Rexhep Shahu: Më 23 dhjetor 2022 kujtojmë Vinçens Prenushin!
Më 23 dhjetor 2022, shkrimtarët e ftuar nga Klubi i Poezisë do të nderojnë At Vinçes Prenushin duke vendos një tufë lule mbi varrin e tij në Kishën Shën Lucia në Durrës.
Më 19 mars 1949 rilindasi i fundit shqiptar, At Vinçens Prenushi vdes nga torturat më çnjerëzore në burgun e Durrësit. E tepërt me rrëfye hollësi torturash, poshtrimesh, përbuzjesh që aq ndershëm i ka rrëfye shoku i tij i dhomës në qeli, Arshi Pipa.
Nuk dihet se ku do të përfundonte kufoma e tij, mundet në plehna sepse e urrenin të gjallë dhe të vdekur se e urrente Enveri.
“Nuk i kam dashtë kuj të keqen. Jam mundue me bâ mirë”. Kjo ishte fjala e tij e fundit në gjyqin që iu bë në burgun e Durrësit.
Dhe vërtetë ai duket se nuk ka bërë keq, por veç mirë.
Pas vdekjes se tij, Zoti e dashuria njerëzore bëri që një një zonjë me emrin Kusha Binaku dhe një burrë me mbiemrin Rreli (që sonte nuk ia di emrin) nuk e lanë kufomën e At Vinçens Prenushit ta hidhnin në plehra apo në ndonjë gropë a vend pa emër, por me karro dore, nga ato karrocat që mbajmë tulla apo llaç ato e morën natën në fshehtësi trupin e pa jetë të At Vinçensit dhe nga burgu i Durrësit e çuan në Kishin Shën Luçia të Durrësit.
Aty atë natë, me shpejtësinë e fuqinë që të jep dashuria e frika çelën një varr mu në mesin e dyshemesë së Kishës Shën Lucia dhe e varrosën trupin e pajetë të At Vincensit.
Sot varri i tij madhështor është po në mes të kësaj kishe, veçse i zhvendosur pak metra që të mos mund ta shkelin njerëzit, por ta kenë para syve lart dhe ta nderojnë si varr të shenjtë.
Ky pas meje në foto është varri i At Vinçens Prenushit, para të cilit do të përkulen shkrimtarët e ftuar nga Klubi i Poezisë të premten e 23 dhjetorit 2022 dhe mbi të cilin do të vëmë një tufë me lule në emër të shkrimtarëve shqiptarë dhe të përkrahësit të këtyre veprimtarive fisnike, humanistit deputet Flamur Hoxha.