Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Kotoni: Kastriot Gjini, meteor i muzikës së lehtë shqiptare

Festivali i muzikës së lehtë shqiptare në RTSH është gjithmonë një ngjarje e madhe në artin shqiptar në mbarë viset shqiptare. Tradita e krijuar në breza është një pasuri e çmuar për muzikën shqiptare. Ajo ka të gdhendur në memorjen e spektatorit emra të mirnjohur të muzikës shqiptare, që nga Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Avni Mula, Gaqo Çako, Vaçe Zela, Agim Prodani, Aleksandër Lalo, Agim Prodani, Lida Isku, Ema Qazimi, Liljana Kondaçi, Tonin Tërshana, Sherif Merdani, Limoz Dizdari, Luan Zhegu, Myferete Laze, Irma Libohova, Lindita Theodhori, Ferdinand Deda, Bashkim Alibali, Agim Krajka, Alfonc Balliçi Ardit Gjebreja, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Vladimir Kotani, Shpwtim Saraçi, Enver Shëngjergji, Frederik Ndoci, Anita Bitri, Manjola Nallbani, Alban Skënderi, Makashi, Shahini, Dani, Maliqi, etje… Një emër tejet i mirnjohur dhe talent i rrallë ishte edhe kompozitori Kastriot Gjini. Jeta e tij i ngjan një meteori që u shfaq në qiellin e muzikës shqiptare dhe ende shkëlqen në memorjen e publikut artëdashës. Oti emri i shkurtuar i Kastriot Gjinit nga familja dhe shoqëria, u shfaq si një fëmijë në moshën 4 vjeçare me një vesh tejet muzikor, e i prirur për të mësuar fizarmonikën në pallatin e kulturës së Gjirokastrës. Kontakti me Ferdinand Dedën kur ky ishte në Gjirokastër, i dha një impuls të ri Otit për mësimin e muzikës dhe përsosjes së talentit të tij. Krahas dashurisë për muzikën ai kishte edhe hobin e filatelisë i cili e mbushte me shumë emocione deri në ditët e fundit të jetës. Ardhja në Tiranë e familjes Gjini ishte një hap i madh për talentin e vogël i cli menjëherë u regjistrua në pallatin e pionierëve. Tashmë gëzimi i fëmijës kishte marrë krahë sepse ai do të krijonte një këngë si poet e kompozitor për festivalin e pionierëve, me titullin “Fyelli i bariut”, krahas emrave shumë të njohur të muzikës shqiptare. Në vitet 60 Kastriot Gjini ishte gjimnazistit i “Petro Nini Luarasit” ku si gjithmonë i qeshur dhe me ëdrrat e moshës kishte kompozuar këngë të “Petro Ninsave”, të cilat këndoheshin në ambientet e Tiranës dhe në plazhin e Durrësit. Në shkollë Oti ishte me nota të larta edhe pse shpesh bënte mungesa , pasi shpesh e ngacmonte zemra e pashëruar. Profesori Ylli Popa i cili e kuronte Otin i propozoi që ai të ndiqte Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, sepse kështu mund të realizonte plotësisht, ashtu siç ndjente, kompozimet e tija muzikore.. Studenti Kastriot Gjini shumë shpejt u bë shumë i njohur në fakultet, sepse ai u njohë me shokë me student, nga letërsia e historia të cilët ishin poet e shkrimtarë e kishin libra të botuar dhe u bë aktiv në jetën artistike të fakultetit. Ai u diplumua me vlerësimin shkëlqyeshëm për gjuhën angleze. Krijimtaria e tij e sukseshme dhe shpirti gazmor e i ngrohtë, buzëqeshja e përhershme, Otin e kish bërë me shumë shokë. Në një nga këto takime ai kompozon këngën “Kartolina” me tekst të poetit Agim Shehu për zërin e Sherif Merdanit i cili këmbënguli që ta inçizonin në radio dhe kënga pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe fitoi çmimin e parë në “Anketës muzikore”. Muzika për Kastriot Gjinin ishte gjithçka. Kishte miqësi të ngushtë me kompozitorin Josif Minga nga i cili shfrytëzonte literaturën profesionale, Për të arritur kompletimin e tij që i kishte caktuar vetes ai vazhdoi të studionte pianon. Fillimisht në shoqërinë e pianistes virtuoze Lili Tafaj dhe më pas duke punuar vetë. Diskutonte shpesh me maestro Robert Radoja, të cilin e konsideronte mjeshtër të orkestracioneve muzikore, apo me kompozitorin Alqi Kareco, me të cilin bashkëpunonte në “Estradën e Tiranës”. Ndërsa me dirigjentin Ferdinand Deda diskutimet shkonin deri në paraqitjen e tij. Kjo rrugë çoi në kompletimin e njohurive profesionale ku ai kaloi me sukses një sprovë në gjini të mëdha kompozicioni siç qe muzika e filmit “Korierët”, duke u mbështetur në motivet e mrekullueshme të folklorit të bregut, të këngëve himariote. Herë në piano, e herë në fizarmonikë, e herë në kitarë. Më pas erdhën oferta nga “Teatri Popullor”, për muzikën e dy dramave dhe të një operete të shkrimtares Shpresa Vreto. Oti kishte dhomën e tij laboratorin e parë të çdo krijimi, në fillim e këndonte vetë e më mpas motra e tij Luljeta e bashkohej dhe zëri i vëllait të tij Spartakut. Kastrioti ishte i lidhur shumë me Tërbaçin vendlindjen e të atit të tij Shaqos. Ai “gërmonte” siç i thonë për çdo gjë, për historinë e fshatit këngët e legjendat. Pyeste më të vjetrit e fshatit me një habi mahnitëse. Mamanë, Krisanthinin e kishte nga Vithkuqi edhe për atë krahin ishte jashtëzakonisht kurshtar. E ëma si partizane në “Brigadën e parë Sulmuese” do të thoshte shumë për Otin. Diskutonin shpesh me shokët për “Bitëllsat” dhe për këngët e Sanremos, kuptohet që ato dëgjoheshin dhe shikoheshin në fshehtësi, sepse nuk lejoheshin stacionet e huaja radiotelevizive. Fizarmonika e Otit përcillte variacione të shumta, Përpiqej të gjente forma të reja dhe të shumta për këngët e tij. Në vitin 1971, pas përfundimit të universitetit, Kastriot Gjini filloi punë në Radio Tirana, në redaksinë e jashtme. Aty kishte shumë gazetarë me përvojë, të cilët e mirpritën këtë talent të gazetarisë, që vinte me dy gjuhë të huaja, anglishten dhe italishten e më pas iu desh të mësonte edhe spanjishten. Shumë shpejt stili i tij u bë i njohur në komente e panflete. Shokët e tij tregojnë se tek Oti ishin të ndërthurura shumë organikisht njeriu i mirë e i qeshur, me gazetarin kompetent dhe profesionist. Emri i tij u bë i njohur në organet e shtypit të asaj kohe si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi’, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, ‘Hosteni”, “Ylli”etje. Ja si e përshkruan Napolon Roshi gazetarin Kastriot Gjini. Në radhë të parë , si gazetar Kastriot Gjini ishte i një niveli aq të lartë, saqë shkrimet e tij më tërhiqnin si me magji, sidomos fejtonet e panfletet e tij. Ai shkruante me një stil telegrafik, por me jetë, I trajtonte temat me logjikë argumentuese, me një frymë humoristike të hollë. Ai ishte një yll. Ai ishte një yll në paraqitje, në pamje, në të folur, në të shkruar, në këngët e tij, në shpirtin e tij të pakrahasueshëm.Çajup Rusmajli do ta përkufizonte kështu portretin e Kastriot Gjinit.-Me karakterin e fortë të njeriut të ndershëm, me temperamentin e një njeriu të mirë, me dije të gjera enciklopedike dhe me talentin e një artisti të formuar, ne e zgjodhëm të mbante lidhje me gazetarët e huaj, që punonin në Radio Tirana. Këtë detyrë ai kreu me mençuri e me kulturë me një kërkesë të lartë , por dhe me ngrohësi. Vlerësime për kompozitorin Kastriot Gjini janë të shumta, nga njerëz së fushës së muzikës. Ja vlerësimi i F. Dedës-Veçoritë artistike dhe krijuese që e dallojnë kompozitorin Kastriot Gjini nga të tjerët janë se krijimet e tij muzikore spikasin për larminë e ëmbëlsinë e tyre, për karakterin epiko-lirik, për ritmet dhe intonacionet e pasura, për individualitetin krijues dhe origjinalitetin. Çesk Zadeja- Kompozimet e Kastriotit na kanë sjellë këngë të veçanta, origjinale të mbështetura në folklorin e Shqipërisë së Jugut, që i ka pëlqyer rinia. Vepra e tij muzikore ka profesionalizëm dhe art original, që u ka siguruar këngëve të tij pavdekësinë. N. Zoraqi- Këngët e Kastriotit janë këngë origjinale, këngë rinore që nuk do të harrohen kurrë. Me talentin e tij është i paimagjinueshëm në realizimet muzikore… Vlerësime të tjera nga A. Prodani-Gjithmonë më kanë pëlqyer këngët e kompozitorit K. Gjini. Ato më tërhiqnin si me magji. Ato dallohen për freskinë e tyre dhe hovin rinor të veçantë. A. Lalo ja si është shprehur- Sa herë që kujtojmë Kastriot Gjinin e ndjejmë dhe humbjen e tij..e çmojmë si një talent të rrallë dhe se ne, të gjithë, Shqipëria, kemi humbur një muzikant të madh.. që vazhdon të flaës me ne, me këngët e tij magjepsëse. Një tjetër vlerësim nga L. Dizdari i cili thotë- Këngët e K. Gjinit janë plotë forcë dhe dritë, gërshetojnë freskinë intonative me tingëllimin popullor, mendimin original muzikor me ritmet rinore. Sh. Merdani është shprehur me nota e dhimbjes..-Ndarja me Kastriot Gjinin ishte tronditëse: Mendoni bugun e Burrelit. Një dhomë me dimensione tepër të vogla. Ishte ditë e dielë. Vjen gazeta ‘ Drita” Ndër të tjera shoh artikullin : Kastrioti nuk jeton më! Nuk desha t’u besoj syve! U mblodha me gazetë dhe po qaja si fëmijë, sikur të më kishte vdekur vëllai! Unë kam kënduar shumë këngë të Kastriotit. Ato ishin krijime të mrekullueshme, me një melodi dhe ritëm të veçantë, që për mua më kanë mbetur si pjesët më të mira të repertorit tim. Ja si shprehet një tjetër personalitet i muzikës Z.Ciko për kompozitorin K.Gjini, si një kompozitor me horizont intelektual shumë të gjerë, që jo vetëm asimilonte ide të ndryshme, por edhe eksperimentonte forma të shumta muzikore në muzikën e tij. Ai ishte një nga kompozitorët e pakët me muzikë origjinale dhe shumë prodhimtar. Studiuesi Bardhosh Gaçe ndër të tjera shprehet-Kastriot Gjini kompozitori, gazetari dhe përkthyesi reagoi si një yll në qiellin e kulturës shqiptare të kohës dhe ky vegim na shfaqet nëpër gjurmët e tij kohë pas kohe. Ai mbeti si një këngë e pambaruar në buzët e jetës shqiptare. Siç shprehet mjeshtri Robert Radoja- Veçoria e Kastriotit ishte, ndër shumë të tjera, se ai ishte këmbëngulës në përfundimin e një kënge. Nuk të ”ndahej”deri sa të përfundonim të gjitha detajet e orkestrimit të saj. Kishte raste që e gdhinim bashkë. Këmbëngulte që idetë e tij të shkriheshin në orkestracionet që bënim bashkë. A. Balliçi shprehet për K.Gjinin se këngët “Fqinja”, “Duart e tua”, “Kartolina”, “Kabina 3”, “Interesant” dhe sa e sa të tjera, i qëndruan dhe i rezistuan dekadave…Ky është ligji i jetës : Talenti i reziston kohërave! Ai nuk njeh vdekje, por vetëm pavdekësi. Miku i tij i ngushtë Josif Minga do të shprehet- Ai reflektonte natyrën e butë të një engjëlli, që me karakterin e tij të bindte për çdo gjë, do të thoja, ishte një mjeshtër marrëdhëniesh, që kultivonin dinjitet dhe mirësi. Që nga Festivali i 11-të dhe deri në fund të jetës së tij të shkurtër, unë paraqitjen e matrialeve muzikore e bëja tek Oti, jo vetëm për muzikën, por dhe për fjalët dhe tekstet në përgjithësi. Kastriot Gjini u lartësua në sytë tanë, duke sakrifikuar në jetë talentin e tij dhe me dhuntitë e tij të bëhej “zog me krahë”, që mposhte me guxim sëmundjen dhe vdekjen. Në kujtimin e tij ja si shprehet O.Mula-Figura e K.Gjinit merrë përmasa të jashtëzakonshme, kur ballafaqohet me ato të përfaqësuesve të artit e të mendimit prapanik e konservator. Nëpërmjet një pune të jashtëzakonshme e të lodhshme, ai realizoi me një forc të madhe shprehëse dhe guxim artistik marramendës. Të tilla janë këngët e tij “Fqinja”, “Kënga e Çapkëne”, “Duart e tua”, “Kartolina”, “Kabina 3”, “Inicialet”. Kastrioti u bë aq i madh sepse studioi në thellësi psikologjinë e njerëzve të kohës së vet, zbërtheu botën shpirtërore të rinisë. Pianistja Lili Tafaj ajo shprehet- Ai e donte muzikën, natyrën, jetën dhe familjen, shokët, miqësinë, çdo gjë të bukur e të mirë në jetë. Siç ishte edhe vetë! Ai eçmonte shumë edhe muzikën klasike,panvarësisht që në fillim kompozonte me fizarmonikë, apo me kitarë. Unë ia vlerësoja mençurinë dhe konsultohesha shpesh edhe për repertorin tim. Ai bënte vërejtje tepër të sakta, edhe pse ishte në fillimet e tij në intrumentin e pianos. E vija re që kishte dobësi të madhe për nënën, për karakterin e saj të veçantë, që i kishte ngjarë aq shumë. Një tjetër personalitet që është shprehur për Otin është poetja Zhuliana Jorganxhi-Nuk do ta teproja po të thoshja se asnjë nga kompozitorët e tjerë nuk e kishte këtë forcë, këtë shkëlqim dhe këtë shpejtësi si të Otit për të kompozuar, për të gjetur poezinë më të mirë dhe për të mësuar këngëtarin sa më mirë. Shkëlqimi i tij ishte verbues. Me atë fytyrë të bukur, të dlirë e të pastër, si kristali dhe me buzëqeshjen e ëmbël, gjithmonë kishte dhe një pamje autoritare që të habiste. Të çorodiste karakteri i tij, i plotë, ndërthurja e humorit, me diskutimin profesional serioz, buzëqeshja dhe debati artistik, satira deri në sarkazëm dhe respekti fin. Ishte njeri i jashtëzakonshëm. Në një rëfim të tijin poeti i shumë teksteve të këngëve të Otit, Fluturak Gërmenji thotë, se ai u brengos shumë me burgosjen e Sherif Merdanit, dhe heqjen e grupit të trompave të Gaspër Çurçias dhe degdisjen e Aleksandër Lalos në Kukës dhe Françesk Radit në Rrëshen. Muzika i dha Otit sytë e shpirtit për të parë botën, për t’u kënduar jetës dhe njerzve. Ndërsa ai dha zemrën e tij të talentuar, duke derdhur tinguj dhe melodi të veçanta. Kur filloi “Kartolinën” ishte vetëm 20 vjeç. Një këngë tepër rinore kënduar me virtuozitet nga Sherif Merdani. Një këngë e thjeshtë, por dhe moderne, me një fabul të zakonshme , siç janë momentet e fundvitit, kur i dërgonim kartolina njëri-tjetrit.
Të shumtë janë emrat e këngëtarëve që kanë shprehur konsideratat e tyre për kompozitorin Kastriot Gjini, por është e vështir ti veçosh ndaj po i përmend shkurt, A. Gjoka- K.Gjini do të mbetet pikë referimi për njerzit që merren me këngën. Ai bëri revolucion në muzikën e lehtë shqiptare. Luan Zhegu do të shprehet- Ai është e do të mbetet gjithmonë bashkëkohor me të gjitha sa krijoi. Kozma Dushi- Ai ishte një kompozitor me një vijë të përkryer melodike. Ai do të mbetet i paharuar për të gjith ne që kënduam muzikën e tij dhe që patëm rastin ta johim sado pak. A.Gjebrea-Talenti i madh lë veprën e tij për ta kujtuar. Elton Deda-Unë e kam më të afërt, se i kam dëgjuar më shpesh këngët e tij origjinale, shprehje e folkut shqiptar, në realizime moderne, që tingëllojnë shqip. Ai hapi rrugë të re në muzikën e lehtë shqiptare. Interesant është fakti se shumicën e bashkëpunimeve të tij i ka me poetin Fluturak Gërmenji, Shaban Murati, Agim Shehu, e poten Zhuljana Jorganxhi, Agim Hila.
Ai jetoi gjatë në një jetë të shkurtër, mbylli sytë në moshën 29 vjeçare. Avioni drejt Italisë u nis për të çuar një engjëll në qiell. Kërkesa e të atit për të prurë trupin në atdhe iu bindën dhe zotat e kohës, në marsin e ftohtë vitit 1979. Miq e shokët muzikantë nuk lenë rast pa e kujtuar, pa iu referuar, pa e rivlerësuar dhe ku ka rast më sublim se në Festivalin e Radio-Televizionit Shqiptar. Brezat e këngëtarëve të rinj duhet ti njohin këto figura me të tilla përmasa e të kujtojnë gurët kilometrik që vendosën parardhësit e tyre në fundin e artë të muzikës shqiptare.
Please follow and like us: