Avdush Canaj: Hyr në ëndrrën time
NË BOTËN E MREKULLIVE
Ti mund të jesh kryeministër
Gjeneral ushtrie shqiponjash
E pse jo edhe president i shtetit
Me mandat të përhershëm
Poet për fëmijë s’mundesh kurrë
Në botën e mrekullive
Duhet të jesh përherë
Dimër e verë
E unë jam
Me emër e mbiemër
Adresë shtëpie e numër celulari
I kam shkallët deri në qiell
Edhe ashensorin me njëqind dritare
Sa herë të duan i çoj te hëna
Për përralla të reja në libra yjesh
I di të rrahurat e zemrave vogëlake
Ëndrrat blerake
Kur u vijnë në krahët e gjumit
Tufat e dëshirave
Si gonxhe që priten të çelin
Prandaj bëj piktura vargjesh
Me ngjyrat e ylberushit të tyre
A ka më mirë, a ka
Se t’i gëzosh e ëmbëlsosh
Zogj e flutura
Me karamelet e vjershave
Kur je mes tyre, kur je
Me violinën magjike që s’e sheh askush
Duartrokitjet t’i falin si buzëqeshjet
Është diçka shumë më shumë
Se krejt botën ta kesh
S’i lakmoj presidentit fuqiplotë
As gjeneralit
Kryeministrit edhe më hiç
Jam më i pasur se ata
Përditë i gëzoj e i lumturoj
Fëmijët e planetit tim të këngës.