Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Sikur ta kishim bërë si Rumania

 

33 vjet më parë, në 21 dhjetor 1989, diktatori rumun Nikolae Çaushesku doli të fliste përpara një turme për të dënuar protestën që kishte filluar në Timishoara e po përhapej në qytete të tjera.

Fjalimi u shfaq drejtpërdrejt në televizionin kombëtar.

Ndryshe nga çfarë pritej, në vend të duartrokitjeve Çaushesku u prit me fishkëllima e sharje. Njerëzit trimëruan njëri-tjetrin. Teleshikuesit në mbarë Rumaninë morën zemër gjithashtu.

Katër ditë më pas, Çaushesku u pushkatua, bashkë me të shoqen.

Regjimi i mbetur pa kokë, u shpërbë.

Ngjarja ka rëndësi të madhe për shqiptarët. Viti i fundit i komunizmit në Shqipëri fillon në fakt me ngjarjet e Rumanisë. Ekzekutimi duket se i bëri përshtypje të madhe udhëheqjes komuniste në Shqipëri, e cila vetëm pak ditë më parë kishte nënvizuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe kishte theksuar Rumaninë në sytë e publikut shqiptar si një shembull se jo kudo po rrëzohet socializmi.

Mund të argumentohet se ekzekutimet në Rumani shmangën gjakderdhjen në Shqipëri. Pa pamjet tronditëse të pushkatimit të çiftit Çaushesku, komunistët në Shqipëri mund të kishin provuar shtypjen e protestave me dhunë. Nga një anë kjo do ta kishte rritur çmimin e lirisë. Dhjetori 1990 nuk do të kishte triumfuar pa një lumë gjaku. Nga ana tjetër, një tranzicion më pak i kontrolluar mund të kishte nxjerrë në krye figura të tjera kryesore për pluralizmin shqiptar. Ndarja me komunizmin mund të kishte qenë shumë më e qartë, shumë më drastike. Ndoshta do të kishte pasur më shumë presion për drejtësi lidhur me krimet e komunizmit.

Sot mund të spekulojmë sa të duam. Pakënaqësitë e periudhës së stërzgjatur e zhgënjyese të tranzicionit i bëjnë njerëzit të imagjinojnë akoma më shumë një histori alternative.

Fakti mbetet që Shqipëria pati një diktaturë shumë më të egër se ajo e vendeve të tjera europiane. Kjo solli vonesën e ndryshimit. Regjimi gjeti një mënyrë për të administruar një ndryshim të përmbajtur. Nuk e di nëse udhëheqësit e opozitës u zgjodhën vërtet nga Ramiz Alia, por ata pa dyshim patën të përbashkët me regjimin në ikje kujdesin dhe merakun që situata të mos degjeneronte në dhunë.

Për disa javë me radhë, pas vendosjes së pluralizmit dhe themelimit të opozitës, me në krye Partinë Demokratike, jo vetëm Ramiz Alia, por edhe Enver Hoxha nuk dënohej hapur me emër nga udhëheqësit e opozitës. Kur studentët u futën në grevë urie për të hequr emrin “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës, udhëheqja e Partisë Demokratike, përfshi edhe kryetarin Sali Berisha, u përplas ashpërsisht me kryesinë e grevës duke kërkuar ndërprerjen e saj.

Në fund greva fitoi, dhe nën presionin e studentëve dhe punëtorëve, Partia Demokratike e përqafoi ndryshimin. Në 20 shkurt 1991, u hoq jo vetëm emri i Universitetit, por edhe u rrëzua monumenti i madh i Enver Hoxhës në Sheshin “Skënderbe”. Gjakderdhja u shmang kësaj here për shkak të ngurrimit të regjimit.

Presidenti Ramiz Alia dhe ministri i Brendshëm Hekuran Isai u përplasën në sy të figurave të rendit dhe mbrojtjes për përgjegjësinë e mos-shtypjes së turmës me dhunë. Të dy donin t’ia linin tjetrit vendimin për të qëlluar me armë.

Dy ditë më vonë, protestuesit u bënë gati të sulmojnë Bllokun e udhëheqjes në Tiranë. Asnjëherë Shqipëria nuk do të ishte më afër skenarit të Rumanisë sesa atë ditë. Besohet se atje nuk do të kishte ngurrim për të qëlluar mes turmës. Por rezultati i dhunës nuk dihej se cili do të ishte. Qindra të rinj të vrarë në mes të Tiranës mund të kishin shpëtuar vetëm përkohësisht jetën e bllokmenëve.

Përplasja në këtë rast u shmang nga ndërhyrja e një prej krerëve të Partisë Demokratike. Neritan Ceka, me një megafon mbi një veturë, arriti të bindë njerëzit që të mos e kalojnë urën mbi Lumin e Lanës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në anën jugore të urës ishin rreshtuar autoblindat e taknset, por turma nuk kishte frikë. Fjalët e Cekës gjithësesi arritën të bindin njerëzit.

Mbase ai ka meritën që Shqipëria nuk pa një gjakderdhje që nuk dihej se ku do të mbaronte, ose fajin që disa hesape nuk u lanë njëherë e mirë. Dhuna pa ligj e ekzekutuar nga turma shpesh ndëshkon plot të pafajshëm apo jep ndëshkime të pamatura. Drejtësia ideale është ajo e gjyqeve si të Nyrembergut, që ndëshkojnë figurat kryesore e mbi të gjitha denoncojnë ideologjinë apo mentalitetin që shkaktoi krimet.

Isha vetë pjesëmarrës i asaj turme, ndonëse nuk kisha ndonjë etje as për gjak e as për ndëshkim. Mbase synimi i njerëzve të mbledhur ishte jo i ndryshëm nga i imi. Ndoshta thjesht do të kishim hyrë në atë pjesë të Tiranës që na ishte ndaluar në mënyrë arbitrare, pa prekur njeri me dorë. Më vonë kam menduar se mbase kisha qenë naiv që kisha kujtuar se synimet e masës së njerëzve ishin paqësore. Mundësia që një protestë të degradojë në dhunë të tmerrshme është gjithnjë e mundshme dhe në atë kohë, mbase nuk i gjykoja si duhet mllefet e mbledhura.

As nuk mund ta them me siguri se ushtarët do t’u bindeshin urdhërave për të qëlluar mbi popullin. Por mundësia për t’u shndërruar gjithshka në pak minuta ishte e madhe.

Në fund, ndoshta fajtorët më të mëdhenj të një regjimi që kishte persekutuar e shkatërruar jo vetëm armiqtë e tij por edhe shumë nga bijtë e vet, ish-udhëheqës komunistë që ishin dënuar prej paranojës apo nga inatet personale brenda llojit, nuk ishin fare në bllok. Mbase turma do të kishte shfryrë mbi disa ditëzinj që ishin thjesht bashkudhëtarë rastësorë historikë, njerëz që kishin siguruar privilegje pa kryer krime por thjesht duke treguar nënshtrim e besnikëri, askushër të pazotë që ishin ngritur në vitet e fundit për të zëvendësuar në hierarki udhëheqësit e vërtetë komunistë që nga koha e luftës. Në fillim të dekadës së fundit të tij, komunizmi shqiptar kishte ngrënë kokat e disa prej krerëve më mizorë të tij.

Sot, kemi prirjen ta imagjinojmë një rrugë tjetër historike, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, sepse kemi zhgënjime e pakënaqësi, mërira e dyshime për këto 32 vjet të paskomunizmit shqiptar. A është sot Rumania në Bashkimin Europian sepse pushkatoi që nga fillimi kokën e regjimit komunist apo do të ishte gjithësesi aty edhe po të kishte mbetur Çaushesku gjallë? Sa ndikoi vërtet ajo mënyrë fillimi dhe sa ndikuan gjeopolitika, traditat, zhvillimi ekonomik në këtë përparim më të shpejtë drejt BE-së dhe ngritjes ekonomike?

A do të kishim ecur më shpejt nëse do të kishte pasur gijotina e hakmarrje, apo do të ishim zhytur në një rreth vicioz dhune ku nuk do të dinim të gjenim kufirin. Kush meritonte çfarë në fund të dekadave të komunizmit shqiptar? Nëse mendoni se në Rumani ish-komunistët nuk mbetën në pushtet në mënyra nga më të ndryshme por edhe drejtpërdrejt si politikanë, atëhere nuk e keni ndjekur më politikën e saj pas vrasjes së Çausheskut.

Në përgjithësi besoj se ngjarje drastike mund të ndryshojnë vetëm pjesërisht e përkohësisht fatin e një vendi. Shtrati i historisë përcaktohet më shumë nga dekada e shekuj, procese afatgjata e faktorë të jashtëm të pavarur prej nesh. Mund të kishim bërë edhe ne një goditje “alla rumune” por në vija të përgjithshme përsëri nuk është çudi që të ishim aty ku jemi sot.

Please follow and like us: