poetike. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital.

Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte mbulue qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe At Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi. Fjalët e thanuna sivëllazënve që i ndejtne afër ishin: “Po des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën tonë”,– e mbylli testamentin e vet simbas Át Marin Sirdanit.

Më 30 dhjetor 1940 Át Gjergj Fishta nep shpirt. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuej i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali At Çiprian Nika e At Mati Prennushi. Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohun Akademik Don Lorenzzo Perosi. Ndërsa nji tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu me vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi se:”Tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu, oratori, edukatori e politikani diplomat, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.”

Për Fishtën, gjuha shqipe është një pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të kenit shqiptar:

Nper gjuhë shqype bota mbârë

ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,

me ju njohtë për shqyptarë,

trima n’zâ, sikurse jini…
Tituj të veprave

1*Lahuta e Malcíse – poemë (Zarë, 1925)

2*Anzat e Parnasit – satirë (Sarajevë, 1907)

3*Pika voese, ma vonë ribotue si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)

4*Shqyptari i gjytetnuem – melodramë (1911)

5*Shqyptarja e gjytetnueme – melodrama

6*Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)

7*Hylli i Dritës – revistë (1913)

8*Juda Makabé – tragjedi (1914)

9*Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)

10*Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924)

11*Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)

12*Lahuta e Malcís – botimi komplet (1937)

13*Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941)
Vlerësime për Fishtën

  1. Aurel Plasari ka thanë: “Duke rikthyer Gjergj Fishtën në historinë e letërsisë shqipe, nuk i japim atij vendin që i takon, por i kthejmë histories së letërsisë atë çka i mungon”.
  2. At Zef Valentini: Fishta asht një Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm një poet i madh   kombëtar. Ai asht nga më të mëdhajt në botë. E rëndësishme asht që ai të njihet prej saj”.
  3. Dr. Maximilian Lambertz… Albanologu i shquem, përkthyesi virtuoz i “Lahutës Malcisë”në gjermanisht  Dr. i Filozofisë Klasike Maximilian Lambertz (1882-1963 ), shkruen në 1922 se: “Fishta asht poeti ma gjenial që deri më sot ka dhanë Shqipnia. Ai asht Epiku ma i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta Malcisë asht Iljada Shqiptare”. (Gjergj Fishta: “Laute des Hochlandes” Leipzig 1948.
  4. Don Kolec Prennushi: “Poemi epik ”Lahuta e Malcis” asht nji vade mecum i çdo atdhetari”.

Melbourne, 17 Dhetor 2022.

 

 

Please follow and like us: