Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: KUJDESTARJA E KOJOTAVE

Tregim

1.

Ajo as e kishte fare mendjen për çfarë fliste pedagogu dhe as nga shoku i saj i bankës, Peteri. Ishte ora e fundit e mësimit për atë ditë. Herë pas here i mbante sytë jashtë dritares së klasës, ku dielli shkëlqente me një dritë verbuese, të dyfishtë; nga rrezet që zbrisnin lart nga qielli dhe reflektimi i shtresës së bardhë të dëborës që buronte nga poshtë. Prej disa vjetësh në Toronto, nuk mbahej mend të kishte rënë aq shumë dëborë, më shumë se një metër. Krishtlindjet e duan bardhësinë, por jo kaq shumë sa të bllokoheshin rrugët e të paralizohej trafiku. Në mesnatë qielli u ça më dysh dhe flogjet e dendur të borës reshtën duke ia lënë vendin rrapëllimës shurdhuese të borëpastrueseve. Rrugët kryesore u hapën gjatë gjithë natës dhe paradite e kishin pasur radhën për t’u pastruar shtigjet dhe rrugicat nëpër blloqe banesash, ku hynin në lojë edhe traktorët e vegjël, ata me hundë përpjetë. Sidoqoftë, lëvizja e njerëzve, trenave dhe makinave u ngadalësua më shumë se çdo herë tjetër. Dukej sikur njerëzit dhe makinat ecnin “të maskuar” përmes tuneleve, aq shumë borë ishte hedhur gjatë pastrimit në të dy krahët e traseve.

Bruki ishte në vit të katërt të shkollës së mesme, tip i mbyllur në vetvete, me flokë të gjata ngjyrë mjalti, sy të kaltër, trupdrejtë dhe lëkurë të bardhë si fildish. E bukur si një shtojzovalle. Ajo vazhdonte privatisht edhe një kurs për violinë, amanet nga i ati, i cili kishte humbur jetën në një aksident, përpara katër vjetësh. Megjithse po afronin Krishtlindjet, për çudi atë të premte mbasdite nuk kishin ndonjë aktivitet. Për t’u siguruar, hapi edhe njëherë kalendarin dhe pa se data 21 dhjetor ishte shënuar me kryq të kuq. E kishte marrë malli për babanë dhe miqtë e saj të vjetër, kojotat.

Psherëtiu. Ajo e priste me padurim këtë ditë kur kojotat e uritura zbrisnin në Park. E dini cilat janë kojotat? Ata ujqërit e vegjël surrathollë, të përhapur në gjithë Amerikën e Veriut. Janë të përafërt me çakallin e Euroazisë, shkurt janë kafshë të egra. Nuk i afrohen njeriu tjetër, por ndryshe ndodh me Brukin. Ndoshta ajo është një engjëll. Është i treti vit që ajo pret t’i takojë në Parkun e Madh. Në ditë të tilla, kur trashësia e dëborës ka fshehur çdo lloj ushqimi për ta, ajo e di se në cilën pjesë të Parkut gjenden kojotat. Është një tufë prej 4-5 krerësh që guxojnë të hyjnë në qytet, me sa duket janë një familje egërsirash që u ka dalë frika nga njerëzit. Janë mësuar t’u vjedhin tinëzisht ushqimin zogjve apo ketrave të Parkut. Presin sa largohen rojet dhe i zënë me radhë magjet apo koritat e mbushura plot me fara meli, tërshërë e deri kokrra lajthie, pa ua vënë veshin cicërimave ankuese të zogjve dhe fërshëllimave alarmuese të ketrave. Vetëm kur tufa e kojotave sheh Brukin të hyjë në Park, “heq dorë nga grabitjet”. Hiqen si të turpshme dhe i afrohen asaj me drojtje e përulësi.

Peteri është i vetmi shok i Brukit në klasë, ajo nuk i beson asnjë djali tjetër. Kur çunat e komplimentojnë për sytë apo kurmin, ajo nuk i beson. “Djallëzisht, diku duan të dalin meshkujt me komplimentat që u bëjnë femrave pa hesap”, i kishte thënë i ati dikur. Peteri është ndryshe. Ka katër vjet që rri në të njëjtën bankë dhe ajo e do sikur ta ketë pjestar të familjes së vet. Bruki flet pak dhe që kur i vdiq babai, buzëqesh rrallë. Ishte shumë e lidhur me të atin. Atij i besonte çdo lloj sekreti, i tregonte edhe ato të fshehta që nuk guxon t’ia thotë shokut të saj të bankës. Është vajzë e vetme, nuk ka as vëlla e as motër. Shoqet i kanë ngjitur epitetin “Kujdestarja e kojotave”, ato më ziliqaret e xhelozet për hijeshinë e saj, i thonë prapa krahëve “zoofile”, por ajo as do t’ia dijë se çfarë pëshpërisin ndrikullat në fshehtësi e errësirë. Mësuesit e duan dhe e respektojnë për sjelljen shembullore dhe sedrën për mësimet, ndërsa shoku i bankës e ka të veçantë, e do pa asnjë lloj rezerve dhe paragjykimi.

-Peter, do të vish me mua në Park të ushqejmë kojotat? – iu lut ajo kur dolën së bashku nga porta e hekurt e shkollës.

– Sot?! Ku ta dija unë se do të bënte mot kaq i mirë. Mezi më pret motra e vogël, e kemi lënë të shkojmë në kinema. Ka dalë një film i ri, lëre Parkun, Bruk, pse nuk vjen edhe ti me ne?!- i propozoi ai.

– Shiko çfarë ditë e bukur, Petër, kojotat më presin, kam një vit pa i parë, filmi aty është, në kinema.

– Ka rënë shumë borë, nuk besoj që rruga e Parkut të jetë hapur, – i tha Peteri i menduar.

– Çelin një rrugicë të vogël, një brazdë, sa për të kaluar dy vetë më këmbë, ndryshe nuk shkojnë dot as rojet e Parkut për të ushqyer zogjtë dhe ketrat, jam e sigurt. Kështu bëjnë çdo vit, sa herë bie dëborë, – i tha ajo e vendosur duke parë me shqetësim diellin që po varej drejt perëndimit.Ishte dita më e vogël e vitit. Shpejtoi hapat dhe u zhduk prapa kthesës, përgjatë bllokut të shtëpive që rënkonin nën peshën e dëborës.

2.

Hapi derën e banesës dhe mbi fytyrë iu përplas një rrymë e ngrohtë ajri. Lëshoi çantën e librave pas derës dhe hoqi dorashkat. Sytë i shkuam në një shënim të lënë prej së ëmës në tavolinën e bukës. “Bruk, porosit një picë për vete, unë jam për drake në restorantin ‘Pasioni’ me kolegen, Lilin. Mami”. Sa mirë që nuk e gjeti në shtëpi të ëmën. Mund t’i shkrepej ta ndalonte. Megjithse e mori picerinë në telefon, mendoi se nuk kishte shumë kohë për të pritur porosinë. Rrëmoi në dollap, gjeti ca biskota të buta, i njomi në qumësht të ftohtë dhe i futi njëra pas tjetrës në gojë, sa për të thyer urinë. Duke u përtypur, veshi një palë pantallona bore si mushama, xhupin me push të bardhë nga brenda, dorashka të trasha pune dhe çizmet prej lëkure. Doli me ngut nga dera dhe u drejtua për nga dyqani i mishit të Gibsonëve, pesëdhejtë metra larg shtëpisë. U gëzua kur pa sesi poshtë banakut u ngrit koka me flokë të bardha e xhaxha Harrisit.

– Ç’e mirë të solli në këtë borë të madhe, moj bijë? – e pyeti ai pa pritur ta përshëndeste ajo e para.

– Xhaxha Harris, dua të blej mish për kojotat, harrove se sot ata zbresin në Park?! – i tha ajo e qeshur, sikur po jepte një sihariq të madh – të lutem, preji kockat më të vogla se sa vitin e kaluar, ata të shkretët mezi i gëlltitën.

– Sa mendon të blesh? – pyeti kasapi i moshuar duke tundur kryet me qortim.

– Mendoj dhjetë-dymbëdhjetë libra, nuk ngre dot më shumë. M’i ndaj në dy qese plastike që t’i kem kollaj, tre kilogram në njerën e tre në tjetrën.

– Aq po bëj, por a e di Greta, jot ëmë, se ti po blen një sasi të tillë mishi? – e pyeti ai me merak, duke pulitur sytë.

– Janë nga kursimet e mia, xhaxhi Harris, honoraret e koncerteve. Mami nuk ndërhyn në llogarinë time. “Tani je e rritur, thotë, vendos vetë, menaxhoi vetë fitimet”.

– Dëgjo moj vajzë, nuk e kam më shumë hallin tek shpenzimet se sa tek guximi yt për të shkuar midis egërsirave. Kojotave nuk u besohet kurrë, janë kafshë të egra, hileqare. Dikur bënim fushata për t’i zhdukur, tani po i shtojmë, madje po i kojmë edhe me mish. Kanë dalë lloj-lloj shoqatash që i mbrojnë. Diversitet natyre, thonë. Të ishin drerë apo pëllumba, hajde de, po kojota?! U rëntë një zgjebe! Ti shkon dhe i ushqen në borë e kijamet sikur ato do na japin qumësht, – e qortoi ai.

Bruki uli kryet dhe faqet i morën një ngjyrë trëndafili. Deshi të kundërshtonte, por fjalët i ndali tek buza. Nuk ishte koha për të bindur xhaxha Harrisin se edhe ato janë pjesë e natyrës, kanë shpirt, pavarësisht se quhen egërsira. Duhej të nxitonte. Tërhoqi çantat, por kasapi kishte për të thënë edhe diçka tjetër dhe ajo iu kthye me mirësjellje për ta dëgjuar deri në fund.

– Shiko, nëse kojotat të kërcënojnë e të zbardhin dhëmbët sikur qeshin, mos ua kthe krahët, por shikoji drejt në sy dhe tund duart në ajër t’i trembësh, t’i largosh prej vetes.

Bruki u ngut të kapërcejë derën e dyqanit. Duke dalë, dy pika të mëdha uji, shkrirë nga bora, u shkëputën nga strehët e çatisësë dyqanit dhe i rrëshqitën mbi faqe. Ishin si dy sumbulla të mëdha lotësh.

– Bruk, Bruk…., dëgjoi një zë të hollë pas krahëve – Bruk, isha në shtëpinë tuaj, i rashë ziles, por nuk ma hapi njeri derën. Kam sjellë picën që porosite me telefon.

– Më fal Xhim, ma jep, po nxitoj, më duhet të shkoj tek kojotat.

E mori kutinë me ngut dhe ajo i përcëlloi duart. Ishte e nxehtë, e sapodalë nga furra. Aroma e brumit i shpoi hundët. Jo, ishte era e djathit të pjekur në prush, mocarella, por nuk premtonte koha të provonte një kafshatë, aty në rrugë. E futi kutinë pjerrtas, në njërën nga çantat dhe harroi të falënderonte djaloshin e hutuar i cili mezi kishte pritur ta takonte e të këmbente me të dy fjalë. Xhimi, shpërndarësi i picave, për një çast u hutua, ai është një nga admiruesit e shumtë të saj. Shikoi rrotull i habitur dhe nuk po kuptonte se ku ishin kojotat. Mbeti si shtyllë druri në mes të rrugës dhe priti deri sa ajo u zhduk pas një pirgu të madh me dëborë.

Në fushë të hapur, Bruku shpejtoi hapat, çantat nu ki dukeshin edhe aq të rënda. Anash rrugës, drurët halorë kishin varur kryet nën peshën e borës dhe ngjanin si mullarë bari të bardhë. Majat e tyre ishin kthyer poshtë si kërraba, por nuk ishin thyer. Shkorsa e dëborës ishte ngjitur pas degëve e trungjeve dhe me dhunë apo pa dhunë, drurët ishin dorëzuar nën këtë diktaturë të bardhë.

Vajzës iu lëbyrën sytë dhe gati po i merrej fryma. Kishte ecur shumë shpejt. Ngadalësoi hapat. Përpara i dolën gjurmët e një kafshe që ishte hedhur tërthorazi nga njëra anë e rrugës në tjetrën. I vuri re me kujdes. Ishin dy nga dy. Nuk ishin gjurmë kojote, por kërcimet hopthi të ndonjë lepuri. Ky gjitar ecën gjithnjë me kërcime, edhe kur mbrapa nuk e ndjek njeri ose kafshë mishngrënëse. Vazhdoi të ecë, gishtërinjtë filluan t’i mpihen jo nga të ftohtit, por nga rrypat e çantave të mishit të cilat në fillim i ishin dukur të lehta, por tani ishin bërë plumb të rënda.

I pihej ujë. Ndjente se qiellza e gojës i ishte tharë, pastaj gryka. Eci edhe ca. U kujtua se dëbora ishte e pastër dhe mund ta njomte me të qiellzën. Nuk i lëshoi çantat nga dora, u përkul mbi borë, në anë të rrugës dhe futi në sipërfaqe buzët, ashtu siç bënte kur ishte e vogël me shtëllungat e sheqerit të tjerrë. Eci më tej. Papritmas iu shfaq përpara ura e vogël prej druri e cila mezi shquhej nga dëbora.

“Sa mirë kanë menduar që e kanë ndërtuar me parmakë, mendoi, ndryshe mund të përfundosh në përrua në ditë të tilla si kjo e sotmja ku është rrafshuar gjithçka”. U mbështet pak mbi trarët vertikalë dhe hodhi sytë në thellësi të përroit. Dukej një vilar i hollë uji që herë dukej e herë zhdukej nën çarçafin e bardhë të dëborës. Anës ishin varur degët e shkurreve të trashura prej akullit. Thuajse përroi kishte ndezur dritat e bardha prej neoni, si për festën e Krishtlindjeve. Kaloi matanë urës. Kishte mbërritur në Park. Dalloi gjurmët e dy lloj çizmeve, njëra më e vogël se tjetra. “Duhet të jenë gjurmët e rojeve, paskan kaluar këtej”, mendoi dhe iu ngroh zemra. Kishte edhe njerëz të tjerë. Parku i Madh kishte jetë. Nuk dinte sa ishte ora. Celularin e kishte futur thellë, në xhepin e gjirit dhe nuk mund ta nxirrte për ta parë. Delli gjithnjë e më shumë varej në perëndim dhe temperatura e ajrit ulej gjithnjë e më shumë. “Dita më e shkurtër e vitit”, pëshpëriti nën buzë. Kishte ndaluar përsëri në vend dhe ndjeu se majat e gishtërinjve të këmbëve po i mbërdhinin. Ndiente ftohtë.

3.

Asnjë tavolinë nuk ishte bosh në restorantin “Pasioni”. Greta dhe shoqja e saj Lili, të dyja mësuese në shkollën elementare, kishin filluar pushimet e fundvitit dhe atë ditëpo e festonin së bashku. Kamerieri i drejtoi në një kënd të veçuar ku kishte më pak zhurmë dhe nga dritarja mund të kundroje peisazhin e papërsëritshëm të dëborës. Vendin e kishin pronotuar një ditë më parë. Ai u mori palltot e mëdha, shallet dhe u la përpara syve menunë. Ishin dy shoqe në moshë mesatare, njera më tërheqëse se tjetra. Lili kishte tipare të rregullta, lëkurën dhe flokët të shkëlqyera, por mbi të gjitha ishte e pavarur dhe besimplotë në vendimet e saj. Greta ende ruante butësinë e tipareve rinore, trajtat harkore të trupit dhe flokët e zinj, të dendur. Lili pa e habitur fustanin e ri të Gretës, veshur për herë të parë, blu i errët, me zinxhir nga mbrapa, i ngushtë në bel i cili i vinte më në pah rrumbullaksinë e vitheve. “Ka filluar të vishet bukur, shtriga, mendoi, po ndjell meshkujt. Kjo, ose ka rënë kokëngulthi në dashuri, ose do të bjerë. As do t’ia dijë për burrin e vdekur”.

Pavarësisht nga rrogat e tyre të ulëta, të dyja mësueset, si standard familjar ishin mbi nivelin mesatar të shoqërisë. Greta kishte invesuar me interes të lartë gjysëm milion dollarë nga sigurimet që kishte marrë prej aksidentit të të shoqit dhe Lili kishte një shtëpi të dytë me qira. Nuk kishin mbërritur me makinat e tyre, por me taksi ngaqë kishin vendosur të pinin verë sipas qejfit. Po me taksi do të ktheheshin në shtëpi. Pasi u rehatuan në tavolinë, i hodhën një vështrim peisazhit jashtë dritares dhe u ndjenë të lumtura që këtë drekë po e kalonin ndryshe. E vunë gishtin në listë-menu tek çmimi më i shtrenjtë; lobster, sallata të ndryshme dhe ëmbëlsira. Nuk kishin gabuar. Në ditë të tilla, “të shurdhëra”, kur jashtë ka dëborë me shumicë, aktivitetet dhe lëvizjet e njerëzve me makina minimizohen. Ia vlen një bisedë intime në nëj restorant të ngrohtë e të shtrenjtë, sidomos në këto festat e fundvitit. Nuk harruan të porositin edhe dy shishe vere të markës “Cabernet France” të shërbyera në gota kristali. Heshtjen e theu Lili e para:

– Si i ke marrëdhëniet me vajzën, Brukin? – pyeti pasi kapërceu gllënjkën e dytë me verë.

– Jo mirë, më qëndron ftohtë. Unë nuk ia zëvendësoj dot dashurinë që kishte me shumicë për të atin. Ama nuk ia kam merakun se gabon, nuk ka kohë të merret me dashuriçka. Sa mbaron mësimet, kohën e lirë e kalon me provat për violinë, ose në koncerte të porositura. Ka një defekt që nu kia shkul dot, ka fiksim ato kojotat, do të duket ndryshe nga shoqet e shokët e klasës. I frymëzojnë këta ambientalistët. Do zoti nuk i ka shkuar mendja të dalë sot në Park, por jo, ende nuk janë hapur rrugët e qytetit, jo më të Parkut.

– Tashmë ajo është e rritur, i ka kaluar tetëmbëdhjetë vjet, nuk bëni biseda si shoqe, nuk i besoni sekrete njëra-tjetrës? – vazhdoi Lili me pyetje të tjera kureshtare.

– Pse ta pret mendja të ketë Bruki sekrete? Absolutisht jo. Unë i kam dhënë liri të plotë, të mësojëe ta menaxhojë vetë jetën, të blejë sipas shijeve të saj për t’u veshur, të gatuajë, të hekurosë e të bëjë çfarë të dojë. Le të përplaset, do të bëhet më e zonja, më e aftë për të përballuar jetën. Kujt ia priste mendja se tim shoq, në punë e sipër, do ta godiste mu në shtyllën kurrizore një kovë çeliku me një ton llaç brenda? Ti e di, ai ka qenë inxhinier i famshëm ndërtimi. Ishte i zgjuar, largpamës, por nuk e shpëtoi dot jetën e vet. Fati im i keq të më linte të ve. Paguante për të pasur sigurimin më të lartë të jetës. Gjysmë milion nuk janë pak. Kishte vuajtur në fëmijëri, kanë qenë të varfër, por mua dhe time bijë na la të pasur. Ishte largpamës.

– Nuk jam dakord se si i ke ndërtuar marrëdhëniet me tët bijë, – ia priti Lili – nuk do të doja të kisha gjë tjetër në këtë botë, veç një vajzë si Bruki. Unë kam vetëm dy çuna, dy gomerë. As pyesin fare për mua, vetëm më kërkojnë llogari për të ngrënë, për të hekurosur, për të ndërruar çarçafët. Lëri se më dhemb koka kur i kujtoj. Të mos jetë im shoq midis nesh, do kacafytesha me ta për çdo ditë.

– Jo, mua më merr malli të grindem me vajzën, nuk më lë shteg për asgjë, ama është hermetike, nuk më hapet, gojëkyçur. Kam gabuar qysh në fëmijërinë e saj, ia besova bashkëshortit dhe tani unë nuk e zëvendësoj dot atë, – tregoi ajo e mallëngjyer dhe sytë iu mbushën me lotë.

– Të pijmë për shëndetin e fëmijëve tanë, – e qetësoi Lili duke ngritur lart gotën e kristaltë gjysmë të mbushur me verë.

Pastaj ato e çuan bisedën gjetkë, folën për kolektivin, grindjet, shoqëritë, hatërmbetjet dhe shfaqjet e servilizmit që kohët e fundit qenë bërë ca si shumë, për të mos thënë virale. U ndalën tek mësuese Miçëll dhe aventurat e saj. Ajo ishte ndryshe nga gjithë të tjerët. Deklaronte me mburrje se kishte një të dashur që jepte jetën për të, edhe pse ishte e martuar.

– Mirë e ka, por pse e deklaron hapur, po sikur ta marrë vesh i shoqi? – pyeti Lili nga që nuk e njihte mirë dhe as kishte shoqëri me të.

– Pse nuk e di ti që ajo ia ka pohuar simpatinë për boifrendit edhe bashkëshortit? Madje i ka thënë kjo jam unë, në të pëlqen, rri me mua, në të kundërtën shko ku të duash. Unë nuk po të mashtroj si ç’po bëjnë shumë gra, i ka thënë.

– Aman, kush është ky mashkull që ia ka prishur mendjen kaq shumë? Po i shkatërron familjen.

– Një emigrant shqiptar, kopshtari i shtëpisë së tyre.

– Me një kopshtar dhe lëvdohet kështu, sikur ka kapur qiellin me dorë?!

– Ashtu mendoja edhe unë, por “kopshtari” nuk punon vetëm kopështin, por mbron në Universitetin e Torontos edhe një titull shkencor.

– Kopshtar që mbron titull shkencor? Si the, nga është?

– Nga Allbenia.

– Çfarë gjuhë flasin këta të Allbeniasit?

– Albanian, por thuajse shumica flasin italisht ngaqë jo vetëm hyjnë e dalin kur të duan atje, por gjatë gjithë ditës shohin kanalet televizive italiane.

– E kur qenka kështu, gjej edhe ti Greta një emigrant shqiptar, qenkan të rezikshëm këta allbenianët, hamshorë të mëdhenj.

Greta buzëqeshi, vërtetë, mund të gjente edhe ajo ndonjë emigrant shqiptar. Vera e vjetër “Cabernet France”, pas shishes së parë, me avujt dhe afshin jetdhënës, u qarkullonte në gjithë kapilarët e trupit dhe dy mësueset ndjeheshin me humor dhe shumë më të reja në moshë nga ç’ishin. Qeshnin për hiçgjë, ngrinin zërin dhe kërkuan me insistim muzikë. Kamerieri u detyrua t’u tërhiqte vrejtjen duke u thënë se po bezdisnin klientët e tjerë. Duhet të flisnin pak me zë më të ulët.

– Ku jemi këtu, – tha Lili gjoja e nevrikosur, pa ua vënë veshin fjalëve të tij – në azil pleqsh apo në Festën e Krishtlindjeve në restorantin e famshëm ‘Pasion’?!

Greta më në fund e kuptoi se kishte ardhur koha për të thirrur taksistin. Lili ishte bërë çakërqejf dhe kishte rrezik të bënte ndonjë budallallëk, të most themi skandal. Gjithashtu e bezdiste edhe fustani i saj i ri. I dukej se i rrinte tmerrësisht ngushtë duke e shtërnguar jo vetëm në vithe, por edhe në gjoks. Duhet ta kishte blerë një numër më të madh. Ky fustan i shtrenjtë me siguri do t’i rrinte bukur në trup të bijës, Brukit. Asaj do t’ia falte.

4.

Bruku nuk mund të rrinte më shumë duke pritur në një vend. Ishte bukuri e gënjeshtërt, temperaturat ishin 10-15 gradë nën zero. Dhe ishte një heshtje e frikshme. Nuk pipëtinte asgjë e gjallë dhe as erë frynte. Ndjeu mornica në trup. I ngjau sikur ishte në një planet tjetër. Iu kujtua Peteri. Në këtë orë ai duhet të ishte në kinema. Ngriti kryet nga kupa e qiellit. “Më shikon, baba”? pyeti me zë, por nuk mori përgjigje. U kthye në drejtim të kundërt të rrjedhës së përroit. Fytyra e babait nuk i shqitej nga kujtesa. I shtruar në spital, një javë përpara se të ndërronte jetë, ai e pyeti nëse dinte të ekzekutonte me violinë ‘Rekuiem Ebraico’ të kompozitorit Erik Zeisl. Ajo i tha se nuk e kishte dëgjuar kurrë këtë kompozitor, por do të interesohej me mësuesin e muzikës. Dhe ashtu bëri. Mësuesi mbeti i habitur kur dëgjoi prej saj këtë kërkesë të pazakontë. Ajo i tregoi se ishte dëshira e babait të shtruar në spital, pas aksidentit të rëndë. Ishte në prag të vdekjes.

– Është shumë e vështirë për ty, nuk di a do të mundësh ta mësosh? Fillojmë që nesër, më lejo të nxjerr notat muzikore për violinë sepse kjo pjesë ekzekutohet më shumë në piano, – itha mësuesi.

– Do të jem mirënjohëse, kjo për mua është shumë shpirtërore, e kam obligim ndaj dashurisë së pakufishme dhe respektit që kam për tim at, – e falënderoi Bruku me lot në sy.

Ishte katërmbëdhjetë vjeçe dhe pjesë të tilla muzikore nuk ishin parashikur në program, por ajo ia doli. Pas dy ditësh ishte e gatshme ta ekzekutonte pjesën muzikore që i kërkoi i ati.

– Pse, baba, zgjodhe këtë pjesë të rrallë muzikore? – pyeti ajo.

– Sepse ne jemi hebre, zemra e babit, ne jemi ndryshe, jemi të veçantë. Kemi karakteristika tipike, ja psh, vetëm nga hunda ti kuptohesh që je vajza ime. Edhe kompozitori i kësaj pjese ishte xhuis, si ne. Vdiq para kohe, pësoi atak.

Ecte dhe kujtonte si në një film me figura të gjalla gjithçka të shkuar. Ja, tek vuri re një magje zogjsh të boshatisur. Shikoi rrotull dhe në dëborë dalloi gjurmët e kojotave. Ato janë karakteristike, si gjysmë hëne, me pesë gishtërinj në këmbët e para dhe me katër në dy të fundit. Bruku i dalloi mirë, ishin gjurmë të freskëta dhe uli e gëzuar çantat mbi magjen e boshatisur. Bëri duart si hinkë dhe nisi të thërrasë:

-Kojooo, kojooo, jam këtu, a më dëgjoni?

Zërin e saj e përcillte përroi, pylli dhe shtresa e bardhë e dëborës. “Kojoo, Kojoo….”. Vazhdoi kështu për dy-tre minuta.Kur, ja tek dalloi pas një togu dëbore hedhur nga traktori, dy veshë, pastaj një turi, dy, tre, katër pesë koka kojotash. Ato rrinin të drojtura si nxënëse shkolle që nuk kanë bërë detyrat. Bruki futi duart në torbat e saj plastike dhe nxorri ca copa mishi. I vërtiti në ajër dhe ato u zhytën në dëborë. Njëzet këmbë kojotash dhe turinjsh të zinj u mpleksën me njëra-tjetrën dhe sekush prej tyre nxitoi të rrëmbejë copat e para të mishit. Bruku nuk e ndjeu më të ftohtin. Kishte frymë të gjalla rrotull. U ngazëllye që kojotat e njohën dhe u afruan. Ajo ua zbrazi tërë mishin që kishte në rrugicën e hapur nga traktori. Kojotat u afruan më shumë. Për habi të saj, ajo dalloi fare në fund një kojotë më të madhe se të tjerat, ngjyrë gri të zbërdhylët, këmbë të gjata dhe veshë më të shkurtër. Kishte disa breza me qime të zeza dhe pellush si të dhelprës. Kishte ca sy me retinë të verdhë me një pikë të zezë në qendër. Ai vështrim nuk ishte aspak miqësor. Ajo kafshë nuk ia ndante sytë për asnjë çast. Brukut iu kujtua pica e saj. E nxori edhe atë nga çanta, e hapi nga kutia dhe e vërtiti në ajër. Ishte dreka e saj. “Kojota” me sy të ligj iu vërsul si shigjetë dhe papritmas i futi nofullat në këpucët e saj me qafa. E rrëzoi për tokë. Ndjeu ca dhëmbë të mprehtë, si darë që po i shqyenin pulpën e djathtë. Dhimbja i shkoi gjer në kockë. Gjaku i rrodhi përmes rrobave dhe skuqi dëborën. Bruku vuri të gjitha fuqitë dhe u ngrit përsëri më këmbë. Ulëriti me sa fuqi që pati. Bredhat shkundën borën dhe zogjtë trazuan të alarmuar degët e pemëve. Ulëriti përsëri, këtë radhë edhe më fort. Deshi të nxjerrë celularin nga xhepi i brendshëm, por nuk mundi. Nuk kishte forcë. Egërsira e rrëzoi përsëri në tokë. Zhyti fytyrën në borë dhe rreth qafës shtërngoi kapuçin. Këmbët, nga gjuri e poshtë nuki ndjente më si të saj. Nuk e kuptoi se atë e sulmoi një coyvolf, kojotë-ujk, ndërthurje e dy specieve, një bastard i kryqëzuar që kishte trashëguar dhëmbët prerës të ujkut, urrejtjen dhe fuqinë e tij.

Ra në agoni. Zilja e celularit trigëllinte vazhdimisht, por ajo nuk mund të lëvizte. Duhet të ishte e ëma, Greta. Celulari ra përsëri dhe ajo mezi mundi të lëvizë gishtat e njerës dorë. Ja ku i erdhi babi në ndihmë, i zbardhur nga bora. I zgjati dorën.

-Bruk ke shpëtuar nga kojotat, jemi në Kishën Metodiste të Torontos, je e gatshme të ekzekutosh ‘Hebreu Rekuiem’? Na, merre violinën tënde.

Dhe Bruku ekzekutoi për babain e për vete. Për habi, gishtërinjtë nuk i kishte më të ngrirë, i lëvizte. Ata i fluturonin mbi tela. Kupola e kishës ushtoi prej Requiemit.

Shpirti i saj ishte ngjitur në Parajsë kur e ëma, Greta dhe Peteri i kapën duart e ngrira. Kishte plot njerëz rreth saj. Atë mbasdite ishte një lëmë vend në Parkun e Madh, që u mbyt nga gjaku i saj dhe lotët e njerëzve.

Mississauga, Krishtlindje 2022.

 

Please follow and like us: