Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Zhdukja e provave të krimit dhe jo inagurim Teatri

 

Inagurimi për fillimin e punimeve të një teatri të ri kombëtar dhe sherri në Kuvend midis mandateve të demokratëve, ishte një kurth i paqtë për opozitarizmin real. Punimet për një Teatër të ri Kombëtar mund të fillojnë kudo, por jo pikërisht në vendin e krimit. Për më tepër që shembja e Teatrit është rrëzuar edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021. Çfarë po bën qeveria është material real dhe i fortë protestash pikërisht për opozitarizmin e vërtetë. Jo për disa dhjero-demokratë që i kënaqen mandatit apo bëjnë lojra korridoresh si e si të jenë në qendër të vëmendjes. Eshtë bërë shumë e kollajshme për qeverinë, që, edhe pse disa çështje janë akoma në gjykatë, objekte të rëndësisë jetike etj., ajo t’i prish pa më të voglin hezitim. Që dmth, pavarësisht se si mund të jetë rezultai nesër në gjykatë, qeveria ka vendosur veton. Ai rezultat do dali si do dojë ajo. Por edhe po doli ndryshe, qeveria nuk ka faj, pasi vendi i krimit është sheshuar, mbuluar apo ritransformuar. Dhe video-regjistrimet nuk përbëjnë prova etj. Keni shembullin real nga video-përgjimet e zgjedhjeve të parakohshme të Dibrës 2016. Madje të gjithë flagrantët janë sot në krye të të ashtuquajturave komisione reformash, dikastere drejtësie etj., por edhe martirë të partisë në arrati ose në burg si rasti i Gjushi dhe Ter Kokës nga Durrësi. Jo më larg se dje, bash mu në mes të Tiranës qeveria i vërsuli fadromat një pallati edhe pse banorët e tij prisnin vendim e drejtësisë. Nëse opozita reale e demokratëve të rrahur, të shtypur, të përdhunuar me gaz lotsjellës etj., zihet në Kuvend se kujt i takon apo jo foltorja e Edi Ramës, kjo është rrugë pakrye. Ajo i takon vetëm Edi Ramës dhe komplet makinerisë së tij ndëshkimore karshi fjalës së lirë, votës lirë, institucioneve, demokracisë etj. Dhe si e tillë nuk të bën aleatë me qytetarin. Nëse opozita reale merret me dhjerokratë të tipit Alibeu…, dhe nuk shkon aty ku po mbulohet vendi i krimit, në mënyrë të atillë që të mos zhduken provat, të mos harrohen kaq kollaj britmat therëse të atyre që u flijuan brenda mureve me frymë të gjallë historike, si e si të mos vritej ajo pak histori kombëtare shqiptare. U ngujuan aty jo për një muaj por vite me radhë. Madje kur policët dhe fadromat i nxirrnin dhunshëm, opozita e dhjerokratëve flinte gjumë. Edhe pse kishte nënshkruar një pakt publik për mbrojtjen e objektit. Por nuk e bëri. Sot qytetarët kanë nevojë të shohin jo se si rrihet Flamur Noka me Alibeun, as se kë do iksi apo ypsiloni të zgjidhet avokat i popullit etj., se të gjitha janë hallka fallco, pa peshë, pa u dhënë mundësi përfaqësimi qytetarit etj. Janë beteja me mullinjtë e erës, beteja si ato që bënte Don Kishoti i Mançës. Sot qytetarët duhet të shohin vrullin dhe frymën e korrikut 2022, e dhjetorit 2022, në mënyrë të atillë që Rama të mos talli më bythën me batuta, por të kuptojë një herë mirë se vendi ka për Zot shqiptarët dhe jo një narkotrafikant. Por kjo nuk ndodhi, shpresoj të ndodhi nesër. Pasi vet Sali Berisha e pohoi, mezi po e përmban zemërimin e turmës, mezi po e përballon indinjatën e saj, madje po merr kritika me shumicë. Atëhere nëse është kështu mbushi sheshet, mos lër diktatorin të zhduki provat. Të tjerat nuk ia vlejnë.

Please follow and like us: