Mihal Gjergji: “PASHAI MORI FERMANË”
Qyteti i Vlorës u ndërtua pas shkatërrimit të qytetit antik të Apollonisë, si një nevojë komunikimi me botën perëndimore. Pikërisht, atje ku këmbejnë prurjet e tyre Deti Adriatik dhe ai Jonian, u hodhën themelet e këtij qyteti, të cilin francezët dhe grekët e quajnë Avlona, ndërsa italianët Valona. Kjo natyrë e virgjër, rrethuar me kurorën e maleve, aq shumë e lakmuar nga të gjitha perandoritë, u shndrrua në qendër kryqëzatash dhe përballjesh mes oksidentit dhe botës orientale. Emra prijësish dhe sundimtarësh kanë mbetur në kujtesën e një kohe të largët. Edhe Balshajt, s’mundën t’i thyenin hordhitë osmane, prandaj u detyruan t’ua shisnin qytetin vendikasve në vitin 1460. Interesi i pushtuesve s’ka qënë qyteti, dikur i pazhvilluar dhe me pellgje moçalesh të ndotura, por vetëm porti i tij. Dhe po kaq e rëndësishme ka qënë pozita gjeografike. Mushkëritë e fuqishme të qytetit bregdetar kanë qënë Kanina e ngritur në kodrat përballë dhe krahina e Dukatit. Pikërisht këto ishin edhe furnizueset e tregëtarëve të huaj me vaj ulliri, gjalp dhe prodhime të tjera blektorale, me verë, mjalt dhe lëndë drusore. Studiues të huaj tregojnë se Krahina e Dukatit është banuar para qytetit të Vlorës, mirëpo askush s’na afron të dhëna shteruese, se kur konkretisht. Qytetërimet e reja janë ngritur mbi themelet e atyre të rrënuara, kështu ka ndodhur gjithmonë. Për shembull, atje ku është ndërtuar qyteti ekzistues i Tepelenës, në kohën e Romakëve ishte një tjetër qytet, mbase më i zhvilluar dhe quhej Fanota. Barbarët e shkretuan atë dhe 70 fshatra të begata përgjat rrjedhës së lumit Vjosa dhe në grykën e Këlcyrës. Kështu ka ndodhur edhe në krahinën e Dukatit. Dhjetra fshatra të rrënuara kanë lënë si dëshmi ekzistence vetëm themelet shekullore. As emërat nuk ua dimë. Edhe gjurmët e qytezës së dikurshme të Sofes kanë mbetur si dëshmitarë të pagojë. Edhe kalaja e Gjon Boçarit. Mbi burimin e Izvorit, apo rrëzë kodrave të Lungares, është fshati i Tragjasit. Një lumë i ndanë me Dukatin dhe së toku shtrihen si krahët e një shqiponje me kryet tek malet e Vetëtimës. Mitologjia e cilëson atë si strehën e Zeusit. Këto dy fshatra i bashkon historia e mijëvjecarëve. Sa të ngjajshëm aq edhe të ndryshëm. Ndoshta qyteti i Triestes, ka dashur të krijojë simotrën e saj në brigjet jugore të Vlorës, sepse Tregasi apo tregasajt e dikurshëm ishin furrnitorë të tregjeve italiane. Pyjet e dendur sipër Tragjasit dhe në lartësitë e Dukatit, tashmë të shkatërruara, ishin lënda e parë e mjeteve të lundrimit detar. Por edhe mishi, për ushqimin e popullatës dhe të ushtrisë, sepse malet e kësaj krahine ishin të stolisura nga zilet dhe këmborët e tufave të shumta. Edhe luftëtarët vendas ishin të lakmuar për perandorët evropianë, dëshironin t’i kishin në drejtimin e taborreve të tyre. Gjithsesi, historia e krahinës është e veshur me mistere. Nuk dimë se cili prijës apo sundimtar vendas ka trashëguar titullin e Dukës, nga i cili duhet të ketë marrë emërin edhe fshati. E them këtë, sepse sundimtarët e huaj s’mund të gëzonin privilegje brenda kësaj krahine. Sipas kronikave, porti i Orikut është ndërtuar nga skllevrit, jo nga banorët vendas. Edhe Cezari u detyrua të bënte marrëveshje me këtë krahinë në kohën e përballjes së tij me Pompeun. Shikoni pra, këtë titull të lartë fisnikërie vetëm një kryezot nga Dukati mund ta meritonte. S’dua të besoj te monedhat apo tumat ilire për të kërkuar etimologjinë e kësaj fjale.
DUKËT E DUKATIT
Në mungesë të arkivave, ajo që na vjen në ndihmë është polifonia e kësaj treve, kënga labe. Grupi i Dukatit, në historinë e tij të hershme dhe të re, u këndon vetëm kordhëtarëve, bijëve vendas, krenarisë së trashëguar e të merituar, por asnjë pushtuesi, asnjë sundimtari, të huaj apo vendas, dhe kjo është shumë domethënëse. Sepse më shumë respekt meriton një hajdut nga fshati sesa një kryehajdut në krye të shtetit. Le të bëjmë një krahasim mes dy grupeve labe. Dukati këndon me dhimbje; “O Rremo, hajduto”. Është pabesia e uzurpatorëve italianë që i merr jetën këtij djali. Shikoni gjuhën e përdorur, fjalët e gdhendura: “Mulla Dautin ç’e thirrë/ që tu flasë talikinë”. Çfarë ironie therëse për fqnjët pushtues, çfarë tallje. Talikia s’nënkupton vetëm bërjen e riteve fetare, është më shumë se kaq, është gjuha italiane, pse të mos themi; ajo gjuhë pipinosh, ndryshe nga gjuha e sertë dhe e prerë e dukatasve. Ajo që më trishton është një tjetër këngë, jo e banorëve të Dukatit. Janë këngëtarë të mbledhur si fëmijët në kampin e jeniçerëve. Po kujt i këndojnë ata? Dëgjojeni: “Gjiri maleve përtej/ për Zeusin shtron çiltenë”. Sa turp, dhe sa keq. Një Kryevezir i kohëve moderrne cilësohet si Zeus tokësor, sepse ka vizituar qytetin bregdetar. Po kënga është vështirë të meritohet së gjalli. Cfarë ndryshimi mes dy grupeve dhe dy këngëve! Sa lart qëndron Dukati, si fshat dhe si krahinë. Aty i gjeni aristokratët e rinj; Fatosh Liko, ai që i këndon dukaçe Hanko Selimesë, Idajet Muka, me zërin violinë dhe i qeshur si diell, Barjam Hunda, mbiemëri i të cilit tregon kryenecësi, Remzi Allushi, që kërkon të zbresë poshtë argjendin e hënës, Piro Latifaj –aq njerëzor, apo Tartar Avduli i Tragjasit. Ka edhe emëra të tjerë, mes tyre edhe zonja të nderuara. Këta janë Dukët e rinj të Dukatit, të cilët na ushqejnë shpirtin me mrekullinë e këngës labe.