Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: MËRGIMTARI

 

Më thanë ca zogj në shtegtim

Të paska ardhur mërgimtari

Prita me ditë për një takim

Të ndanim bashkë ca fjalë malli

 

Si heremit mbeta ngujuar

Pritja u zgjat, u bë tërkuzë

As vetë nuk di ç’shtrëngoj në duar

Në buzë cigari digjet shpuzë

 

Një qiraxhi që nget karvanë

”Kufirit me kujtim të hidhur”

Të kishte parë në një mejhanë

Tek ktheje kupat i mërzitur

 

Të pagëzuan kryeëngjëll

T’i puthje dorën ’Hirësisë’

Junani prapë të shikon shtrembër

Se ti je pjellë e Shqipërisë

 

Era më sjell nga lart me kujë

Ca fjalë varresh të trishtuar

Se ardhja jote bëri bujë

Siç bën një dimër i vonuar

 

T’a puthje pak vatrën e hirit

Se shpirtrat ndjejnë e rrinë në pritje

I qënka shuar prush i gjirit..!

Kështu më thanë ca zogj në ikje

 

Tepelenë, Dhjetor 2015.

Please follow and like us: