Mihal Gjergji: DIMËR NË TIRANË
Dhe fjalët si gjethet roiten
Si mbetëm kështu, vetmitar!
Një nënë puth buzët e vdekjes
Po vdekja nuk do që ta marrë
Një qyqe nuk di nga ka zbritur
Ajo mund të ulej kudo
Diç thotë mbi kryqin e kishës
Një psallm që e di veç ajo
A thua ka vdekur tirani
Me strehën këtu, në Tiranë
Mos ndoshta nga stepat sulltani
Fermanin ka nisur matanë!
Ndjej zëra të largët, të mekur
Ca shpirtra si zogj shtegtar
Shoh rrugëve plot njerëz të vdekur
Të zbrazur, të heshtur, të tharë
Liria që thurëm aq ëndrra
Na bëhet litar e na mbyt
U ligëm nën thundra të rënda
Nga prangat dhe frika ka frikë
Ançari mbi fron të përgjakur
Mallkon e vështron rreth e qark
Shigjetat që ende s’ka flakur
I ngjyen në helmin farmak
Sarhoshë e lavire festojnë
Orgji e pushtet e përdhunë
Nga turmat bekimin kërkojnë
Dhe turmat një shekull në gjumë
Lëngata e dimrit te pragu
Motmotin e sjell në gosti
Si mbetëm kështu, vetmitar
Ta ngrejmë, apo jo, një dolli?!
Tiranë, Dhjetor 2022.